ISKK: Gjatë regjimit, mbi 34 mijë të burgosur politikë e mbi 59 mijë të internuar - Shqiptari i Italisë

Histori
Të burgosur, të internuar, të pushkatuar e të vdekur, janë shifrat e përditësuara të botuara nga Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Po punohet për zbardhjen e emrave të personave të ekzekutuar pa gjyq në periudhën 1944-1955

Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ISKK, ka përmbledhur një sërë shifrash për vuajtjet që kanë pësuar shqiptarët gjatë regjimit të Enver Hoxhës. Në bazë të burimeve të ndryshme si arkivi i shtetit, arkivat e ministrisë së Brendshme, rezulton se gjatë regjimit komunist 34.135 shqiptarë janë dënuar dhe burgosur për arsye politike ndërsa 59.009 shqiptarë u internuan në kampe përqendrimi.

Nga të dhënat zyrtare rezulton gjithashtu që 7.022 e të internuarve kanë humbur jetën. Gjithnjë sipas të dhënave të këtij instituti, 6.027 persona janë vrarë gjatë diktaturës, 984 shqiptarë kanë vdekur në burgjet e regjimit ndërsa 308 persona kanë humbur aftësitë mendore nga torturat gjatë qëndrimit në burgjet e komunizmit.

Instituti Studimit të Krimeve të Komunizmit, me drejtor ekzekutiv Agron Tufën, në raportin e vjetor dërguar Kuvendit të Shqipërisë, veç aktivitetit të deritanishëm të bërë prej tij, thekson se ka nisur puna në të gjithë Shqipërinë për të zbuluar numrin e saktë të qytetarëve të pushkatuar pa gjyq. Në raport thuhet se janë me mijëra qytetarë që janë vrarë nga viti 1944-1955, por për një pjesë të madhe nuk ekziston asnjë dokument në arkiva.

“Në bashkëpunim me Institutin e Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë, me shoqatat e të përndjekurve politikë, që operojnë në çdo qytet e trevë të Shqipërisë, ka nisur një projekt të regjistrimit të saktë të mijëra qytetarëve të pushkatuar pa gjyq në vitet 1944-1955, emrat e të cilëve nuk gjenden në asnjë arkiv. Zbardhja e fatit tragjik të këtyre qytetarëve është një detyrë e domosdoshme e institutit tonë dhe një hulumtim i saktë mbi numrin e qytetarëve të pushkatuar për të dhënat e sakta të shifrës së tyre, çka nuk përputhet aspak me të dhënat e deritashme zyrtare”, lexohet në raportin e ISKK-së.

Shkarko: RAPORTI VJETOR 2015 I ISKK