“Ju që vini na nderoni, ju që ikni na gëzoni” - Shqiptari i Italisë

Editoriale nga shtypi shqiptar
Të jetuarit në Shqipëri, apo dhe të dështuarit në Shqipëri, nuk duhet të paraqitet si “donacion” për Shqipërinë, duke e futur Shqipërinë në borxh. Po njësoj, dhe largimi nga Shqipëria nuk është disidencë dhe as ndonjë status special, për këdo që ikën. Secili duhet të gjejë veten e vet atje ku mund.
Shqipëria do të ketë në gjithë historinë e saj emigrantë. Do ketë brez pas brezi valë emigrimi, që ikin, dhe një pjesë që rikthehen për të vazhduar suksesin e tyre në Shqipëri
Nga Mero Baze

Në Shqipëri, por dhe në Kosovë, ka shpërthyer një debat sa idiot, aq dhe identikues për frustrimet e shoqërisë sonë, lidhur me ata shqiptarë që vijnë në atdhe dhe ata që ikin prej atdheut, krejtësisht për nevojat e tyre.

Vala e parë e shpërthimeve gjysmë raciste, gjysmë provinciale, vjen çdo fillim vere, kur shqiptarët përgatiten të presin emigrantët që kthehen për pushimet e verës. Në Kosovë kjo kaloi gati në racizëm ndaj tyre, për shkak të disa emigrantëve kryesisht nga Zvicra, që “zgjidhen si qeni nga zinxhiri”, dhe u janë lëshuar autostradave të Kosovës me 200 km në orë, duke bërë kërdinë në aksidente dhe vdekje të dhimbshme. Pastaj debati u trash aq shumë, sa u krijuan gati dy kampe, të cilët nuk isnin më për marrëzinë e pesë- gjashtë idiotëve në trak, por për vlerat kombëtare të diasporës dhe vendasve.

Në Shqipëri ky debat është konsumuar më herët dhe ka qenë kryesisht me emigrantët e kthyer nga Greqia, të cilët për shkak të patentave me shumicë fallco që kanë pas blerë në sheshin “Omonia” , kur vinin në Kakavijë, hiqnin rripin, i jepnin gaz makinës dhe i gjeje në kanalin e parë, pa shkuar në Ballsh.

Kjo situatë natyrisht ka ndryshuar dhe në këto ditë të nxehta vere është zëvendësuar me një trend të kundërt, por edhe më qesharak, me ata që duan të ikin nga Shqipëria. Mes tyre ka dhe njerëz të suksesshëm, pjesërisht të suksesshëm dhe aspak të suksesshëm, por dhe mitomanë që duan të vihen në qendër të vëmendjes apo femra në menopauzë që duan vëmendje. Problemi është se të gjithë janë gati të merren me ta, edhe pse shumë prej tyre është hera e parë që dikush i merr seriozisht në jetë.

Së pari, duhet të biem dakord, se të qëndruarit në Shqipëri, të jetuarit në Shqipëri, apo dhe të dështuarit në Shqipëri, nuk duhet të paraqitet si “donacion” për Shqipërinë, duke e futur Shqipërinë në borxh, se ti merr frymë, dështon apo ke sukses këtu. Po njësoj, dhe largimi nga Shqipëria nuk është disidencë dhe as ndonjë status special, për këdo që ikën. Secili duhet të gjejë veten e vet atje ku mund. Përpjekja për ta paraqitur dështimin personal apo profesional në Shqipëri, si një akt disidence ndaj pushtetit, është banale dhe rrezaton më shumë arsyet pse nuk ja ke dalë në këtë vend.

Shqiptarët janë një komb shumica e të cilit jeton jashtë trojeve amtare, për shkak se ky vend nuk i ka mbajtur dot kurrë bijtë e vet këtu. Ata nuk janë as heronj, as tradhtarë, por njerëz që kanë gjetur suksesin e tyre jashtë Shqipërisë.

Dhe Shqipëria do të ketë në gjithë historinë e saj emigrantë. Do ketë brez pas brezi valë emigrimi, që ikin, dhe një pjesë që rikthehen për të vazhduar suksesin e tyre në Shqipëri.

Ky vend kështu është bërë. Po të mos ishte Greqia dhe Italia, ne nuk do kishim sot mijëra specialistë të shkëlqyer ndërtimi, turizmi, guzhine, dhe shërbime të tjera. Emigrimi në vendet fqinje u bë një shkollë e madhe për shqiptarët që u rikthyen dhe ndryshuan Shqipërinë.

Historia e Shqipërisë është e mbushur me shkëlqimin e njerëzve të suksesshëm të saj, që u bënë të tillë jashtë Shqipërisë. Janë ata që bënë Shqipërinë, që e mbajtën në ditë të vështira dhe ja dolën ta kthejnë në shtet. Janë emigrantët tanë ata që i mbajtën frymën gjallë Shqipërisë në vitet 90-të dhe është Greqia dhe Italia, dy vendet tona fqinje, që me hapjen e kufijve, i siguruan Shqipërisë ekzistencën e saj pas kolapsit të vitit 1990.

Shqiptarët që kanë çarë malet me dëborë dhe detet për të mbijetuar, janë heronjtë e familjeve të tyre, të shoqërisë sonë dhe natyrisht, të Shqipërisë. Të tillë janë dhe njerëzit e talentuar të Shqipërisë që kanë bërë emër në botë.

Por ky debat mbaron këtu.

Herë-herë, Shqipëria është e tillë që nuk të mban dot. Ndonjëherë, si në vitin 1990, nuk mbante dot thuajse asnjë njeri. Më vonë u bë më mirë. Tani ka plot njerëz që nuk e gjejnë më veten këtu dhe largohen, siç ka të tjerë që kthehen, provojnë të bëjnë një jetë në atdhe, herë- herë zhgënjehen, e ikin prapë.

Por Shqipëria mbetet këtu. Kosova po ashtu. Si dy vende që mbijetojnë më shumë nga ata që vijnë dhe i japin këtij vendi, se ata që nuk marrin dot gjë e ikin, ato u janë mirënjohës, sidomos emigrantëve.

Ndaj bëni kujdes, mos e quani “nder për Shqipërinë” kur ktheheni në atdhe dhe mos e mallkoni kur ikni. Se kjo nuk është një histori e re, por e vjetër sa Shqipëria. Mençuria popullore ka një fjalë të urtë për këtë: “Ju që vini na nderoni, ju që ikni na gëzoni”.

Botuar në gazetën TemA