Dhimitër Berati, drejtori i gazetës së qeverisë së Vlorës - Shqiptari i Italisë

Histori
Në 100 vjetorin e pavarësisë - Një nga 40 firmat në Aktin e Pavarësisë së 28 nëntorit 1912 është e Dhimitër Beratit. E gjithë jeta e tij rezulton e ndarë mes Shqipërisë dhe Europës dhe në “beteja” përpëlitjeje idesh politike. Vitet e luftës për Pavarësi e gjejnë sa në Rumani, Itali, Paris, Gjenevë në përpjekje për çështjen kombëtare, ndërsa në vitet '30-të jeta e tij u nda mes Tiranës dhe Romës, ku jetonte e shoqja me dy djemtë dhe ku u vendos pas kapitullimit të Italisë fashiste.

Një nga 40 firmat në Aktin e Pavarësisë së 28 nëntorit 1912 është e Dhimitër Beratit, nën siglën “D. Berati”, delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit.

Berati u emërua edhe sekretar i kryetarit të Qeverisë, anëtar i Pleqësisë si dhe u caktua drejtor i përgjithshëm në gazetën e qeverisë së Vlorës “Përlindja e Shqipënisë” (AQ. Fondi i Qeverisë së Përkohëshme të Vlorës).

Pjesëmarrjen në firmosjen e Aktit të Pavarësisë dhe mbresat Dhimitër Berati i ka lënë në kujtimet e tij. Mban vitin 1935 një letër me kujtimet për Ditën e Flamurit, shkruar nga Dhimitër Berati, dërguar drejtorit të atëhershëm të Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, Sotir Kolea me kërkesë të këtij të fundit. Pasi përshkruante axhendën e asaj dite dhe folësit, mes të tjerave, jep të dhëna edhe për flamurin që u valëvit atë ditë në Vlorë. "...flamurin e shpalli së pari në këthinjë të Kuvendit z.Murat Toptani e mbë të ligjëruarë një vjershë që e pat endur vetë…", shkruante Berati. Jep përmasat e flamurit: “... kishte këto madhësi: të gjatët e flamurit m.60 dhe gjer. m 70”. Por gjithashtu shton se “…hollësira të tjera mbi trajtën e flamurit nuk mbaj mend...".(AQ. F.54, D. 55, viti 1935).  

E gjithë jeta e Dhimitër Beratit rezulton e ndarë mes Shqipërisë dhe Europës dhe në “beteja” përpëlitjeje idesh politike. Vitet e luftës për Pavarësi e gjejnë sa në Rumani, Itali, Paris, Gjenevë në përpjekje për çështjen kombëtare, ndërsa në vitet '30-të jeta e tij u nda mes Tiranës dhe Romës, ku jetonte e shoqja me dy djemtë dhe ku u vendos pas kapitullimit të Italisë fashiste.

Lindur në Korçë në vitin 1888, Dhimitër Berati jetoi në Bukuresht ku përfundoi fakultetin e shkencave Politike dhe Juridike, ndonëse studimet u ndanë ndër vite edhe në Romë, ku e ndihmuan miq patriotë të tij. E vërteton një letër që nga Roma, Luigj Gurakuqi i dërgon Lef Nosit në Elbasan në vitin 1920, ku ndër të tjera shkruan se “..është regjistruar Dhimitër Berati në fakultetin e drejtësisë në Romë..."(AQ, F.32, D. 33, viti 1920). 

Në vitin 1905 Berati nga Bukureshti u kthye në Korçë ku punoi si mësues në shkollën e parë shqipe dhe u anëtarësua në klubin patriotik “Dituria” që në themelimin më 1908. Një vit më pas, në 1909 merr pjesë në Kongresin e Elbasanit për arsimin.

Në vitet e përpjekjeve për Pavarësi e më pas në problemin kombëtar që duhet të përballonin patriotët për të ndaluar përpjekjet e fqinjëve për ndarjen e Shqipërisë, Dhimitër Berati ndodhet në shumë aktivitete politike. Mban vitin 1913 një letër në të cilën Luigj Gurakuqi i shkruan Lef Nosit: "...Dhimitër Berati ka shkuar në Bukuresht të organizojë një miting për çështjen e Korçës..." (AQ. F.32, D. 55, viti 1913).

Përpiqet për hapjen e arsimit në vend. Vetë Dhimitër Berati në vitin 1913 në një letër nga Bukureshti shkruar Lef Nosit, thotë mes të tjerave se "...po punojmë për vajtjen në Korçë të një delegacioni të shoqërisë së Bukureshtit për të organizuar në Selanik një kongres të arumunëve të Shqipërisë me Petro Goxhomanin, me qëllim hapjen e gjimnazeve në Berat e Korçë me ndihmën e qeverisë rumune...."(AQ. F.32, D. 55, viti 1913).

Në periudhën 1910-1921 në Arkivin Shtetëror, në fonde të patriotëve gjenden korrespondenca të disa prej personazheve të shquar të lëvizjeve patriotike, ku theksohen lëvizje të shumta të  Dh.Beratit nëpër Europë për çështje kombëtare dhe shtetërore. 

Nga Roma në 1913 i nis një letër Lef Nosit, (aso kohe ministër i Postë-Telegrafës) ku mes të tjerave shkruan: "...po interesohem për të siguruar bashkëpunim me ndonjë firmë private për çështje të Postës dhe për pullat...".

Në një letër që Mihal Grameno i dërgonte Kristo Dakos në Amerikë shkruan mes të tjerave, se "..në Paris ka mbërritur për në Konferencën e Paqes edhe Dhimitër Berati" (AQ.F. 30.D. 16, datë 28.4.1919). Edhe Nikoll Ivanaj i shkruante Kristo Dakos në SHBA se "...Dhimitër Beratin e kanë dërguar në Shqipëri me udhëzimet për qeverinë e Durrësit se si të veprojë..." (AQ. F.30, D. 16. viti 1920).

Në 1921 Dhimitër Berati është një nga anëtarët e delegacionit shqiptar në Gjenevë në Konferencën e Ambasadorëve. Në fondin e Pandeli Evangjelit ndodhet një telegram dërguar nga Dh. Berati ku e njofton se: "...Konferenca e Ambasadorëve e konsideron pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë si çështje ndërkombëtare...". (AQ. F.14, vitit 1921).

Ishte i vlerësuar për kontributet edhe nga Mit’hat Frashëri, çka kuptohet nga letra që ky i dërgon P. Evangjelit e ku i kërkon që "..Dhimitër Berati të ngarkohet si sekretar i delegacionit në Paris..."(AQ. F. 32, viti 1921). Një kërkesë që u realizua në fakt.

Më 9 teetor 1921 Fan Noli përmes një telegrami drejtuar P. Evangjelit, mes të tjerave i shkruan se "...Dhimitër Berati i ka dërguar një njoftim Konferencës ku i shkruan se qeveria dhe populli shqiptar duke i konsideruar kufijtë e 1913-ës si minimizim i drejtësisë nga fuqitë e mëdha, nuk pranon asnjë copëtim, apo rishikim në dëm të atdheut...". (AQ. F. 14, D. 30, fl 94). Më tej, në 1924 kur ndodhet në Tiranë, Dhimitër Berati në një letër të gjatë i përshkruan Mit'hat Frashërit situatën e shpërthimit të kryengritjes Veri-Jug në vend, si “mjaft e rrezikshme”.

Me krijimin e Mbretërisë, bashkohet me Zogun, që i dha mbështetje jo të vogël pasi e emëroi në vitet 1935-'36 si ministër i Ekonomisë Kombëtare. Me formim juridik punoi për fusha të ndryshme ligjore dhe të ekonomisë. Duket që mban lidhjet me miqtë e vjetër. Në një letër të vitit 1935 drejtuar Lef Nosit shpreh interesimin për investime në llixhat e Elbasanit, prona të familjes Nosi (AQ. F.32, D.35, viti 1935).

Lidhjet e gjata me rumunët dhe Rumaninë ku jetoi jo pak vite gjatë rinisë, duken nga dekorata e Mbretërisë rumune, e cila më 1932 e dekoroi me medaljen “Grand Officer De La Courron Roumania”.

Në Arkivin Shtetëror në Fondin 426 me emrin “Dh. Berati” në fakt nuk ka shumë dokumente, por aty ka disa letra mes tij dhe të shoqes, Marietta për të kuptuar vijimin e jetës dhe interesat e firmëtarit Dhimitër Berati.

Në 27 janar 1937 i shkruan së shoqes se “Mbreti më ka me shumë sy të mirë… do të më emërojë sekretar të përgjithshëm dhe kjo është më mirë se ministër i Ekonomisë, se ka dhe rrogë më të madhe….”(AQ. F.426, D10, 11, viti 1937-1944). Më pas emërohet si ambasador ministër në Romë, ku jetonte e shoqja me dy djemtë e tij. 

Prirja e tij ndaj Italisë si një nga përkahësit e politikës italiane në shtetin e mbretërisë shqiptare duket aktive. Në vitet 1935-'36 janë të shumta diskutimet e tij në Parlament për projektligje në favor të italianëve, të pr/buxheteve vjetore si ministër i Ekonomisë Kombëtare.

Pas pushtimit fashist, më 3 dhjetor 1941 u emërua ministër sekretar shteti i Kulturës Popullore. Në Promemorien e vitit 1941 për rivendikimet shqiptare në territoret e Jugosllavisë dhe Greqisë firma e tij gjendet përkrah atyre të Mustafa Krujës, Fejzi Alizotit, Tahir Shtylla, Xhemil Dino, të cilët kërkuan të arrinin atë që Europa e ndau nga trungu mëmë, Shqipërinë etnike. Ishte periudha para nisjes së luftes italo-greke.

Në letërkëmbimet me të shoqen shtohet dëshira për t’u larguar nga Shqipëria pas kapitullimit të Italisë fashiste në 1943 dhe bashkimin me familjen. Në 2 shtator 1943 i shkruan së shoqes në Itali: "...do të kthehem në Romë”. Ndërsa një javë më pas, në 10 shtator 1943: “...e kam vështirë të kthehem në Romë…”. Në 16 shtator letra e tij përshkruan rreziqet që ka rruga e kthimit. "...vështirësitë për t’u larguar nga Shqipëria janë të mëdha sepse rrugët janë të rrezikshme…”AQ. F.426, D10, 11, viti 1937-1944).

Më në fund u bashkua me familjen në Itali ku jetoi deri në fund të jetës. Në Romë shkroi kujtimet e botuara në  dy vëllime me titull “Shqipëria më 1937” ku dhe vdiq në vitin 1970. (sipas ATSh-së)