Shqiptarëve u shkruan një europian i lodhur me marrëzinë e tyre - Shqiptari i Italisë

Editoriale nga shtypi shqiptar
Johannes Hahn mund ta ketë gabim, ambasadorët e huaj në Tiranë mund të jenë të anshëm, Joseph Daul mund të jetë shprehur keq kur foli me miqtë e tij Basha e Berisha, zyrtarë të Departamentit amerikan munden gjithashtu të lexojnë keq situatën në një rrethanë të caktuar, por është thjesht e pamundur që absolutisht të gjithë në Bruksel, Berlin, Paris dhe në Uashington, t’ja fusin kot, e vetëm Çadra të ketë të drejtë! Letra totalisht jodiplomatike e një diplomati të lartë austriak na e thotë më së miri
Nga Skënder Minxhozi

Nuk mbahet mend të kemi marrë një shuplakë publike nga Bashkimi Europian, si kjo e fundit nga komisioneri i zgjerimit Johannes Hahn. Ka pasur marrëdhënie të acaruara me Brukselin edhe në kohën e Nanos, kur BE mori pak a shumë formën që ka sot, ka pasur kritika edhe më vonë, kur ndodhnin kriza e incidente, siç ka qenë Gërdeci, 21 janari apo momentet elektorale. Por askush nga zyrtarët e lartë të BE nuk është ulur “me kartë dhe penë”, për të na numëruar një për një zullumet e absurditetet me të cilat kemi ngopur europianë e amerikanë në gjashtë muajt e fundit. Në fakt pështirosja ndaj krizës shqiptare ka nisur që në fillimet e reformës në drejtësi, por sot përballemi me një degëzim të rrezikshëm të atij procesi, e që ka të bëjë me bojkotimin e zgjedhjeve nga opozita kryesore.

Është një letër e trishtë, siç e komenton Majlinda Bregu, një mesazh i cili shënon një ndër ato momente, kur sipari i etiketës dhe i diskrecionit të kuptueshëm të një diplomati perëndimor, është ngritur totalisht. Çka na lejon të lexojmë të zhveshur dhe në dritën e diellit, të gjithë frustrimin e tij (e jo vetëm të tij), për përpjekjet disamujore, me qëllim që Shqipëria të mos shkonte në të njëjtën pikëtakimi, nga një drejtim krejt i ndryshëm, me Maqedoninë apo Kosovën fqinje. Hahn thotë açik dhe hapur se është lodhur, bashkë me kolegë të tjerë, që të bindë opozitën që të pranojë atë që në Perëndim e konsiderojnë thjesht si një tabu të paprekshme dhe të panegociueshme: rotacionin e pushtetit përmes pjesëmarrjes në garën e zgjedhjeve.

Përkundër kësaj përpjekjeje të gjatë dhe plot peripeci, Johanes Hahn ka vendosur të ndajë me shqiptarët (vini re, u shkruan të gjithë shqiptarëve!), zemëratën e tij për dështimin e këtij misioni. I cili ka si shkak të vetëm refuzimin e opozitës për të pranuar logjikën e përfshirjes dhe të pjesëmarrjes.

Përtej letrës së ashpër të komisionerit të zgjerimit, pas 80 ditëve në çadër, e djathta zyrtare nuk ka sesi të mos ketë kuptuar të paktën një gjë: habinë dhe mospranimin e vendosur që qeveritë dhe institucionet e Perëndimit kanë ndaj refuzimit të një partie të madhe politike për të hyrë në zgjedhje e për të marrë pjesë në institucione. Cilado qoftë aradha e justifikimeve për të shmangur garën elektorale, PD, Basha dhe Berisha nuk mund të mos kenë kuptuar se ka qenë një vetvrasje taktike, që të tentosh të bindësh për 3 muaj rresht europianët dhe amerikanët se pushteti mund të negociohet, e jo të fitohet, se qeveritë mund të ndryshojnë ngjyrë dhe përbërje e se kryeministrat mund të ikin me kalkulime tryezash, e jo me vota zgjedhësish. Teksa mbush tre muaj në një çadër e cila tashmë ka mbetur në det të hapur, opozita ka rastin të prekë me dorë “produktin” e furtunës që ndërtoi me stoicizëm, por pa logjikë dhe arsye: një mesazh fshikullues nga zyrtari (i djathtë), i cili për ironi të fatit, është përgjegjësi kryesor i procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian. Pra, kontrollori i parë i rrugës që ne po përshkojmë për t’ju bashkuar klubit europian të vendeve të zhvilluara.

PD është ndodhur edhe një herë në të shkuarën, në këtë kapërcyell të rrezikshëm, në raport me ndërkombëtarët. Ka qenë periudha e pas vitit 1998, kur opozita e kohës u izolua thuajse totalisht në Tiranë dhe jashtë saj, aq sa nuk ftohej as në koktejlet e ambasadave në festat zyrtare. Ky është rasti i dytë i një krize të thellë që PD e ka jo me kundërshtarët socialistë, por me palën e tretë: ndërkombëtarët. Zëri logjik i Majlinda Bregut, Eduard Selamit dhe kritikat publike të Jozefina Topallit e të tjerëve, shënojnë një ishull arsyeje, në detin e emocionit dhe mllefit të verbër që ka pushtuar elitën opozitare. Një zë i cili duket se ka sfidën e mbajtjes ndezur të një kandili në mes të furtunës.

Johannes Hahn mund ta ketë gabim, ambasadorët e huaj në Tiranë mund të jenë të anshëm, Joseph Daul mund të jetë shprehur keq kur foli me miqtë e tij Basha e Berisha, zyrtarë të Departamentit amerikan munden gjithashtu të lexojnë keq situatën në një rrethanë të caktuar, por është thjesht e pamundur që gjithkush, absolutisht të gjithë në Bruksel, Berlin, Paris dhe në Uashington, t’ja fusin kot, e vetëm Çadra të ketë të drejtë! Është krejt e pamundur!

Letra totalisht jodiplomatike e një diplomati të lartë austriak, që paguhet për të qenë zyrtar i lartë i Bashkimit Europian, na e thotë më së miri këtë edhe në këto momente.

Botuar në Java News

Lexo edhe: Komisioneri Hahn: “Shqiptarët meritojnë proces zgjedhor demokratik”