1919, kur trupi i Ismail Qemalit kthehej nga Peruxha në Vlorën e pushtuar nga italianët - Shqiptari i Italisë

Histori

Nga Frederik Stamati dhe Ariola Prifti

Më datë 2 dhjetor 2011 u zbulua në fondin etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali! Është një ngjarje që nuk mund të komentohet! Vetëm heshtja shpreh nderimin më madhështor për gjithshka…

Ismail Qemali vdiq në Peruxhia, në hotelin “Brufani” me 26 janar të vitit 1919, (bazuar në Fjalorin enciklopedik shqiptar). Në darkën e 10 shkurtit 1919 luftanija italiane “Alpino” solli në Skelë të Vlorës arkivolin me trupin e pa jetë  të njeriut të madh.

Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian. U vendos që Ismail Qemali të varrosej në Kaninë, në varrezën familiare të familjes Vlora, me që në   qytet nuk kishte mundësi urbanistike. Komanda italiane, që i a kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli, patriotizmi i të cilit mbushte  grykën e pushkës. Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar. Dhe ashtu  u bë.

Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë. Në se flamuri është një simbol kombëtar, atëhere i gjithë kombi u nder mbi njeriun që e ngriti kombin në përjetësi. Ishte një prekje, një përkëdhelje, një shtrëngim në gjoks, jo, më tepër, në shpirt. Këtë  flamur ia kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars të vitit 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë. Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Et’hem Bej Vlora.

Ceremonia e varrimit u bë me 12 shkurt 1919. Ishte e mërkurë. U mbajtën dy fjalime mbresëlënëse  nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi. Mbas heshtjes u ekzekutua hymni mbretëror italian. Pastaj kortezhi i gjatë u nis për në Kaninë. Ishte ora dhjetë. Karroca ku ndodhej arkivoli tërhiqej nga gjashtë kuaj. Anash ecnin me ngadalë dy rreshta  ushtarësh. Banda ushtarake ekzekutonte melodinë e përmortshme “Jone” të kompozitorit italian Petrella.

Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga “Djelmoshat e Vlorës”, të shoqërisë me po këtë emër.  Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria “Djelmoshat e Vlorës” dhe nga gazeta “Kuvendi”. Mbas këtyre vinte “Shoqëria djaloshare”. Pastaj ecte banda ushtarake qe luante marshin funebër. Mbas bandës ushtarake ishin ushtarët e regjimentit 86 dhe reparti i mitralierëve italianë. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh. Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre të tre djemt e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritet ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë.

Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, të cilin flamur e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në “Sheshin e Flamurit” me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Et’hem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar.

Në Arkivin e Shtetit ruhen disa dokumente që vërtetojnë ngjarjen. Po i paraqesim:
Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.
“MBRETNIJA SHQIPTQRE
PREFEKTURA MBRETNORE
VLONЁ
Nr. 172
Vlonë me 21. Kallnuer. 1933
P.T.
Ministris Aresimit
Tirane
Kétu ngjitun kemi nderin me Ju paraqite process-verbalin e mbajtun me rastin e marrjes né dorézim té Flamurit qé ashte ngritun pér té parén here né Vlone, prej Patriotit Ismail Qemalit.
Gjith ashtu né pako te ve
ҫnté dhe po me kété shkresé dérgohet edhe Flamuri né fjalé.
Shtojme se me gjithqe Z. Etéhem Vlora pretendon se ky Flamur ashte ngritur pér té parén here né ndértesén Qeveritare me doren Atit tij, por nga sa kemi hetue ky Flamur ashte ngritur me té vértet mem 28 Nanduer 1912, por jo né ndértesén Qeveritare, por né Zyren e doganave né Vlone.
Lutemi me na njoftue marrjen né dorézim.
Prefekti
A.  Nepravishta”
Shkruar me dorë:
“T’i dërgohet ky
flamur Bibliotekës”
Nën këtë shënim, është një tjetër, që konfirmon marrjen e flamurit në dorëzim:
“asht këtu në bibliotekën t’onë”
(firma)
28/10/33
Vijojnë disa vula dhe firma dhe në fund:
“Marrë në dorëzim me 29-X-933”.

Po paraqesim edhe proces-verbalin shoqërues:
“PROCES-VERBAL
Sot mé 28 Nanduer 1932, ditén e Héné, me rrastin e transferimit té eshtravet té shénjtorit té Kombit té ndjerit Ismail Qemalit nga Kanina né Pemendoren kujtimore té ngrehun prej N.M. Tij Mbretit dhe né pranie té Pérfaqesuesit té N.M.Tij Mbretit Shkelqésis sé tij Gjeneral Leon De Gjilardi dhe té shkelqesave té tyne Z.Z. Hil Mosi, Ministér i Arésimit, Milto Tutulani, Ministér i Drejtésis dhe té Prefektit té Vlonés Z. Abedin Nepravishta, Zoti Ethem Bej Vlora, i biri  i té ndjerit Ismail Qemal pér kujtim Kombétar i dorézoj Prefektit té Vlonés Flamurin Kombétar té cilin mé 28 Nanduer 1912 ati i tij Eroj i Kombit i ndjeri Ismail Qemal e ngriti né qytetin e Vlonés tue prokllamuar indinpendencén e Shqipnisé pas shumé shekujsh rrobnije.
Kété Flamur té shenjté Prefekti i Vlonés ja dorézoj Ministrit té Arésimit Shk. tij Z. Hil Mosi pér t’a dépozituar né Muzeun Kombétar né Tirané.
Pér sa ma nalté u redaktua ky Proces-Verbal i mbajtun né katér kopje dhe i nénéshkruem prej té gjithéve qe pérménden ma sipér.
Ministri i Arésimit               Ministri  i Drejtésis               Pérfaqesuesi i N.M.Tij
Hil Mosi                           Milto Tutulani                             Mbretit
Gjeneral Leon De. Gilardidrejt

I biri i té djerit                                    Prefekti i Vlonés
Ismail Qemal                                       A. Nepravishta
Etem Vlora”        

Nga shkresa e mëposhtme, e firmosur nga vetë ministri i arsimit Mirash Ivanaj, vërtetohet se flamuri i u dorëzua Muzeut Kombëtar. E citojmë:
Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.
“ MINISTRI E ARSIMIT
Nr. Prot. 1208. Dërgohet Flamuri Komtar i ngrehun për herë të parë në Vlonë.
Drejtoris së Muzeut Komtar, Tiranë
Këtu ngjitun i dërgojmë asajë Drejtorije kopjen e process-verbalit të mbajtun me 28 Nanduer 1932 mbi flamurin komtar qi asht ngreh për herë të parë nga i ndjeri Ismail Qemali në Vlonë.
Për njiherit me këto shkresa ju dërgojmë dhe kët flamur historik për t’a ruejtun me kujdes në muzeun komtar.
Ministr’i Arsimit
Mirash Ivanaj (firma)
Nisur me 6/XI/1933”

Kështu, në bazë të këtij dokumenti, Shqipëria u bë me flamur kombëtar. Por kjo nuk ishte e vërtetë. E vërtetojnë mohimet që i u bënë faktit të servirur nga dëshmitarët e atyre ngjarjeve, që detyruan autoritetet e kohës të bënin verifikime të shumta, për të sqaruar të vërtetën. Mirëpo patriotizmi vulosi mendimin. Për shumë kohë u besua se flamuri i pavarësisë ndodhej i ruajtur në Muzeun Kombëtar. U desh kohë që ngatarresa të shpështillej, por kjo është
ҫështje që nuk lidhet me këtë shkrim, aq më tepër që është sqaruar.
Vijojmë të paraqesim dokumente të tjerë që shkojnë më pranë të vërtetës.
“M.A.
Nri 402/749
Flamuri i Vlorësë

Mënistërijës’ së Arësimitë
Q y t e t
Bashkë me shkresën’ Nri 1208 të së 6s’ së këtij muaji, të shoqëruarë me verbalin’ e endur’në Vlorë më 28 të Vjeshtës’ së Tretë 1932. Muarëm’ në dorëim:
Flamurin’ kombëtar që shtolli në Vlorë vetë Ismail Qemal Vlora, mbë 28 të Vjeshtës së Tretë 1912.
Ky flamur zu vëndin’ në rjeshtën’ e kujtimevet’ t’ tjerë, me vlejë të jëstorijëtë, që ruhen’ në Tiranë,  9 Vjesht’ e Tretë 1933
Drejtori
(Firma dhe vula )
Ngjitur’ pas kësaj’ dorë-dëftesa
e jonë Nri C. 208”
Dokumenti: AQSH, Fondi 195, viti 1936, dosja 62.

“Flamuri i Vlorësë
Për punën, e flamurit’ kombëtar që valoj në Vlorë për here të pare ditën’ e të lë
ҫiturit’ të Shqipërijsë mbë krye të vehtë, Zoti Et-hem Bej Vlora, bir i të ndjerit Iamail Qemal Bej Vlora,pati mirësijën’ të shtronjë këta kujtime:
flamuri upat nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora. (Shënim nga F.Stamati: fjalët, “nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora”, janë të shuara me një vijë përsipër).
Pëlhura e flamurit’ qe e leshtë dhe shkaba e shtampuarë; nuk’ mban mënt të ketë pasur,’ theka o kravatë.
Të madhët’ të tijë, gjer sa mund të caktohet’ me të maturë syri, munt të qe afëro 0 m. 80 për së gjati, dhe 0 m. 50 për së gjëri.
Sa për fundin ‘ e këtij, flamuri Zoti Et-hem Bej Vlora ësht’ i mejtimit’ se flamuri nuk’ ka qënë shdukurë, po se ndodhet’ i ruajturë në Shqipërijë, ndër duar’ që do të kujtohen’ ndofta  ndonjë  ditë t’i a falin’ Muzejës’ Kombëtare.
Tiranë, 10 shkurt 1936”
Më poshtë, në të majtë, është vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, si dhe firma, ndërsa në të djathtë, firma e Ethem Bej Vlorës. Poshtë ka një shënim:
Zoti Et-hem Bej Vlora ndreqi me dorën’ e vehtë:
“nga shtëpija e Zotit’ Xhemil Bej Vlora”.
Ёshtë me interes edhe një dokument tjetër:
Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1936, dosja 62. Po e citojmë:
“Flamuri i Doganës’ së Vlorësë.
Me shkresën’ e Mënistërijës’ së Arësimitë Nri 1208 të së 6s’ së Vjeshtës’ së Tretë 1933, i udorëzua Muzejës’ Kombëtare një flamur i trajtuarë prej dy fijesh pëlhure të leshtë, 1 m. 45 i gjatë dhe 0 m. 95 i gjërë, me shkabën’, me dy krerë dhe me krahë të shtallurë mbë të përpjetë, pa theka dhe pa kravatë.
Pas shkresës’ që i përsillte Muzejës’ Kombëare këtë flamurë, janë mpështeturë:
një verbal me ditë  28 të Vjeshtës ‘ së Tretë 1932, në të cilin’ kan’  vënë duarëtë:
Përfaqësi I L. Madhërijës’ së Tijë Mbëretitë, Gjeneral Leon de Ghilardi,
Ministri i Arësimitë, Hil Mosi,
Ministri i Drejtësijësë, Milto Tutulani,
Zoti Et-hem bej Vlora, përfaqësi i Fëmijës’ së të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë, Prefekti i Vlorësë, A. Nepravishta.
Në këtë verbal është shënuarë se flamuri i dhuruarë  Muzejës’ Kombëtare është muu ay  që pati ngriturë në Vlorë me dorën’ e vehtë i ndjeri Ismail Qemal Beu, të 28në të Vjeshtës’ së tretë 1912.
një shkresë e Prefekturës’ së Vlorësë, Nri 172 me ditë 21 Jenar 1933, në të cilën’, ndër t’ jera, është shënuarë se si pas kërkim’ e hetimeve të bërë nga Prefektura e Vlorësë, ky flamur nuk ‘ ka qënë ngritur’ kurrë mbi ndërtesën’ qëverritare as ditën’ që ulë
ҫit të krye-mbë-vehtët’ të Shqipërijésë asmëë  pas, po ka valuarë vetëmë për një kohë të gjatë mbi godinën’ e Doganës’ së detitë  të Vlorësë.
Për të kthillurë këtë pikë ukërkuanë hollësija nga Zoti Et-hem Bej Vlora, i cili pati mirësijën’ të apinj’ këta shënime:
flamurin’ që  i udorëzua Muzejës’ Kombëtare, i a fali të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë Duku i Monpansierit’, kur pat’ ardhurë në Vlorë, nga Marsi i vitit’ 1913.
qëverrija e Shqipërijësë e përdori për Doganën’ e Vlorësë, mbi ndërtesën’ e së cilësë valoj gjer ditën’ që Ismail Qemal Beu hoqi dorë nga Kryesija e Qëverrijësë.
mbë t’ ularguarë nga Vlora  Ismail Qemal Beu, kërkoj të ketë si kujtim një nga flamuret’ të Qëverrijësë; usgjoth ky flamur dhe i udorëua Zotit’ Et-hem Bej Vlora, i cili e pati me vehte gjatë kohës’ që bashkë me t’ anë undodhën’ ndëpër Evropë.
ditën’ që i ndjeri Ismail Qemal Vlora ndërroj jetë në Perugia të Italijësë (25 Jenar 1919) Zoti Et-hem Bej Vlora mbuloj trupin’ e t’et me këtë flamur.
kur upru i vdekuri në Vlorë dhe uvendos në sallën’ e fllugërijës’ së përmortëshme, që pati navaturë Kumanda e Ushtërijës’ Italjane, prapë ky flamur under mbi arqivolin’ e të vdekuritë.
gjatë përsjellës’ së trupitë nga Vlora në Kaninë, arqivoli qe mbuluarë me po këtë flamur.
edhe ditën’ që eshtërat’ të të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë umbartën’ nga Kanina në Vlorë, për t’ ukallurë në varrin’-monoment, që ngrehu Qëverrija Mbëretërore e Shqipërijësë, ky flamur qe nderur’ mbi arqivolin’ edhe gjatë rrugësë edhe gjer sa  mori funt shërbesa e të kalluritë, pas së cilësë Zoti Et-hem Bej Vlora u a dorëzoj  Përfaqësvet’ të Qëverrijësë Mbëretërore, si kujtim për t’ uruajtur’ në Muzejën’ Kombëtare.
Tiranë, 10 Shkurt 1936”
Më poshtë, majtas,  është firma dhe vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, ndërsa djathtas firma e Et-hem Bej Vlorës.

* * * * *

Në vitin 1946 materialet e Muzeut Kombëtar i kaluan Institutit të Shkencave. Në vitin 1957, kur u krijua Universiteti i Tiranës, mori jetë edhe Instituti i histori-gjuhësisë, i cili pati në vartësi të vet edhe Muzeun arkeologjik-etnografik, si edhe fondin etnografik. Në këtë fond kaluan edhe flamujt, që ndodheshin dikur në Bibliotekën dhe  Muzeun Kombëtar. Mirëpo nuk pati asnjë dokument për historinë e tyre. Kështu, ata mbetën enigmë. Edhe i ndjeri Rrok Zojsi, themeluesi dhe shefi i etnografisë dhe i fondit etnografik, e kishte me të dëgjuar se dikush i kishte dorëzuar flamujt pa dhënë ndonjë sqarim për ta, duke thënë: merrini dhe ruajini edhe këta! Punonjësja më e vjetër e fondi etnografik Znj. Pandora Plaku, kujton edhe në ditët e sotme porosinë e Rrok Zojsit për kujdesin ndaj këtyre flamujve dhe punën që ka bërë ajo me kolegët e saj për t’i mbrojtur këta flamuj nga infeksionet e insekteve dhe nga dëmtime të tjera.

Ishin tetëmbëdhjetë. Puna për identifikimin e tyre filloi dhjetë vjet më parë. Me 2 dhjetor 2011 i erdhi radha këtij. Se si ndodhi mund ta tregojmë ndonjë herë tjetër.

Flamuri është i plotë, por ka dëmtime të shumta. Ngjyra e kuqe është zbehur nga veprimi i diellit. Duket të jetë pis. Duhet restauruar. Do të jetë një punë jo e lehtë në gjendjen që është ai!

Pavarësisht nga të dhënat e grumbulluara deri më sot, rëndësia e këtij flamuri dikton domosdoshmërinë e studimeve gjithnjë edhe më të gjera për të ndriçuar maksimalisht këtë simbol kombëtar.

Edhe disa ditë dhe ky flamur do të ekspozohet përkohësisht në mjediset e Qendrës së Studimeve Albanologjike për të kujtuar përvjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit.