BE, zgjerimi dhe Tirana - Shqiptari i Italisë

Editoriale nga shtypi shqiptar
Nga Gjergji Kajana*

Strategjia e paraqitur më 6 shkurt nga Komisioni Evropian, organi ekzekutiv i Bashkimit, parasheh një integrim ballkanik në BE me shpejtësi të ndryshme. Për Ballkanin që pret zgjerimin kjo përkthehet në pasjen e Serbisë e Malit të Zi si pararojë e të futurve të rinj nga gadishulli në një datë rreth 2025-s. Gara e detyrave të shtëpisë sheh ata aktualisht si më të zellshmit e një klase me 6 nxënës (katër të tjerët janë Shqipëria, Maqedonia, Bosnje – Hercegovina, Kosova). Detyrat e shtëpisë përfshijnë sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave themelore të njeriut, luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar, përmirësimin e institucioneve demokratike, reforma në administratën publike e ekonomi, marrëdhënie fqinjësie të mirë. Janë të njëjta për të 6 nxënësit por prej disa vitesh Beogradi e Podgorica po i kryejnë me më tepër zell. Strategjia parathotë se në rreshtin e parë të aderuesve eventualë janë Serbia e Mali i Zi (që janë nën negociata aderimi), në të dytin Tirana e Shkupi (që presin hapjen e negociatave në qershor) dhe në të tretin Sarajeva e Kosova (që i shohin negociatat me dylbi).

Shpejtësitë e ndryshme po kthehen një praktikë normale në politikën e BE-së. Për herë të parë i evokoi Merkel para një viti, duke iu referuar marrëdhënieve mes 27 anëtarëve të Bashkimit (anëtari i 28-të, Britania e Madhe, është në proces shkëputjeje nga bashkësia). Për BE-në në formatin aktual shpejtësi të ndryshme mund të duan të thonë se jo të 27 anëtarët do të hynin menjëherë në një bashkim të mundshëm fiskal (sistem i njëjtë taksimi) ose në një ushtri të mundshme evropiane. Adoptimi i kësaj formule edhe për pretendentët aderues ballkanikë është mënyra për ta mbajtur të gjallë procesin e zgjerimit, që ka ecur me hapa shumë të ngadaltë pas shpërthimit të krizës financiare të 2008-s. Atëherë, nën zjarrin e krizës, u përparua me integrimin e premtuar të Kroacisë (2013) dhe u çelën negociatat me serbët e malazezët por nuk u ofrua një perspektivë e qartë aderimi që të përfshinte data. Thjesht u bë i ditur një fakt i imagjinueshëm: nuk do të kishte zgjerime në legjislaturën evropiane 2014 – 2019. Tashmë i ditur një fakt shtesë: do të jetë gati e pamundur të ketë zgjerime edhe në legjislaturën 2019 – 2024. Por Strategjia mëshon mbi një pohim të rëndësishëm: do të ketë zgjerime.

BE – ky bashkim doganor që garanton brenda tij lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave e kapitaleve – nuk mund të lerë jashtë perspektivës së aderimit një treg prej 18 milionë konsumatorësh, një zonë që ka rritur ndërshkëmbimet me Bashkimin me 80% më tepër krahasuar me 2008-n dhe që ndodhet në planet e zgjerimit të ndikimit në të të tre fuqish jodemokratike që janë rivale gjeopolitike të Brukselit: Rusia, Kina e Turqia. Nga këto më i fuqishëm ekonomikisht është Pekini, që ka hyrë financiarisht në investime infrastrukturore në zonë (veçanërisht Serbi, ku angazhohet në centrale energjetike e autostrada). Rusia e Turqia duan të kthejnë në shtyllë tërheqjeje lidhjet shpirtërore me sllavët e para e me bashkësinë e fesë myslimane e dyta. Nuk janë fuqi ekonomike e nuk mund të ofrojnë planet investuese të Pekinit. Më e dëmshmja është Moska: sheh tek BE një fuqi gjeopolitike rivale dhe tenton ta minojë duke ndezur nacionalizmin, që është ndjenja e kundërt me federalizmin demokratik ku synon Brukseli. Rusia luan fort me dizinformimin teknologjik (mediat Sputnik e Russia Today) por gjithashtu është rreshtuar përherë në krah të euroskeptikëve të rajonit: Gruevski në Maqedoni e Milorad Dodik në Bosnje – Hercegovinë. Në propagandën moskovite ka një vend të veçantë edhe për Shqipërinë, e cila shihet si bashkëpunëtore e Kosovës në plane imagjinare të krijimit të “Shqipërisë së Madhe”.

Edhe në dritën e aktivizmit rus, për Tiranën integrimi politiko – ekonomik me BE-në nuk ka alternativë. Nëse në një të ardhme integrimi me Evropën i Ballkanit do të ndërpritej e fuqia ruse do të rritej, për Shqipërinë kjo klimë joevropiane nuk do të ishte miqësore sepse me Rusinë qysh tani marrëdhëniet janë në një luftë të ftohtë. Moska do të preferonte si aleate vendet tona fqinje me popullsi sllave, ku natyrisht do të donte krerë shteti filorusë. Shqipëria pa Evropën do të ishte shumë e izoluar. Mund të duket një fantarealitet por sistemi ndërkombëtar është anarkik e realitetet ndryshojnë. Le të mos harrojmë që për momentin fuqitë parandaluese të një konflikti serbo – kosovar janë NATO ushtarakisht e BE diplomatikisht, fakte që na lënë të kuptojmë rëndësinë e faktorit të jashtëm në marrëdhëniet ndërballkanike.

Në faqen 2 të Strategjisë së  shkurtit vjen pohimi më i rëndësishëm për aspiratën europeiste të Tiranës: “Komisioni është gati të përgatisë rekomandimet për hapjen e negociatave të aderimit me Shqipërinë e ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, mbi bazën e kushteve të përmbushura”. Kushtet tona janë 5 prioritetet: reforma e administratës publike (simbol i fushatës së socialistëve në zgjedhjet 2017), forcimi i sistemit gjyqësor (ku Tirana po ndërmerr një reform të thellë me ndihmën e Brukselit), lufta ndaj korrupsionit, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe implementimi i të drejtave të pronës. Data për t’u shënuar në kalendar është 28-29 qershori, kur do të zhvillohet mbledhja e krerëve të shteteve të BE-së. Nga ajo mbledhje mund të çertifikohet nisja e negociatave të anëtarësimit.

Në debatin publik shqiptar mungon një informim i thellë mbi BE-në. Kjo sjell njëfarë frike në popullsi, siç gjithkush trembet nga diçka që nuk e njeh. Frika kryesore është një zhvendosje masive popullsie drejt vendeve evropiane pasi anëtarësimi të jetë fakt i kryer. Arsyeja e zhvendosjes së trembur (e cila, në shkallë të ndryshme, ka ndodhur pas 2004-s nga vende të ish-bllokut komunist si Rumania në vende perëndimore të Bashkimit si Britania e Madhe e Italia) do të ishte pabarazia ekonomike mes Shqipërisë e Evropës – një pabarazi që përbën një realitet të prekshëm për këdo shqiptar. Sfida e madhe shqiptare e integrimit në BE duhet të jetë pikërisht ngushtimi i kësaj diference, që realizohet vetëm përmes reformash të kryera nga shteti që formalizojnë strukturën shqiptare: politika, ekonomia, drejtësia. Ky formalizim po ndodh dhe ka aleat shumë të rëndësishëm dëshirën e pamohueshme të shumicës së shqiptarëve që ai të ndodhë.

Ikja e popullsisë nuk është problem vetëm i vendit që flet për azilkërkuesit në Francë e aplikantët e llotarisë amerikane. Një institut maqedonas, Instituti për Studimet Strategjike e Edukimin, botoi para pak javësh një studim që pohonte se 69% e profesorëve e asistentëve në edukimin e lartë në Maqedoni do të konsideronin ikjen nga vendi për mundësi më të mira punësimi jashtë, ku pagat janë më të larta e kushtet e jetesës më dinjitoze. Problemi ekziston dhe – me fjalët e Strategjisë së 6 shkurtit – “jeta e përditshme në Ballkanin Perëndimor duhet progresivisht të kthehet në sa më të afërt me atë Brenda Bashkimit Evropian”. Cilësia e re e jetës  (që mund të kihet vetëm përmes reformave) është ura më e mirë e lidhjes mes dëshirës për të jetuar me dinjitet në Ballkan e përkitur politikisht Evropës. Shqiptarët e ’90-s që thirrën “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” u zhgënjyen nga mungesa e jetës evropiane në vend por ky shtet, me moshën mesatare 34 vjeç, e ka vendin brenda Bashkimit: po voton si evropian, do të jetojë si evropian e sidomos në brezat e rinj po ndihet evropian. Në mos prej njehsimit të zhvillimit ekonomik (që do të ishte njëtrajtësimi i të ardhurave të vendeve aspirante për aderim me ato anëtare të Bashkimit), integrimi kulturor shqiptar mund të paraprijë atë politik.

*Doktor në Shkenca Politike e Marrëdhënie Ndërkombëtare

Botuar në American Eye