BRENGA IME SHQIPTARE – Dokumentet e Procesit të Vlorës 1945 - Shqiptari i Italisë

Histori
Ky libër me autor Aldo Renato Terrusi, rrëfen udhëtimin e tij dhe të dajës, Xhakomo, të cilët kthehen në Shqipëri pas dyzet e katër vjetësh. Aldo ishte ende fëmijë kur regjimi i Enver Hoxhës i burgosi të atin në famëkeqin burg të Burrelit, ku dhe vdiq pa i dhënë as lamtumirën e fundit të birit dhe të shoqes. Dëshira e Aldos është të kthejë në atdhe eshtrat e të atit, dëshirë që ndërkëmbehet pikëllueshëm me të kaluarën e dhimbshme të familjes Terruzi në Shqipëri dhe të një kombi që edhe sot e kësaj dite ka në lëkurë shenjat e pashlyeshme të diktaturës. Nëpërmjet kujtimeve të familjes, dëshmive, fotografive të kohës dhe dokumenteve origjinale të procesit të të atit në vitin 1945, ripërshkohen ngjarje dramatike të faqeve historike më të zymta të Vendit të Shqiponjave. Me dëshirë të autorit dhe lejen e botuesit, po botojmë pjesë pjesë, të gjithë librin.

Pjesa e dytë

Lexo më parë gjithë pjesën e parë:
Brenga ime shqiptare - Rikthimi
Dajti
Shoku i vjetër
Aurelia dhe Xhuzepe
Shtëpia e Xhavitit
Rrugës për në Vlorë

Takimi me Petritin

Kokoshi në hotel Dajti
Komiteti Olimpik
Burgu i Burrelit

Dokumentet e Procesit të Vlorës 1945

Qelia në burgun e Burrelit ku ishte mbajtur Giuseppe TerrusiEmisioni televiziv mbi prezantimin zyrtar të librit në zyrat e Shtypit të Romës, transmetuar nga kanali televiziv Top Channel në 24 qershor 2011, shkaktoi në Shqipëri një kureshtje dhe interes të madh. Nga ai çast, në adresën time në facebook, filluan të vijnë shumë ftesa për miqësi nga shqiptarë dhe nga arbëreshë, të cilat i pranova me kënaqësi. E njëjta gjë ndodhi edhe nëpërmjet postës elektronike, me mesazhe përgëzimesh dhe urimesh.
Një italian kishte shkruar dhe hapur një dritare mbi atë që vetë shqiptarët e kishin shpërfillur apo harruar në kohë!
Në valën e entuziazmit, i kërkova ambasadorit të Shqipërisë në Romë nëse do të kishte mundësi të kërkonim e të gjenim dokumentet e procesit të tim eti, që ishte zhvilluar në Vlorë, në vitin e largët 1945.
Ambasadori Llesh Kola, shumë i ndjeshëm ndaj kësaj teme, më siguroi se do të interesohej personalisht dhe do të kërkonte informacion pranë institucioneve shqiptare.
Disa ditë më pas, për fat të keq, më erdhi një përgjigje negative, sa e thatë, aq edhe formale:
“Referuar kërkesës suaj drejtuar Ambasadorit të Shqipërisë në lidhje me eshtrat e të ndjerit babait tuaj në një nga burgjet e Shqipërisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka kthyer përgjjigje se pranë Arkivit të Ministrisë së Brendshme dhe të Burgut të Burrelit nuk rezultojnë të dhëna mbi vdekjen apo varrosjen e qytetarit italian Xhuzepe Terruzi”.
Po si kështu!? Dëshmitë e shokëve të qelisë së Xhuzepes, të intervistuar nga unë, Engjëll Kokoshi dhe Petrit Velaj, thoshin pikërisht të kundërtën: Xhuzepe ishte varrosur në kampin e brendshëm të burgut; u dorëzova dhe rrjedhimisht, e falenderova për letrën dhe ndërhyrjen e sjellshme ambasadorin.
Thuajse në të njëjtën kohë, si për habinë time më të madhe, me erdhi një email nga Vendi i Shqiponjave.
“Jam Gëzim Peshkëpia, shoku yt i fëmijërisë mes viteve 1947 dhe 1949, familja jote ka banuar për disa muaj në shtëpinë time në Tiranë. Jam anëtar i Institutit për Studimet e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK), do t’i kërkojmë ne dokumentat e babait tënd”.
Mesazh i pabesueshëm! S’më besohej.
Brenda dy ditësh kalova nga pikëllimi i mesazhit të parë, të ftohtë dhe burokratik, në ngazëllimin e mesazhit të dytë, miqësor dhe njerëzor.
Me sa dukej, dikush në Shqipëri e kishte parë kronikën televizive, të transmetuar nga Top Channel dhe, pas kaq shumë vitesh, kujtohej për qëndrimin e familjes sonë në shtëpinë e tij!
Më zuri pështjellimi, por edhe kisha besim, sepse ndërkohë komunikimi më Gëzimin vazhdonte dhe rrëfimet bëheshin përherë e më të besueshëm dhe konkretë. Por vërtetësinë e pohimeve të Gëzimit ma përforcoi një fjalë e vetme: “Alduccio”. Kështu më thërrisnin të afërmit kur isha i vogël, emër i cili motrës së Gëzimit i kujtohej shumë mirë. Vetëm ata që kanë pasur lidhje të njëmendët me të afërmit e mi, mund ta dinin atë shkurtim emri.
S’kaloi shumë kohë dhe më erdhi një lajm i papritur dhe shumë i rëndësishëm.
Gëzimi më shkruante:
“Kemi gjetur dokumentet e procesit pranë Arkivit të Ministrisë së Brendshme! Janë 29 faqe në shqip dhe ka edhe një letër me shkrim dore në italisht e babait tënd, Xhuzepes! Jam i lumtur sepse dëshmitë në favor të babait tënd janë të gjitha shumë të mira. Sapo të jetë e mundur, do të t’i nis në Itali me një mikun tim”.
Ishte një lajm që me zor po e besoja dhe që më rrënqethte të tërin: pas më shumë se 60 vitesh, ekzistonin ende dokumentet e atij procesi të mnershëm!
E pabesueshme, por si datat, edhe rrethanat, ishin fare të qarta e të pangatërrueshme, dokumentacioni ekzistonte dhe ishte padyshim autentik, e vërteta historike po formulohej sërish!
Por ama, megjithë respektin për institucionet shqiptare, kishte diçka që nuk përkonte.
Si kishte mundësi që Ambasada Shqiptare, përmes rrugës kryesore të institucioneve qeverisëse, nuk i kishte marrë dot dokumentat, ndërkohë që Instituti ku bënte pjesë gëzimi, ia kishte arritur qëllimit?
Po arrija të kuptoja se instancat qeverisëse shqiptare kishin vështirësi në përftimin e disa dokumenteve të këtij lloji: o për arsye se dokumentacioni nuk është katalogizuar siç duhej, ose sepse nuk duhej nxjerrë. Fakti është se faqet që i përkasin procesit të Xhuzepes ekzistojnë dhe janë gjendur!
Ngjarjet që ndodhën gjatë një kohe të trazuar, të dominuar nga një diktaturë e egër, djegin akoma në duart e politikanëve dhe rrjedhimisht, është e vështirë për ta që të mirëpozicionohen qartazi.
Me gjasë, është e vërtetë se në Shqipëri po përpiqen të rindërtojnë lodhshëm të vërtetën historike, por po kaq e vërtetë është edhe se dhimbja shkaktuar familjeve shqiptare dhe jo vetëm atyre, nga një regjim i pamëshirshëm dhe mizor, zbulon plagë ende të pamalcuara mirë.
Hyrja e lirë në dokumentet e ruajtura në Arkivin e Shtetit dhe përhapja e tyre mund të sillte një paqëndrueshmëri të njëmendët politike dhe shoqërore.
Nëse i shtojmë kësaj edhe faktin se disa ligje, aktualisht në fuqi, parashikojnë dëmshpërblim për mijëra persona që vuajtën nën diktaturën e Enver Hoxhës, kuptohet qartë edhe shqetësimi dhe kujdesi i qeveritarëve.
Qeveria shqiptare, për të mos rënë në kurthin e hakmarrjeve me konflikt, që do të përfshinin rëndshëm edhe elementë të po këtyre institucioneve, dekretoi si “të pafajshëm” të gjithë ata që kishin pasur të bënin me drejtësinë nga pikëpamja politike. Përveç kësaj, ata që kishin mundur të vërtetonin se kishin pësuar dëme nga diktatura komuniste mund të kërkonin dëmshpërblim.
Nëse do të kishte “skeletë”, këta nuk do të gjendeshin me siguri në “dollapët” e qeveritarëve aktualë, shumë prej të cilëve janë ende të lidhur, në një mënyrë apo në një tjetër, me regjimin e shkuar. Kontrastet e hidhura, të shprehur në Parlamentin shqiptar, e dëshmojnë këtë më së miri, po kështu sa dhe burokracia e paaftë dhe e padenjë.
Nuk kaluan shumë ditë dhe mora një telefonatë: “Jam Ingri Bego, shok i Gëzimit, kam ardhur në Romë dhe të kam sjellë dokumentet e gjyqit të babait tënd”.
Jam i lumtur dhe shumë i emocionuar, dua ta takoj Ingrin sa më parë të jetë e mundur. E pyes se kur mund të takohemi. Më thotë: “Eja kur të duash, unë këtu do të jem”. “Atëherë mund të takohemi nesër, në rregull?” “Po, do të të pres …”. Më dha adresën.
U takuam në një lokal afër shtëpisë së tij. Ingri ishte ulur, i zhytur në një shtëllungë tymi të cigareve të tij. Shikimet na kryqëzohen, po, ne jemi. Më fton të ulem. Në shpuzore, një mal me bishta cigaresh fikur. Duke e nuhatur pështjellimin tim për cigaret, më tha: “Mos u bëj merak për cigaret, jam mësuar, po lëviz që mos të vijë tymi andej nga ty”. Ndihmojmë njëri-tjetrin në mënyrë miqësore. Ingri është një burrë babaxhan dhe i bëshëm, por shumë simpatik dhe rinor, flet mirë italisht, madje më thotë se banon prej vitesh në Romë bashkë me të shoqen dhe dy fëmijët, një djalë e një vajzë. Ka një shtëpi të vetën, është inxhinier në pension dhe rron më së miri. Jeta e tij rrjedh qetë, me udhëtime të vazhdueshme mes Romës dhe Tiranës, ku ka dhe një apartament. Më tregon që e shoqja është e sëmurë dhe ka nevojë për trajtime që bëhen sa në shtëpi, dhe në spital. Më trishtoi shumë kjo gjë. Më pyet se me çfarë merrem tani. I them që jam në pension, njësoj si ai. Më pyet kur e qysh u kthyem në Itali. I jap botimin e parë të librit tim “Brenga ime shqiptare”, duke i shkruar dhe një dedikim, ndëkrohë që i them se kam lindur në Vlorë, tre muaj para se im atë të burgosej pa faj, pastaj u kthyem si refugjatë në Itali në 1949 ndërkohë që im atë vdiq në Burrel në vitin 1952, ndaj dhe në libër është dhe ditari i aventurave tona.
Papritur, Ingri merr pamje serioze dhe thotë: “Keni qëlluar me fat, sepse, pavarësisht vuajtjeve tuaja, arritët të ktheheshit në Itali, për ne që mbetëm në Shqipëri ishte një ferr i vërtetë, por do të kemi kohë të flasim. Një diktaturë që e mbyti popullin shqiptar nën morsën e terrorit dhe mizorisë.”
“Ingri, a s’më thua se si i gjeti dokumentet Gëzimi, ndërkohë që nga Ministria erdhi përgjigjja që nuk i kishin gjetur?”.
“Duhet ta dish se në Shqipëri shumë gjëra bëhen me mik, burokracia nuk e lejon të zgjidhen problemet. Një mikesha jonë, drejtoreshë e Arkivit të Shtetit në Tiranë, Nevila Nika, vuri dikë të kërkonte dokumentat dhe i gjeti, ndoshta mund të mos jenë të gjithë, por sigurisht që janë gjërat më të rëndësishme”.
Kur Ingri më dorëzoi zarfin me dokumentet (29 faqet e premtuara nga Gëzimi) më përshkuan emocione të forta, nuk arrija të mbaja në dorë ato fletë, sikur të më kishte dhënë një relikte, më shkuan mornica në trup.
Ingri më ndërmend se mes fletëve është edhe letra e tim eti në italisht, të cilën provova ta lexoja, por u preka shumë dhe u përlota, pa mundur ta çoja deri në fund. E falenderoj Ingrin dhe i kërkoj nëse mund të përkthente gjithë ato fletë, krejtësisht të pakuptueshme prej meje. Ingri m’u përgjigj se vajza e tij mund të ishte personi i duhur për detyrën e vështirë dhe me përgjegjësi, për shkak se kishte përkthyer edhe më parë nga shqipja në italisht. Do ta pyeste. Përshëndetemi me ngrohtësi, duke lënë një takim tjetër. Ia lë fletët Ingrit, të cilat do t’i nënshtrohen një rishikimi nga e bija para se ajo të merrte përsipër përkthimin. Në fakt, të gjitha fotokopjet që mbajnë vulën e Arkivit të Shtetit duken fletë shumë të vjetëruara nga koha dhe pa lidhje të dukshme mes tyre. Kaluan disa ditë dhe më në fund vjen një telefonatë nga vajza e Ingrit, e cila thotë se është në gjendje të përkthejë, por kjo punë ka vështirësi, për shkak të cilësisë së fletëve, gjë e cila do të kërkojë më shumë kohë, e cila duhej paguar. Nuk ka problem, e rëndësishme është që unë të lexoj në italisht këto fletë që janë shkaku i vdekjes së tim eti.
Koha kalon, përkthimi, sipas vajzës, e cila ishte zhytur në punë, del se është shumë i ndërlikuar, për shkak se “juristët” e asaj kohe, kanë shkruar në një shqipe arkaike dhe pa gramatikë. Përveç shtypit, të zbërdhylët e të zverdhur, është e vështirë për t’u deshifruar, lexuar dhe interpretuar.
Për këto arsye faqet e përkthyera, për të qenë sa më besnik ndaj origjinalit, do të përfshinin një italishte të përdorur në mënyrë jo korrekte dhe shpesh me tahmin.
Telefonoj disa herë për të marrë vesh mbi përkthimin. Më përgjigjet gjithmonë Ingri, duke më thënë se duhet të rri i qetë, sepse e bija po përkthen mirë dhe që, pasi kishte lexuar disa faqe, dëshmitë në ngarkim të tim eti janë pozitive. Më bëhet qejfi.
Më në fund, erdhi dhe dita e shumëpritur. Më merr në telefon vajza e Ingrit, për një takim në shtëpinë e të atit. Komentojmë shkurtimisht pjesën e përkthyer që padyshim është shumë interesante. Në fakt, bëhet fjalë për fletë të shkruara në kohë të ndryshme, sa herë që merrnin në pyetje ndonjë dëshmitar, disa syresh janë të firmosura dhe kanë edhe datën e dhënies së dëshmisë. Ndërsa të tjera, shumë të zbërdhylëta, nuk janë përkthyer dot.
Vajza e Ingrit ka takim dhe na kërkon falje, pasi nuk mund të rrijë dot më gjatë, por do të jetë në gatishmëri në rast shpjegimesh ose ndryshimesh të dokumentave të dorëzuar.
Mbeta me Ingrin dhe e fillojmë sërish diskutimin me fakte shqiptare nën diktaturën e Enver Hoxhës, në zhytur në atë renë e zakonshme të tymit të cigareve të bashkëbiseduesit tim. Unë nuk kam pirë kurrë duhan, por besoj se duhet të mësohem me “mjegullën” që e rrethon përherë mikun tim të ri.
“Do të më tregoje për atë kohë…”
“Patjetër… ti ke jetuar dhe jeton në Itali dhe nuk mund ta marrësh dot me mend monstruozitetin e atij regjimi gjakatar! Për shembull, marrim vajzat, ne as mund t’u hidhnim dot një vështrim! Nuk mund të ndaheshe dot mënjanë, e aq më pak ta puthje një grua në publik. Nuk bëheshin festa, ku mund të takoheshim, sjellja e tyre duhej të ishte e paqortueshme, përndryshe… rrezikonin të akuzoheshin dhe dënoheshin me riedukim dhe me punë të detyrueshme. Kur arrije të takoje ndonjë vajzë, rrezikoje burgun ose dhe më keq. Shpesh, familjet vendosnin për ne. Kontrolle të vazhdueshme, dyshimet dhe denoncimet ishin rregullat e një regjimi të dhunshëm. Gruaja e martuar ishte e nënshtruara e burrit, por vazhdonte të ishte edhe objekt i familjes nga vinte.
Atë liri që ju e keni shijuar në rini, ne as nuk dinim se çfarë ishte.
Pa dijeninë e familjeve ose fshehurazi nëpër bodrume dëgjonim transmetimin e radiove italiane dhe këndonim këngët tuaja ose lexonim libra të ndaluar nga regjimi, shumë prej të cilëve kishin mbetur në Shqipëri pas pushtimit... Komedia Hyjnore, vepra madhore e Dante Aligierit... të çonte drejt e në burg!
Kur doli televizori, i drejtuam antenat nga Italia, që ishte dritarja e vetme për në botën e lirë.
Po të zbuloheshim nga Sigurimi, na rrihnin, torturonin, si e si që të rrëfenim emrat e shokëve – përndryshe na rrasnin për muaj të tërë në burg, ndonjë e çonin në punë të detyruar dhe shpesh nuk e shihnim më.
Radio, televizioni, gazetat – të gjitha e njëjta gjë: jeta në Shqipëri ishte më e mira në botë!
“Po si ka mundësi që ndenjët për 50 vjet pa mundur të ngriheshit?”
“Kur e kuptuam mashtrimin që erdhi nëpërmjet një regjimi shkatërrues dhe të korruptuar, ishte shumë vonë dhe populli i shkalafitur e varfëruar nuk kishte më forcë të reagonte.”
“Ndoshta ke të drejtë, pavarësisht tragjedisë sime familjare, mund të them se kam qenë me fat që u ktheva në Itali në vitin 1949... por do të kemi kohë të flasim”.
u bë vonë, përshëndetemi përzemërsisht me dëshirën për t’u takuar prapë, të kujtonim një të kaluar të përbashkët nën diktaturën famëkeqe.

Qershia në burgun e Burrelit pranë të cilës është varrosur Giuseppe TerrusiMë në fund, i kam në dorë dokumentet origjinale të gjyqit që tronditi jetën e familjes sime.
Më vjen ideja të ndaj në kategori të gjitha faqet, duke u bazuar në datat e shtypura në disa fletë, që do të më lejonin të bëja një renditje kohore të fakteve për një rindërtim historik sa më të saktë.
Gjatë leximit dhe vënies në rregull të atyre letrave, zemërimi dhe mallëngjimi ishin dy ndjesitë që më bashkëshoqëronin dhe ndesheshin mesvedi, duke më shkaktuar një farë dhimbjeje të thellë nga e cila as tani nuk çlirohem dot.
Absurditeti i akuzave të shprehura nga Gjykata Ushtarake e Vlorës duket ashiqare, po ashtu sikundërse është i dukshëm fakti se gjyqi i rremë duhej të kishte vetëm një fund të shkruar tashmë: dënimin e Xhuzepes.
Gjyqi ndaj një qytetari italian, të njohur e të vlerësuar, drejtor i një banke të rëndësishme si ajo e Vlorës, për regjimin e ri të Hoxhës, që duhej të tregonte epërsinë e vet politike, ishte veçanërisht domethënës.
Një mundësi e artë që nomenklatura nuk mund ta linte t’i ikte duarsh.
Duhej ngritur dhe stisur një proces me të gjithë zbukurimet e legjitimitetit demokratik, me shumë gjykatës, dëshmitarë dhe avokatë mbrojtës. Zhvillimi i procesit duhej të dukej në sytë e njerëzve si një shembull i drejtësisë demokratike dhe popullore. Dënimi duhej të ishte i sigurtë dhe shembullor, s’kishte fort rëndësi a ishte apo jo i pafajshëm ditëziu. Në të vërtetë, ai gjyq as që mund të kishte diçka demokratike, sepse u mbajt me dyer të mbyllura, me deponime të firmosura nga dëshmitarë para një procesi ushtarak, pa asnjëfarë dyshimi të orientuar dhe të paapelueshëm, pa praninë e një avokati të palëve.

Besoj se është e rëndësishme bërja publike e të gjithë dokumenteve të procesit, për të treguar (nëse do të jetë ende e nevojshme) se si një regjim diktatorial, pavarësisht nga çfarëdolloj konvente humane, shoqërore dhe ligjore, ka pasur pushtet mbi jetën dhe vdekjen e nënshtetasve të vet.
Përveç kësaj, mendoj se është e dobishme të sjell, si shtojcë, dokumentacionin në origjinal shqip, ndërkohë që faqet e përkthyera në italisht shoqërohen edhe me komentet e mia, sepse nuk mund të hesht para gjithë insinuatave të trilluara dhe konkluzioneve që hedhin baltë ndaj babait tim Xhuzepes.

Gjermanët ishin përzënë nga Vlora në tetor të vitit 1944 dhe më në fund italianët dhe shqiptarët po merrnin frymë lirisht. Populli besonte se mund të fillonin edhe një herë jetën në paqe. Sigurisht që lufta kishte lënë një konflikt të irrituar, sidomos mes fraksioneve partizane dhe klaneve familjare, por edhe italianët që banonin aty shiheshin me dyshim dhe shpesh madje i përndiqnin.
Askush ama, nuk mund të dyshonte në raprezaljen e egër dhe të pamëshirshme, ushtruar njëtrajtshëm mbi italianë e shqiptarë, civilë e ushtarakë, nga një diktaturë komuniste që donte të impononte me përdhunë ligjin e saj.
Aluzione, nënkuptime, shpifje, keqdashje, ishin burimet mbi të cilat bazohej regjimi për të formuluar akuzat e veta më mjerane.
Për çdokënd nga “intelektualët” do të shpikej nga një motivim i veçantë që do të mund të përligjte dënimin!
Në prill të vitit 1945, im atë Xhuzepe u arrestua dhe u dënua në burgun e Vlorës, me akuzën se ishte një “fashist shumë i rrezikshëm”, me mandatin e arrestimit të firmosur nga Enver Hoxha. Edhe drejtuesit e tjerë të Bankës së Vlorës i ndoqi i njëjti fat.
Një komisar politik shqiptar, i paidentifikuar mirë, jep dëshminë e vet me shkrim në Këshillin e Gjyqit Ushtarak të Vlorës, duke e akuzuar Xhuzepen dhe civilë të tjerë për “keqbërje” të ndryshme (Shtojca 1).

Vijon

Lexo edhe: 
Një varr për Xhuzepe Terruzin – Parathënie e librit nga Agron Tufa
Një gur në muzeun e kujtesës – Parathënie e librit nga Gëzim Peshkëpia
"Brenga ime shqiptare". Përtej detit, aty ku lind dielli - Përsiatje rreth librit nga Eugjen Merlika