Faik Kreshpa. Telegrafisti që njoftoi botën për aktin e pavarësisë - Shqiptari i Italisë

Histori
Në vitin 1912 punonte në postën e Vlorës si telegrafist. Lajmin e shpalljes së pavarësisë e dha me telegramet e formuluara prej tij në të gjitha qendrat që kishin lidhje telegrafike. Dhe më pas u përcolli kancelarive evropiane njoftimet për aktivitetin dhe kërkesat e Qeverisë së Përkohshme

Faik Kreshpa, djaloshi që i përcolli Evropës dhe Fuqive të Mëdha, lajmin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ishte pinjoll i një prej familjeve më të vjetra të Vlorës.

Studjuesi Agim Hametaj thotë se familja Kreshpa, një prej 20 familjeve më të vjetra të Vlorës, ka një histori prej më shumë se 400 vjeçare të lidhur ngushtë me këtë qytet. Në një mjedis thellësisht qytetar, me tradita të shëndosha patriotike, lindi dhe u rrit edhe Faiku. Ai u dërgua për të studiuar në Selanik, ku u shkollua pikërisht për specialitetin me të cilin u bë i njohur, telegrafën.

Në Vlorë, shërbimi i postëtelegrafës, që në terminologjinë e kohës njihej me emërtimin "daullja e telit", ishte ngritur qysh në vitin 1862, kur në këtë qytet funksiononte zyra përkatëse, që ishte ndërtuar nga pushtuesit osmanë në një godinë të vogël pranë qendrës së qytetit.

Në vitin 1909, Kreshpa përfundoi studimet në Selanik dhe u kthye në qytetin e tij të lindjes, ku filloi punë në specialitetin e tij, në Zyrën e Postëtelegrafës. Ishte viti 1912, kur Kreshpa, 22 vjeçar, do të fitonte famë tek bashkëkohësit dhe do të mbetej një nga emrat e njohur, protagonistë të atyre ditëve.

Pas vendimit dhe nënshkrimit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, Ismail Qemali, Kryeministër, dorëzoi tekstin e njoftimit për Fuqitë e Mëdha dhe shtetet ballkanike. Teksti u përcoll tek zyrat e Postëtelegrafës, që prej pak ditësh, ishin vendosur pak metra më tej, në katin e parë të godinës së njohur të Sharrajve, e cila ka ekzistuar deri në mesin e viteve 1980-të.

Përgjegjësi i kësaj zyre, ishte Vait Janina, një emër i njohur në rrethet patriotike të kohës, besnik i Ismail Qemalit. Janina, ishte baxhanak, me truprojën më të afërt të Ismail Qemalit, Kodhel Zilen, ndërkohë që vetë bashkëshortja e tij, kryente detyrën e kuzhinieres së Kryetarit të Qeverisë së Pavarësisë. 

Gjithsesi, me tekstin e njoftimit në dorë, Vait Janina iu drejtua njërit prej punonjësve të kësaj zyre, Faik Kreshpës, djaloshit 22 vjeçar, të cilit i ra fati i madh të transmetonte lajmin e njoftimit të Shpalljes së Pavarësisë.

Ndërkohë, historiani Fahri Shaska e plotëson kështu tregimin e tij. “Në vitin 1912 Faik Kreshpa punonte në postën e Vlorës si telegrafist. Lajmin e shpalljes së pavarësisë e dha me telegramet e formuluara prej tij në të gjitha qendrat,  që kishin lidhje telegrafike. Kur i dhanë lajmin e vendimit të Kuvendit, nga gëzimi ai qëlloi disa herë me armë nga dritarja e postës. Për këtë, Ismail Beu i hoqi vërejtjen, duke i thënë se nuk duhej ta festojmë me pushkë këtë sihariq.

Kjo detyrë e kryer me përpikmëri nuk ishte e vetmja për djaloshin e pasionuar pas profesionit të tij. Ai vazhdoi të zbatonte me korrektësi detyrat e lëna, duke i përcjellë kancelarive evropiane, njoftimet për aktivitetin dhe kërkesat e Qeverisë së Përkohshme. Ai vazhdoi në këtë profesion për shumë vite me radhë, madje edhe pas vitit 1944. Në fund të viteve ’40-të, doli në pension.

Por, ky emër mbeti i panjohur për komunitetin. Propaganda komuniste e la atë në harresë, megjithëse Faik Kreshpa, ishte një qytetar i nderuar i Vlorës. Ai ka jetuar në këtë qytet deri në vitin 1956-të, kur ndërroi jetë. Por, pakkush prej bashkëqytetarëve të tij e dinte se, pikërisht ai, ishte telegrafisti që njoftoi botën mbarë për aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Harilla Koçi, ATSh