Gazzetta del Mezzogiorno: “Marihuana shqiptare mbërrin çdo ditë në brigjet tona” - Shqiptari i Italisë

“Trafiqet me bandat shqiptare kanë përmbytur Puglien me drogë. Në vitin 2015, pas Lazaratit, pati një rënie të fortë të prodhimit. Një vit më pas, tregu u rimëkëmb, akoma më i fuqishëm se në të shkuarën” e shkruan Gazzetta del Mezzogiorno në një shkrim të gjatë të botuar dje kushtuar kultivimit të kanabisit në Shqipëri, para e pas Lazaratit dhe luftës kundër trafikut që forcat italine, kryesisht të Guardia di Finanza, bëjnë në bashkëpunim me forcate rendit shqiptare

Ja shkrimi i plotë:

Nga veriu në jug, aty këtu, nga Vlora deri në brezin e tokës që shkon përgjatë lumit Vjosë, në pjesën jugore të vendit të shqiponjave. Zonat malore të cilat, falë kushteve klimaterike, ofrojnë maksimumin për mbjelljen dhe rritjen e mijëra parcelave të marihuanës. Një biznes që prodhon në Shqipëri xhiro me shifra marramendëse. 100 kilogramë në treg, vlejnë 1 milion euro. Vlera vazhdon të rritet dhe brigjet e Barit dhe të Pulias mirëpresin motoskafe që vijnë nga ana tjetër e Adriatikut. Si në kohët e kontrabandës së cigareve.

PAS LAZARATIT – Rrugët e drogës mes Tiranës, Durrësit, Vlorës dhe në brendësi të Shqipërisë rriten çdo ditë. Trafiku i preferuar nga organizatat kriminale vendase, nga viti 2011 nuk ka të ndalur. Me përjashtim të një ndërprerjeje të shkurtër në vitin 2015, pas shkatërrimit të fshatit njohur Lazarat (i gjithi i mbjellë me kanabis), me një maksi-operacion të forcave speciale të policisë shqiptare. Vetëm një vit rënie prodhimi: koha e nevojshme që iu desh trafikantëve për t’u kthyer në treg edhe më të fuqishëm. Dhe kështu është sot. Nga janari i këtij viti “malli” po kalon nga njëra anë në tjetrën me një ritëm të pandalshëm, mbresëlënës. Skafistët nisen në çdo orë të ditës për të mbërritur në brigjet e Barit, Brindisit dhe Lecces. Një aktivitet tejet fitimprurës. Të vetëdijshëm për këtë janë financierët e repartit operativ aeronaval të Puglies. Helikopterë, gomone, skafe, anije patrullimi të pajisura me sensorë super të sofistikuar: pajisjet e nxjerra në terren nga agimi në muzg, në përpjekje për të luftuar këtë dukuri. Dhe rezultatet flasin vetë: nga fillimi i vitit janë sekuestruar nga grupi Roan i Guardia di Finanza mbi 7.000 kg lëndë narkotike dhe 16 mjete lundrimi dhe janë arrestuar 21 skafistë.

NË LOJË MINISTRIA – Por lufta ndaj trafikut nis në Shqipëri, falë monitorimit nga ajri të Guardia di Finanza në mbështetje të forcave policore vendase në brendësi të vendit, dhe në det falë veprimtarisë së një grupi financierësh të repartit të kufirit detar që ndodhen në Durrës prej vitit 1997 e prej disa vitesh edhe në Vlorë. Monitorim që bëhet nën drejtimin e Ministrisë së Brendshme italiane. Një bashkëpunim i vyer që sot, më shumë se kurrë, njeh edhe qeveria shqiptare. Ndërgjegjësim i ndryshëm nga ai i të shkuarës, që ka nxitur krerët e qeverisë të kuptojnë, me sa duket, peshën e fenomenit. Për këtë, disa muaj më parë, policia shqiptare vendosi bashkëpunim të ngushtë me bërthamën e GdF në Durrës dhe të gjitha forcat e tjera policore të huaja në territor. Shkëmbimi i informacionit është i vazhdueshëm dhe shënon një hap vendimtar në luftën kundër trafikantëve të marihuanës. Edhe pse, në mjediset hetimore shqiptare, ka një besim të fortë se infiltrimet e mafias në polici rezistojnë dhe nuk është aspak e lehtë për t’i çrrënjosur ato.

PROFESIONI: KULTIVUES DROGE – Për të kuptuar xhiron marramendëse që gjeneron kultivimi i marihuanës, është e nevojshme të kthehemi pak prapa në kohë. Në vitin 2011, kur shqiptarët zbuluan se ai i kanabisit mund të bëhet një biznes i artë, filluan ta kultivojnë në disa dhjetëra hektarë. Mjaftojnë pak fara, një sistem i vogël dhe elementar ujitjesje, një grup të vogël personash (edhe pa shumë përvojë në bujqësi) për të menaxhuar rritjen e bimës. Janë kushtet klimatike dhe cilësia e tokës për ta kthyer këtë farë në një lëndë narkotike të cilësisë së mirë. Me kalimin e kohës, prodhimet rriten. Një situatë që GdF filloi menjëherë ta kontrollojë me avionë Piaggio P166/DP1 të grupit të eksplorimit aerodetar të Pratica di Mare.  Sensorët e veçantë e vendosur në bordin e tyre (shumë më të sofistikuar se ata të helikopterëve) fillojnë të zbulojnë zonat me më shumë kultivime. Të dhëna që ndërthuren me analizat e bëra në tokë që njohin ngjyrën e plantacioneve dhe kushtet termike të territorit. Konfirmimi vjen menjëherë: në Shqipëri kultivohet marihuanë në hapësira aq të mëdha sa të humbet vështrimi. Forcat e policisë shqiptare fillojnë të bëhen të vetëdijshme për fenomenin. Në vitin 2014, zbulohet fshati Lazarat. Qeveria shqiptare, këtë herë, vendos të ndërhyjë masivisht duke bonifikuar fshatin i cili për muaj kishte ushqyer trafikun e paligjshëm, duke pasuruar dhjetëra e dhjetëra familje vendase, përfshirë edhe krerë klanesh. Pas Lazaratit, në vitin 2015 vërehet një kolaps dramatik të prodhimit të marihuanës. Është një vit tranzicioni që u ka lejuar prodhuesve të riorganizohen. Të kthehen në treg më të fuqishëm, duke u specializuar tashmë edhe në llojin e farës të përdorur.

MBËRRIN VJETNAMEZJA – Në fakt, këtë vit, për herë të parë, shtimi i plantacioneve të zbuluara i detyrohet përhapjes së farës me cikël të shkurtër, e ashtuquajtura Vjetnamezja. Mundëson përfundimin e të korrave në 45 ditë, kundrejt rreth 120-150 ditëve të farës tradicionale. Gjetja e kësaj fare, sipas autoriteteve, në rreth 70% të plantacioneve, u lejon prodhuesve të nisin korrjet më shpejt duke reduktuar rrezikun e humbjes në rast të ndërhyrjes së forcave të policisë.
“Lufta ndaj trafikimit të marihuanës mes Shqipërisë dhe Puglies është një nga përparësitë tona, bashkë me atë të imigracionit të paligjshëm”, – shpjegon komandanti i repartit operativ detaro-ajror të GdF të Barit, koloneli Antonello Maggiore. – Vendimtar bashkëpunimi i të gjitha reparteve, në veçanti ai i grupit detaro-ajror të Tarantos, i specializuar në operacionet në det të hapur si dhe qendër lokale koordinuese e misionit "Triton" Frontex. Për të transportuar lëndën narkotike organizatat përdorin mjete lundruese të shpejta, të favorizuara nga afërsia mes brigjeve shqiptare dhe atyre pulieze. Ne flasim për rrugë nga 80 në 100 milje apo dhe për maksimumi 200 milje vajtje-ardhje. Përdorin mjete lundruese të përmasave të ndryshme dhe me disa motorë që janë në gjendje të lundrojnë edhe në det të trazuar, më mirë se një një motoskaf normal”.

MJETET LUNDRUESE MË TË VOGLA"Nëse deri disa vjet më parë - shpjegon koloneli Maggiore - mjetet e përdorura ishin më së shumti kryesisht gomone të mëdha me 2 ose 3 motorë nga të paktën 250 kuaj fuqi secili, përdorin mjete lundruese më të vogla e më pak të kushtueshme, për të shmangur investime të mëdha në para. Sepse trafikantët marrin parasysh se mund ta humbasin sasinë e drogës dhe mjetin. Sigurisht këto të voglat janë më të shumta se mjetet lunduese të mëdha. Kohëve të fundit – thekson koloneli – në Shqipëri janë intensifikuar kontrolli dhe monitorimi nga ana e policisë lokale i këtyre mjeteve të fuqishme (që nuk janë për argëtim por shumë të përdorura për trafiqe të paligjshme). Aq sa sot është e detyrueshme t’u komunikohet autoriteteve detare shqiptare lëvizja e çfarëdo mjeti lundrues nga njëri port në tjetrin. E gjithë kjo sigurisht për të lehtësuar punën tonë në një klimë sinergjie e bashkëpunimi të frytshëm. Ky shkëmbim informacioni – shton kolonel Antonello Maggiore – për ne është shumë i dobishëm, sepse deri tani na ka lejuar të kemi rezultate të mira në luftën kundër trafikut. Të dhënat që policia lokale na ofron na bëjnë të mundur që të punojmë më mirë në aspektin operativ, përpara dhe sidomos pasi kanë përfunduar operacionet për zhvillimet e mëtejshme hetimore".

In originale:
La «nuova» marijuana sbarca ogni giorno sulle nostre coste