13 qershor 1999 Kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë - Shqiptari i Italisë

Histori

Kujtesë

Nga Flora Nikolla

Kishte rënë shumë shi një natë më parë dhe gazetarë të të gjitha kombësive kishin nxituar për të qënë pa zbardhur dita, në Qafën e Morinit në Kukës. Një varg i gjatë makinash të blinduara, mbushur me transmetues e telefona satelitor popullonte mjedisin që për disa muaj kishte qënë skenë  e një historie të dhimshme.

13 qershori, ishte dhe duhej të ishte një ditë e shënuar që kurorëzonte shprishjen e barrierave të kufijve të vendosur nga fuqitë e mëdha në fillim të shekullit të XX-të.

Plani i trupave gjermane të NATO-s, ishte t'i hapnin një rrugë kthimi shqiptarëve të Kosovës, të cilët kishin filluar të largoheshin me dhunë nga trojet e tyre në mars të vitit 1999.

Të vendosur një ditë më parë diku në periferi të Kukësit, zhvendosja e trupave gjermane u shoqërua në orët e para të mëngjesit me përshëndetjen e turmave të mëdha të kosovarëve te vendosur në të dy anet e rrugëve të qytetit, i cili u bë pritësi i mijëra të larguarëve me dhunë nga trojet e tyre.

Në pikën kufitare të Morinit, rojet serbe vëzhgonin nga maja e një kodre aty prane, ndërsa një e shtëne artilerie u degjua rreth ores 08.00 të mengjesit nga ana serbe në krahun e lumit Drini i Bardhe, nje zone e luftimeve te ashpra  disa ditë më parë këtu.

Operacioni i sapo filluar përfaqësonte dislokimin e parë të trupave gjermane në Jugosllavi që mbas Luftës së Dytë Botërore. Sapo te kapercenin kufirin, autokolona gjermane do te vendosej në qytetin e Prizrenit brënda disa orëve.

* * *

Në fakt, lufta e hapur e Presidentit Milosheviç ndaj shqiptarëve etnikë në Kosovë kishte filluar gati një vit më parë. Raporti i vëzhguesve të Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) për ato që ndodhën në fshatin Raçak është një shembull i asaj që vazhdoi në muajt në vazhdim.

"Një burrë u qëllua në bark, ndërkohë që po përpiqej të ikte; tre burra u goditën në shpinë; një burrë u vra jashtë shtëpisë së tij me sopatë për vdekje; pesë burra u qëlluan në kokë; një burrë i vdekur dhe pa kokë jashtë shtëpisë së tij; një grua u qëllua në shpinë..."

Më pas serbët do të vazhdonin luftën e tyre mbi bazë një plani të hollësishëm, i cili kishte si qëllim spastrimin etnik dhe largimin me dhunë të shqiptarëve nga Kosova.

Tani që Milosheviç kishte kapitulluar një milion e gjysëm shqiptarë etnikë prisnin të riktheheshin në vëndin e tyre.   

Trupat e KFOR, që do të hynin këtë të dielë qershori në Kosovë, sipas kushteve të projektrezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të frenonin gjithashtu edhe armiqësitë mes sërbëve dhe shqiptarëve, do të çarmatosnin brënda një kohe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe do të krijonin një mjedis të sigurtë ku mund të ktheheshin të dëbuarit.

* * *

Me një makinë me karoceri, të marrë hua në Radio-Kukesi, iu bashkangjitem vargut të gjatë të makinave. Ishim nisur drejt Prizrenit. Nga karoceria e makinës të shfaqeshin fshatra pa qënie njerëzore, shtëpi të ndërtuara me shije, por pa jetë, bare, restorante të shkatërruara dhe me xhama të thyera, gropa maramëndëse që të bënin të kuptoje çdo të thotë bombardim.

Rruga e drejtë që bashkon Qafën e Morinit me Prizrenin, popullohej nga serbë. Në Qafë të Morinit, në pikën kufitare, pak minuta më pare ushtarët serbë kishin zbritur nga një kodër e butë, me kokë dhe sy të ulur dhe kishin hipur në makina nën breshëri thirrjesh dhe sharjesh. 

Pak momente më parë i kisha parë sy ulur.

Tani në makina ushtarake apo ulur buzë rrugës qesëndisës, por dhe tmerrësisht të egërsuar me sharje dhe me tre gishta të nderura fort për lart prisnin tërheqjen.

Para nesh në një makinë të blinduar të CNN, operatori veshur me antiplumb xhironte tërheqjen e detyruar të këtyre ushtarëve, të cilet deri disa orë më parë kishin kryer shpërvjeljen e njerëzve që quhen shqiptarë.

Karroceria e makinës tundej lehtë, ndërsa shoferi i mërmeriste nëpër dhëmbë fjalë lutje për të mos na lënë në mes të rrugës, - se ajo po të shuhej nuk ndizej më, - aty ku ushtarët serbë skërmisnin fjalë të pështirosura bashkuar me pështymë.

Në fakt, ata asnjëherë nuk e kuptuan që nga ajo karoceri e rraskapitur nga gropat e Shqiperise, xhironte edhe një kamera shqiptare, qe nuk ishte e vendeve te NATO-s, me shtete me të cilët sërbët ishin  detyruar të nënshkruanin një marrëveshje.

Prizreni mes çoroditjes se sërbeve dhe dislokimit të gjermanëve

Kufiri i urrejtjes, çoroditjes, pasivitetit i qesëndisë dhe i makinave të ndalura, u fshi, kur në një shesh të hapur të Prizrenit njerezit e tulatur nga tre muaj terror kishin dalë për të pritur ushtarët gjermane ...

Shumë vite më parë, ata, gjermanet, kishin ikur nga kjo tokë të kapitulluar nga një Luftë, e cila kish nisur nga një pretekst qesharak, por që kishte kerkuar mandej shumë gjak, të vrarë, shkatërrim.

Tani ajo kohë dukej e harruar nën këtë peisazh të nxehte me njerëzit që djersijnë jo nga dielli.

Trupat gjermane hynë këtu në zgribe të konceptimit të një preteksti, i cili për pak mund të sillte një Luftë të tretë në botë në fund të një shekulli kur armët dhe raketat arritën sofistikim dhe shumëllojsheri. Thirrje, lot, gëzim, tragjedi dhe dhimbje, frikë, fitore. Njerëz të lënguar në trup dhe në shpirt kishin forcë të jetonin dhe të fillonin një jetë të re, tani, siç thoshin ata, "pa serbë".

Shishe të mbushura me ujë, gure të të gjitha madhësive sharje dhe urrejtje fluturuan atë mesdite me ajer të lagësht në Prizren kundër autokolonës serbe, e cila tërhiqej nëpër rrugën e Lagjes Tabane rrethuar nga tanke të mëdha mbushur me ushtarë gjermane. Ushtarët serbe, të cilëve instikti i goditjes i ulte kokën, kokëroshe trima të cilët nga xhamat e makinave nxirrnin pistoleta për të qëlluar, por pa qëlluar, fytyra të zgërdhira nën euforinë e shqiptarëve të lënduar që nuk dinin se ku i kishin njerëzit e tyre, të vrare apo të gjallë.

Në shesh njerëzit për herë të parë mbas shumë muajsh gëzonin lirinë e dhunuar. Ishin fshehur në bodrume, nuk kishin guxuar të dilnin nga shtepia, çikat i kishin mbajtur të fshehura...

Lagja Tusuz atje lart në kodër është masakruar në njerez dhe në shtepi ndërsa tani serbët në grahmat e tyre të fundit kërkojnë të marrin gjak, te plaçkisin,të vjedhin.

Prizreni ky qytet me vlera në historinë e Lëvizjes Kombëtare u bë kryeqendra e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që u themelua në 10 qershor të vitit 1878 dhe po këtu në Prizren e pati edhe seline qeveria e përkohshme shqiptare ne vitin 1881, e kryesuar nga Ymer Prizreni.

Një tank me ushtarë gjermanë kishte bllokuar rrugën që të ngjit lart për në qytet. Matanë kishte ende serbë, atje ku ndodhet shtëpia e rrënuar e Lidhjes shqiptare të Prizrenit, e para organizate politiko-ushtarake mbareshqiptare kishte ende urrejtje, ndaj njerezit tuteshin të kalonin atë tank, i cili për ta ishte shumë mbeshtetje në keto orë dreke kur një ushtar serb qëlloi befasisht pa drejtim me nje bresheri automatiku.

Nga veriu i qytetit atë ditë hynë shumë tanke dhe makineri e rëndë. Mbi to me gërma të mëdha ishte shkruar KFOR. Në to ushtarë simpatike gjermane prisnin lule nga prizrenasit teksa i përshendesin lehtë me dorë dhe sy të palëvizur.

* * *

Nuk po dinim si të linim Prizrenin në atë ndarje dite. Nga euforia e njerëzve në diten që ata e quanin më të lumturën dhe me historiken në vuajtjen e tyre , papritur e ndjeme përsëri veten në atë kahun tjeter të kësaj dite: në urrejtje.

Mbas çoroditjes së parë dhe fillimit të tërheqjes, sërbeve iu morri përseri aratinë shpirti i tyre...

Shumë civile kishin parkuar makinat e tyre pa targa buzë rrugëve në periferi të qytetit gati për ikje, ndërkohe që shumë prej tyre, teksa kërkonim një dalje të sigurtë nga qyteti na përshëndesnin me tyta armësh dhe pistoletash. Në një konferencë shtypi një gjeneral gjerman tha , "kthimi është vetëm i juaji dhe rrezik i profesionit tuaj". "Sërbët kanë zënë daljet e qytetit dhe kontrollojnë të gjitha pasaportat..."     

Një gazetar i televizionit italian "Canale 5" mori përsipër te na nxjerre nga ky qark, i cili niste në një dalje të qytetit plot me ushtarë serbë dhe përfundonte në një dalje tjetër, ku civilë serbë të armatosur kontrollin pasoshat.

Gazetarë apo shqiptarë..., Shqiptarë apo gazetarë..., e ç'rëndësi kishte. Në fund të fundit për herë të parë kishim shkelur tokën e Kosovës.

Kur mbërritëm në Qafën e Morinit ishte ngrysur. Në postën e kufirit, të cilën serbët e kishim lënë në mëngjesin e 13 të muajit qershor '99, ushtarë të UÇK-së kontrollonin dhe vëzhgonin pasagjerët e paktë që i drejtoheshin Kukësit.