Album kushtuar Ismail Qemalit nga historiani Kristo Frashëri - Shqiptari i Italisë

Histori
Autori ka përmbledhur në libër 97 fotografi, 6 gravura dhe 7 fotokopje, duke filluar që nga Akti i Pavarësisë, që pasqyrojnë veprimtarinë politike dhe shoqërore të burrit që vuri gurin e parë në themelin e shtetit të pavarur shqiptar

Tiranë, 19 prill 2012 – Historiani Kristo Frashëri ka sjellë në 100-vjetorin e Pavarësisë një album kushtuar burrit që vuri gurin e parë në themelin e shtetit të pavarur shqiptar, Ismail Qemali.

Autori ka përmbledhur në libër 97 fotografi, 6 gravura dhe 7 fotokopje, duke filluar që nga Akti i Pavarësisë, i shkruar në shqip nga Luigj Gurakuqi, të cilat pasqyrojnë veprimtarinë politike dhe shoqërore të Ismail Qemalit. Bashkangjitur me albumin është edhe një CD me 18 këngë kushtuar Ismail Qemalit, si dhe Himni i Flamurit. Kristo Frashëri ka zgjedhur që në këtë album, ta lërë të flasë vetë Ismail Qemalin, përmes kujtimeve që ai ka shkruar e që janë vendosur poshtë çdo fotografie për ta shpjeguar atë.

Albumi “Ismail Qemali” u promovua paraditen e 18 prillit në Akademinë e Shkencave, si një nga botimet e 100-vjetorit të Pavarësisë. Nënkryetari i Akademisë së Shkencave, Muzafer Korkuti vlerësoi dy veçori të albumit të Akademikut Kristo Frashëri. Së pari parathënia e këtij të fundit e ribotuar e plotë, pa ndryshime, pas botimit në 50-vjetorin e Pavarësisë, 1962, që sipas Korkutit dëshmon vlerësimin objektiv të figurës së Ismail Qemalit dhe së dyti, tekstet që shoqërojnë fotografitë që nuk janë thjesht didaskali.

“Ky album vlen sepse në të është botuar Akti i Pavarësisë si dhe korigjohen gabime që u bënë në diktaturë për arsye politike. Albumi është një kontribut i ri, për ta njohur më mirë jetën dhe veprën e Ismail Qemalit, sepse figura e tij meriton të njihet, sidomos nga brezi i ri”, tha Korkuti.

Libri përmban një fotokopje të Konferencës së Patriotëve Shqiptarë të Bukureshtit, një fotografi të Vlorës ditën e shpalljes së Pavarësisë, proces-verbalin e mbledhjes së parë të Kuvendit të Vlorës, Flamurin që u ngrit në 28 nëntor 1912, njoftimin e vdekjes së Ismail Qemalit në gazetën lokale të Perugias, “L’Unione Liberale” në 27 janar 1919, ceremoninë e sjelljes së eshtrave të Qemalit dhe varrimi në Kaninë, rivarrimi në Vlorë në vitin 1932, etj.

Promovimi i këtij libri, shënon çeljen e aktiviteteve kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, të cilat ende nuk janë përcaktuar për mungesë fondesh. Sipas Korkutit, Akademia e Shkencave nuk ka marrë ende një përgjigje nga Komisioni Shtetëror i Festimeve për mjetet financiare për këtë 100-vjetor, ndërkohë që ajo ka gati për botim veprat si, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, “Shteti i Pavarur Shqiptar”, “Populli i Kosovës 1951-1912”, të cilat Akademia e Shkencave të Shqipërisë nuk ka mundësi t’i botojë. “Është absurde që shteti financon për festimet e 100-vjetorit ‘Vatrën’ me 30 milionë lekë, ndërkohë që ‘Vatra’ ka mundësi të na financojë ne për botime”, tha nënkryetari i Akademisë së Shkencave.