Ëndrra shqiptare dje dhe sot - Shqiptari i Italisë

Histori
Mbas njëqind vitesh nga vendimet e Konferencës së Londrës dhe 70 vjetësh të parantezës së shkurtër të Shtetit të Bashkuar shqiptar të kohës së luftës së dytë botërore, e gjysmë shekulli komunist, krejtësisht i pandjeshëm ndaj konceptit bashkim kombëtar, të pasuar nga një mërgim biblik i një shumice të shqiptarëve, shumë gjëra  kanë ndryshuar edhe në mendësinë e tyre. Ky fakt na detyron  të njohim prirjen e përgjithshme të tyre për t’u bashkuar, në caqet e saj të vërteta. Kësaj mund t’i arrihet nëpërmjet hulumtimit të opinioneve nga institucionet e posaçme. Nëse përgjigjja e shqiptarëve, në të gjitha trevat e banuara prej tyre, do të jetë miratuese mund të fillohet hartimi i projektit dhe të ravijëzohen hollësitë e tij.
Nga Eugjen Merlika

Tema që dua të trajtoj sot me këtë shkrim të thjeshtë mbart në vetvete lashtësinë e një shekulli dhe shqetësimin e çdo dite, dikur në qendrën e jetës politike, kulturore e shpirtërore të një populli për tre dhjetëvjeçarë, më pas e lënë në harresë, madje e quajtur “dalë boje” dhe “e rrezikshme” edhe për t’u menduar në pjesën tjetër të shekullit, e kushtëzuar nga rrethanat ndërkombëtare, fatkeqësisht gjithnji të kundërta, por edhe nga një mungesë vullneti e guximi nga ana e jonë, kryesisht në sferën politike.

Problemi ynë kombëtar lindi pak më shumë se një shekull më parë, në prag të Shpalljes së Pavarësisë, me pushtimin e tokave tona nga aleatët ballkanas, si pasojë e paaftësisë së Perandorisë Otomane për të përballuar sulmin e tyre, paaftësi në të cilën kishim dhënë edhe ne ndihmesën tonë me kryengritjet e vitit 1912, e duke u ligjëruar nga Konferenca e Londrës e pranverës së vitit 1913. Vullneti i shteteve fqinjë, i përkrahur nga Fuqitë e Mëdha, përcaktoi kufijtë e cunguara të Shqipërisë, duke lënë jashtë saj më shumë se gjysmën e trojeve shqipfolëse.

Njëqind vjet në historinë e Evropës kanë sjellë kaq shumë ndryshime në fizionominë e saj, sa që nuk mund të krahasohen me periudha shumë shekullore të së shkuarës. N’Evropë u kryen dy luftëra botërore, më shkatërrimtaret e historisë së njerëzimit, kaluan diktatura mizore, të shkurtëra në kohë, si fashizmi e nazizmi e më të gjata si komunizmi, por që sollën  pështjellime të mëdha në jetën e qindra milionë njerëzve, ndërmjet tyre edhe të tre milion shqiptarëve, sa ishin në mbarim të luftës së dytë botërore.

Rrëzimi i Murit të Berlinit, si simbolikë e shëmbjes së komunizmit, i dha shkas të tjera ndryshimeve epokale, të cilat duhen mbajtur parasysh në lidhje me gjëndjen tonë. Një çerek shekulli më parë Gjermania, e ndarë në fillim në katër pjesë e më pas në dy, fill mbas mbarimit të luftës së dytë botërore, me një vendim të Qeverisë e të Parlamentit të pjesës perëndimore të saj dhe me miratim të drejtuesve të mbifuqive të kohës, SHBA dhe BRSS, u bashkua në kufijtë e vendosura në Konferencën e Paqes së Parisit 1946.

Shkërmoqja e “perandorisë” komuniste të projektuar në Teheran dhe Jaltë nga tre fituesit e luftës, si pasojë e dështimit të ekonomisë e të kalbjes së sistemit, ndryshoi hartën e Evropës dhe të një pjese të Azisë. Jugosllavia, krijesa e Versajës, si pasojë e prirjeve shkëputëse të popujve e qeverive të përbërësve të saj, nëpërmjet një proçesi relativisht të shpejtë e të dhimshëm, përsa i përket humbjeve njerëzore e krimeve të kryera, u kthye në një grumbull shtetesh të pavarura, përfshirë këtu, fatmirësisht, edhe Kosovën. Bashkimi Sovjetik, bashkësi e popujve sllavë të Lindjes e jo vetëm të tillë, i ngjizur nga vullnetet shumëshekullore të Carëve dhe i plotësuar nga duart e hekurta të bolshevikëve dhe Carëve të rinj të tyre, Leninit e më shumë Stalinit, nuk është më. Në vënd të krijesës së stërmadhe janë shtete të pavarura, në marrëdhënie miqësore apo armiqësore ndërmjet tyre dhe Rusisë. Republika Çeke dhe Sllovakia vendosën paqësisht ndarjen  në dy shtete të Çekosllovakisë. Sot prirjet shkëputëse janë ende të pranishme në Vende si Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Belgjika e ndonjë tjetër. Të gjitha këto ndryshime të statu – quos së Evropës, që u kryen në pajtim me vullnetet e popujve të ndryshëm të saj, nuk sollën “kataklizmat” e pritëshme, por ndihmuan në sjelljen e një ere të vërtetë lirie në kontinent e në përmirësimin e jetës së atyre popujve.

Në gjithë këtë përmbysje konjukturash, vendimesh e traktatesh ndërkombëtare, populli shqiptar pati një “mrekulli” në anën e tij, shkëputjen e Kosovës nga Serbia dhe pavarësinë e mëpastajme të saj. Të vetëdijshëm për përmasat e kësaj mrekullie, duke e quajtur atë si hapin e parë të madh në rrugën e gjatë të bashkimit të kombit, duhet të ngremë stekën e mëtimeve tona. Këtë mund t’a bëjmë nëse arrijmë të ndërgjegjësohemi si shoqëri e si komb se bashkimi i shqiptarëve nuk duhet të mbetet vetëm si ëndrra që përkundim që prej njëqind vitesh dhe gjithashtu se vendimet e diplomacive, qofshin këta edhe të Fuqive të Mëdha, nuk janë tabu të përjetëshme.    

Sot para nesh shtrohet pyetja: a jemi në gjendje ta ringjallim, nëpërmjet një projekti largpamës e në ujdí me rrethanat bashkëkohore, strategjinë kombëtare për të hyrë në institucionet e kontinentit, jo si pakica kombëtare të shteteve të ndryshme, por si një shtet i vetëm? A jemi të gjithë të një mendjeje, qoftë edhe me sfumatura të ndryshme, se misioni ynë kryesor, krahas zhvillimit ekonomik, është ai i bashkimit?

Para se të arrijmë në ftillimin e hollësive të atij projekti, duhet të shqyrtojmë e të mbajmë parasysh prirjet e vërteta  kombëtariste të shoqërive tona. Mbas njëqind vitesh nga vendimet e Konferencës së Londrës dhe 70 vjetësh të parantezës së shkurtër të Shtetit të Bashkuar shqiptar të kohës së luftës së dytë botërore, e gjysmë shekulli komunist, krejtësisht i pandjeshëm ndaj konceptit bashkim kombëtar, të pasuar nga një mërgim biblik i një shumice të shqiptarëve, shumë gjëra  kanë ndryshuar edhe në mendësinë e tyre. Ky fakt na detyron  të njohim prirjen e përgjithshme të tyre për t’u bashkuar, në caqet e saj të vërteta. Kësaj mund t’i arrihet nëpërmjet hulumtimit të opinioneve nga institucionet e posaçme. Nëse përgjigjja e shqiptarëve, në të gjitha trevat e banuara prej tyre, do të jetë miratuese mund të fillohet hartimi i projektit dhe të ravijëzohen hollësitë e tij.

Pa hyrë në thelb të padrejtësisë historike që na detyruan të pranojmë diplomacitë e Evropës, tek të cilat sot janë varur shpresat tona, mendoj se nuk është rasti të rigjallërojmë prirjen për t’u hequr si viktimë, jo sepse nuk kemi arsye për ta shpallur, por se duhet të dëshmojmë se jemi në gjendje ta kapërcejmë e të gjejmë forcat për t’i parashtruar kërkesat tona, duke u mbështetur në të drejtën tonë si popull e në të drejtën ndërkombëtare.

Ideja e Shqipërisë së bashkuar qé, deri në mbarimin e luftës së dytë botërore, flamuri i nacionalizmit shqiptar i cili, për ta sendërtuar atë, nuk nguroi të bashkëpunojë edhe me pushtuesit italianë e gjermanë, gjë të cilën historiografia komuniste nuk i a fali kurrë edhe sot e kësaj dite. Por kundërshtarët e nacionalizmit, komunistët shqiptarë, që kishin si parim udhëheqës “internacionalizmin proletar”, nën drejtimin e Moskës apo të Beogradit, nuk ngurruan asnjë çast që të shkatërronin krijesën nacionaliste, duke i rikthyer Jugosllavisë së Titos të gjitha krahinat të bashkuara me Shqipërinë në prill 1941 e në muajt e mëpastajmë.

Kjo është historia e mbajtur në sirtare për gati gjysmë shekulli, në të cilin shumica e qytetarëve të Shqipërisë as nuk e dinin se kishte qënë një periudhë gati katërvjeçare, prill 1941 – janar 1945, në të cilën administrata shqiptare kishte patur përfaqësuesit e saj në të gjitha trevat shqipfolëse me përjashtim të Çamërisë, të cilën italianët nuk deshën t’i a bashkojnë Vendit tonë. Ishte i vjeshtës së dytë 1943 i vetmi kuvend i zgjedhur me përfaqësues të të gjitha trojeve shqiptare, atëherë të bashkuara, në gjithë historinë tonë, së cilës komunistët i u përgjigjën me gjuajtjet e topave, veprim për të cilin mburren edhe sot.

Për t’a bërë të mundshëm sendërtimin e projektit duhet jo vetëm vullneti i popullit por edhe gatishmëria e institucioneve dhe e politikës në përgjithësi për të marrë përsipër rolin e saj drejtues në përçuarjen e aspiratës së shqiptarëve në tryezat e vendimeve. Por a kemi ne një klasë politike me shtatin moral e profesional të përshtatëshëm për të çuar përpara çështjen kombëtare në ballafaqimin me diplomacitë e botës dhe me kundërshtimet skajore të fqinjëve ? A është ajo në lartësinë e detyrës që shekulli i ri, me të gjithë problemet e tij të ngatërruar, i ngarkon ? Ndoshta kjo është pika më e brishtë e projektit, sepse përgjigjet e këtyre pyetjeve nuk ngjallin optimizëm edhe për faktin se me ndonjë përjashtim të rrallë drejtuesit e politikës shqipfolëse kujdesen më tepër të ruajnë “korrektësinë” me të huajtë se sa të bëhen zëdhënës të interesave të kombit të tyre. Teza e përdorur gjërësisht se hyrja në Evropë do të zgjidhë të gjithë problemet tona është një formë hashashi për të qetësuar shpirtërat e trazuar. Prandaj bëhet e domosdoshme që shtysa nga poshtë të jetë tepër e fuqishme dhe këtë shtysë mund e duhet t’a japin kryesisht të rinjtë e viseve shqiptare nëse janë të bindur se ëndrra e gjyshërve të tyre ka qënë domosdoshmëri edhe në të mirë të s’ardhmes së tyre.

Përtej termave “Shqipëri e madhe” apo “Shqipëri etnike”, që janë bërë gogoli që tundin para botës fqinjët tanë, sa herë flitet për kombin tonë, ne duhet të dëshmojmë, me vullnetin tonë mbarëpopullor, se nuk paraqesim rrezik për askënd, se asnjëherë nuk kemi patur synime grabitqare kundrejt fqinjëve, se duam të jetojmë së bashku në atë hapësirë toke në të cilën kemi qënë prej mijëvjeçarësh, sepse na bashkon gjuha, traditat, trashëgimia zakonore, historia e përbashkët, etj.

Këtë duhet ta bëjmë nëpërmjet dokumenteve, që duhet t’u dërgohen organizmave ndërkombëtare, por edhe qeverive të Vendeve fqinje me të cilët ndajmë problemet, ashtu sikurse atyre të Vendeve mike, të cilat shpresojmë të tregojnë një farë mirëkuptimi. Mendoj se filozofia ndriçuese e kësaj përpjekjeje për të pohuar aspiratën tonë kombëtare, duhet të jetë ajo e ish Kryetarit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Rruga e tij paqësore, krijimi i institucioneve paralele, bojkotimi i votimeve, pohimi kudo e para kujtdo të së drejtës sonë si komb, mendoj se përbëjnë një pasuri të çmuar, të vlefshme edhe për sot edhe për t’ardhmen. Koncepti i binjakëzimit të lirisë me luftën, i drejtë në pjesën më të madhe të historisë sonë, në kontekstin gjeopolitik të sotëm, nuk më duket frutdhënës. Po sjell këtu  një shprehje të një shkrimtari gjerman të shekullit të shkuar, Peter Rosseger (1843 – 1918), me të cilën pajtohem plotësisht: “Unë dua jo aq atë atdhetarí që nxjerr bijtë tanë në fushat e betejave e i thërret të vdesin, por atë që u mëson atyre të jetojnë për Atdheun”. E thënë me fjalë të tjera, kemi nevojë kryesisht për qytetarë të vetëdijshëm e të përgatitur për problemet kombëtare, më shumë se sa për luftëtarë me armë në dorë.

Duhet mobilizuar populli, sidomos rinia, që duhet të dalë në manifestime, jo me flamuj partish,  por me atë të Skënderbeut, e me pankarta, ku të shkruhet me gërma të mëdha: “DUAM BASHKIMIN PAQËSOR TË TROJEVE SHQIPTARE”. Këto manifestime duhet të jenë krejtësisht paqësorë e të zhvillohen të ujdisur njëherësh në qytetet e të gjitha trevave ku flitet gjuha shqipe. Në ta nuk duhen lejuar elementë skajorë që do të duan të përfitojnë nga rasti, nën shkakun e rremë të “zellit atdhetar”, për t’i dhënë tjetër drejtim apo të tjera qëllime. Vija paqësore e kërkesave duhet të jetë ngulmuese e na duhet të armatosemi me durim, sepse do të duhen vite për të arritur synimet tona. Ata tubime, në rregullsinë e vazhdimësinë e tyre do të jenë armët më të fuqishme për të vrarë tabunë e politikës botërore kundrejt kombit tonë. Nëse do të shfaqim vullnetin dhe dashurinë për çështjen tonë, pa u epur e pa dëgjuar sirenat gënjeshtare të ndryshme, do të mundemi t’i a arrijmë qëllimit, sepse “Në të gjitha sipërmarrjet njerëzore, nëse jemi në një mëndje për qëllimin, sendërtimi është një çështje e dorës së dytë”, nëse më lejohet të parafrazoj një burrë shteti e historian gjerman të shekullit 19, Friedrich Cristoph Dahlmann (1785 – 1860), një nga hartuesit e Kushtetutës gjermane.

Në këtë projekt e strategji madhore të rilindjes së kombit të bashkuar në Evropën e shekullit XXI, bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, në një të ardhme të afërt, mund të jetë një synim i arritshëm, nëpërmjet një referendumi në të dy shtetet. Një rezultat i lartë, me një pjesëmarrje shumë të gjerë të votuesve, do të ishte baza më e fuqishme për të kërkuar bashkimin. Madje do të ishte një gjë shumë e rëndësishme që në këtë shprehje të mendimit mbarëpopullor të merrnin pjesë on line të gjithë shqiptarët që jetojnë nëpër botë. Të gjithë argumentat e rendit etnik, kulturor, gjuhësor e historik janë në anën tonë, nuk ka asnjë motiv të shëndoshë që dikush, në diplomacinë ndërkombëtare, t’i kundërshtonte një vullneti të shprehur hapur e pa mëdyshje. Duhet të jemi të gjithë të një mëndjeje, që nga populli, sidomos mosha e re, deri tek institucionet e dy Vendeve. Do të ishte një ripërtëritje, në formë tjetër, në kah bashkëkohor, e përvojave më të arrira të shprehjes së  synimit përbashkues të shqiptarëve në shekuj, e kohëve të Gjergj Kastriotit e të Lidhjes shqiptare të Prizrenit.

Duhet të jemi të bindur gjithashtu, se ikjet përpara, nxitimet, ultimatumet apo iluzionet e forcës nuk i shërbejnë strategjisë sonë. Shumëkush sot në botën shqiptare i vesh luftës së U.Ç.K.-së meritën kryesore të pavarësisë së Kosovës. Pa e përjashtuar atë meritë dhe as sakrificat që lidhen me të, jam i mendimit se një përsëritje e asaj përvoje në procesin e bashkimit, do ta dëmtonte shumë synimin tonë e, ndoshta, do ta varroste përjetë atë. Rrethanat e vitit 1999, që përcaktuan kahun e ngjarjeve në dobinë tonë, nuk përsëriten më, prandaj çdo iluzion i këtij tipi do të ishte shumë i dëmshëm për çështjen tonë kombëtare.

U mundova të skicoj shkurt një kuadër të problemeve tona madhore si komb. Mendoj se për të duhet hapur një diskutim i gjërë, nga i cili duhet të dalë një strategji e menduar mirë e, si e tillë, edhe fituese. Kritikat, mallkimet e sharjet e atyre që nuk e duan bashkimin e shqiptarëve, nuk duhet të na e fashitin vullnetin. Edhe se është shumë e vështirë, edhe se i kemi paguar shtrenjtë në të shkuarën pasojat e mosmarrëveshjeve me njëri tjetrin, edhe se sot nuk jemi ende të shëruar nga ajo sëmundje e rëndë, duhet të bëjmë një mundim të madh për të gjetur gjuhën e përbashkët. Është një detyrë e jona kundrejt së shkuarës e brezave të saj, që i vunë themelet shtetit tonë, por është më tepër një detyrë kundrejt s’ardhmes e brezave që do të vijnë, sepse jeta e tyre do të jetë më e bukur në një atdhe të bashkuar e të mirëqeverisur.