E vërteta mbi trashëgimtarët e Ismail Qemalit - Shqiptari i Italisë

Histori
Cilat janë degëzimet e pemës gjenealogjike të “plakut të Vlorës”
Nga Sherif Delvina
Nga arkivi i Botës Shqiptare – Botuar në numrin 63 të 6 qershorit 2002

Kohë më parë stërmbesa e Ismail Qemalit, patriotja dhe publicistja Nermin Vlora - Falaschi, ka folur me shkurtime në televizionin shqiptar, duke mos e dhënë të plotë pemën gjenealogjike, në radhë të parë të djemve dhe vajzave të patriotit, si dhe të nipërve dhe mbesave të tij. Vetë ajo është stërmbesë dhe jo mbesë, siç njihet gabimisht nga publiku i gjërë.

Ne do të japim një pamje të degëzimit që ka marrë sot pema gjenealogjike e trashëgimtarëve të Ismail Qemalit.

Vetë Ismail Qemali është lindur në Vlorë, në vitin 1844 dhe ka vdekur në Perugia të Italisë në vitin 1919. Ai është martuar dy herë, së pari me një vejushë nga Konica, pastaj me një vajzë të bukur greke, e quajtur Kleoniqi Syrmeli, e bija e një tregtari të madh nga qyteti Edirne (Adrianopoli i dikurshëm). Për njohjen e tyre shërbyen mbrëmjet dhe pritjet që jepte guvernatori dhe personaliteti i shquar turko-osman Mit-hat Pasha. Në atë kohë Ismail Qemali i ri ishte sekretar i Mit-hat Pashait.

Ismail Qemali me Kleoniqi Syrmelinë kanë pasur gjashtë djem dhe tri vajza si më poshtë:

Djemtë:

1. Mahmud Vlora - Ka qenë nëpunës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane. Në fillim ai është martuar me një turke nga një derë e mirë, por u nda shpejt prej saj. Herën e dytë ai u martua me një franceze të quajtur Alice nga qyteti Nice i Francës, me të cilën ka pasur një djalë e dy vajza. Djali i Mahmudit quhet Aleksandër Vlora, i cili është profesor në pension i gjeografisë ekonomike nga Universiteti i Barit. Motrat e Aleksandrit quhen Blanshe (banon në Kanada) dhe Vitoria (ka vdekur).

Aleksandër Vlora është martuar me një italiane me të cilën ka një djalë dhe një vajzë. Djali, Nedim Vlora, është edhe ai profesor i gjeografisë ekonomike në Universitetin e Barit. Nedimi është i martuar dhe ka një djalë. Ai, para do kohe, ka bërë kërkesë për konsull nderi i Shqipërisë në Bari.

Mahmud Vlora ka vdekur në Vlorë në vitin 1921.

2. Tahir Vlora - Djali i dytë i Ismail Qemalit, ka qenë oficer marine në ushtrinë osmane dhe axhutant marine i Sulltanit. Për një kohë ka qenë komandant i Kapitenerisë së portit të Vlorës. Tahiri ka vdekur në Paris më 1931.

3. Xhevdet Vlora - Ka vdekur beqar në Stamboll në vitin 1910.

4. Et-hem Vlora - Ka qenë kapiten në ushtrinë shqiptare. Ai ka vdekur në Tiranë në vitin 1937. Në Shqipëri është martuar me bejlereshën e ve Ismete Ohri (Toptani), me të cilën nuk pati fëmijë. Et-hemi ka pas adoptuar një vajzë të quajtur Hysnije Ohri.

5. Qazim Vlora - Për një kohë ka qenë nëpunës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Ai u martua me një grua të ve të cilës ia rriti fëmijët dhe u përkujdes për shkollimin e tyre. Kjo ishte Behije Ohri, nëna e ish komandantit të aviacionit, kolonelit Edip Ohri dhe e Dashamir, Edibe dhe Hyrmete Ohrit.

Qazim Vlora vdiq i braktisur dhe në mjerim në Strugë të Maqedonisë në vitin 1949.

6. Qamil Vlora - Djali i fundit i Ismail Qemalit, dhe ky ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërise dhe për një kohë ka qenë kryekonsull në Greqi. Qamili është martuar me Ylvijen, të bijën e Ahmet Dyrmishit nga Vlora, administratorit të pronave të Ismail Qemalit.

Qamil Vlora ka pasur dy djem, të quajtur Ismail dhe Xhevdet. Djali i madh i Qamilit, Ismaili, është trajtuar si kundërshtar i regjimit komunist dhe është burgosur: ai zotëronte mirë frëngjishten dhe përveç punës që bënte, jepte mësime të gjuhës frëngjishte për të siguruar jetesën e familjes. Ismaili ka dy djem dhe tri vajza. Ai është persekutuar nga regjimi komunist dhe ka vdekur në dhjetor të vitit 1990.

Djali i dytë i Qamil Vlorës, Xhevdeti, ka punuar si mësues dhe më vonë si përkthyes nga frëngjishtja në ndërmarrjet e tregtisë së jashtme. Ai ka qenë martuar me Datushe Kripën, me të cilën ka një djalë, i quajtur Qamil (inxhenier mekanik) dhe një vajzë ekonomiste të quajtur Ada. Xhevdeti ka vdekur në vitin 1995.

Djali i fundit i Ismail Qemalit, Qamil Vlora, është përndjekur nga regjimi komunist, ai ka vdekur në Sanatoriumin e Tiranës në vitin 1952.

Vajzat:

1. Myvedet Vlora - Është vajza e madhe e Ismail Qemalit. Ajo ka qenë e martuar me kapitenin Vehap Bej, axhutant i Sulltanit. Vehap Beu ishte i biri vice - gjeneralisimit  (serdar - i ekrem) Abdyl Kerim Pasha, me origjinë nga Bagdati. Abdyl Kerim Pashai ka qenë komandant i përgjithshëm i trupave osmane në fillim të luftës ruso-turke të vitit 1877-1878.

Myvedeti me Vehapin kanë pasur një djalë dhe dy vajza: djali quhej Reshit, ai ka vdekur beqar në Vlorë. Vajza e madhe e Myvedetit quhej Belkis dhe është nëna e Nermin Vlora-Falaskit. Belkisi ka vdekur në Bogota të Kolumbisë, ku i shoqi i Nerminit, Renzo Falaschi ishte Ambasador i Italisë.

Vajza e dytë e Myvedetit quhej Sara. Ajo ka qenë martuar me kolonelin e ushtrisë shqiptare (një kohë edhe ministër fuqiplotë i Mbretërisë Shqiptare në Rumani) Selaudin Blloshmi. Sara mundi t'i shpëtojë represioneve të komunistëve sepse në vitin 1945 u martua së dyti me kolonelin anglezVandeleur Robinson dhe iku në Londër së bashku me të bijën Vera Blloshmi. Kjo e fundit është piktore e dëgjuar sot në Londër, është e martuar me një anglez me të cilin ka një vajzëtë quajtur Sonja.

Sara Blloshmi ka vdekur në Londër.

Myvedet Vlora, vajza e madhe e Ismail Qemalit, ka vdekur në Tiranë, ku jetonte vetëm me të bijën Belkis, në vitin 1954.

2. Alije Vlora - Vajza e dytë e Ismail Qemalit, ka qenë martuar me konsullin osman Mehmet Koxhamemi. Ky ishte i biri i Subhi Pashait, ministër i dëgjuar i financave në Perandorinë Osmane: një vëlla i Mehmet Koxhamemiut, i quajur Hamdullah Subhi Tanrcover, ishte personalitet i dëgjuar, poet, ambasador dhe mik i afërt i Ataturkut. Alija ka  pasur tri vajza, e para quhej Rana, ajo vdiq në moshën 15 vjeçare. Vajza e dytë, Samija, është martuar dy herë, në fillim me nënoficerin gjerman (më vonë fabrikant), i quajtur Otto Schmidtchen. Samija me Otton ka një djalë të quajtur Heinz Schmidtchen, banues në Leibzig (aktualisht në pension), dhe një vajzë të quajtur Gisela Bauer, banuese në qytetin Heilsbron uber Ansbach të Bavarisë. Herën e dytë Samija është martuar me gjeneralin austriak në shërbim të ushtrisë shqiptare Gustav von Myrdacz, i pushkatuar nga komunistët në vitin 1945.

Samija me gjeneralin von Myrdacz nuk ka pasur fëmijë, ajo ka vdekur në Gjermani pranë të bijës Gisela.

Vajza e tretë e Alije Vlorës quhej Mihrimah. Ajo ka qenë martuar me diplomatin patriot shqiptar Xhemal Frashëri, i persekutuar dhe i burgosur nga komunistët.

Mihrimah dhe Xhemal Frashëri nuk kanë pasur fëmijë dhe kanë vdekur që të dy në Tiranë.

Vajza e dytë e Ismail Qemalit, Alije Vlora, ka vdekur në vitin 1955 pranë të bijave Samije dhe Mihrimah.

3. Ylvije Vlora - Vajza e tretë e Ismail Qemalit, ajo ka vdekur herët, në vitin 1934, në Tiranë. Ylvija ka qenë martuar me gjeneralin e shquar dhe patriot Ahmet Hamdi Zarshati, i cili ka pasë kryer akademinë ushtarake gjermane në Postdamm afër Berlinit. Një vëlla i gjeneralit Ahmet Hamdi Zarshati, koloneli Halit Bej Zarshati, ka qenë në shtabin e trupave aleate në rajonin e Ballkanit gjatë Luftës I Botërore. Koloneli i ushtrisë franceze, Halit Bej Zarshati është babai i Nermin Vlora-Falaschit. Djali i madh i Ylvije Vlorës, Sinan Zarshati, inxhenier agronom me kulturë gjermane, ka vdekur beqar në Tiranë në vitin 1969.

Djali i dytë i Ylvijes, Adnan Zarshati, arkitekt dhe biolog, është martuar me Zekije Çaushin nga Gjakova e Kosovës me të cilën ka dy djem: Orhan Zarshati, inxhenier mekanik i cili në vitet 1992-1995 ka qenë kryekonsull i Shqipërisë në Stamboll. Djali i dytë i Adnanit, Faruk Zarshati, inxhenier elektrik, ka punuar si restaurator në Institutin e Monumenteve të Kulturës në Tiranë. Ai sot punon përsëri si restaurator i monumenteve të kulturës në Ankara, ku është emigrant ekonomik.

Nipi i Ismail Qemalit, Adnan Zarshati, në moshë shumë të thyer, ka vdekur në Tiranë në fund të vitit 1996. Mbesa Suzana Zarshati ka vdekur në Tiranë në vitin 1981.

Natyrisht degëzimi i pemës gjenealogjike të trashëgimtarëve të Ismail Qemalit është më i madh nga çfarë treguam në këtë shkrim, po të kemi parasysh fëmijët e stërnipërvedhe të stërmbesave të patriotit tonë të madh. Por ne mendojmë se aq sa kemi dhënë mjafton për të pasur një ide mbi trashëgimtarët e tij nga linja mashkullore dhe femërore.