Kur Shqipëria ishte mikja më e mirë e Kinës maoiste - Shqiptari i Italisë

Histori
Nga Pierre HASKI, Rue89

Sot Shqipëria është njëfarë kushëriri më i varfër i Evropës, edhe pse në fund të qershorit arriti të marrë shumë të dëshiruarin status të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Por ka pasur një periudhë kur Shqipëria kishte ambicie superfuqie!

Të paktën për Pekinin, po të kemi parasysh se Shqipëria socialiste ka qenë për vite me radhë i vetmi mik i vërtetë i Kinës së Maos, dhe kinezëve mund t'u falet pse mendonin se Shqipëria ishte më e rëndësishmja ndër vendet e Evropës.

Por kjo periudhë është harruar: Shqipëria ka gjetur vlerën e saj reale, atë të një vendi të varfër ballkanik, i cili po përpiqet prej mëse njëzet vjetësh, pas fundit të njërit prej regjimeve komuniste më të spikatura ne botë, nga 1944 deri në 1991, të rindërtojë thjesht një shtet të denjë për këtë emër.
Reflektimi im mbi këtë epokë u nxit me rastin e aktivitetit Takime Fotografike në qytetin e Arles, në kuadër të të cilit Anouck Durant, fotografe dhe historiane e re fraceze, përgatiti një ekspozitë dhe një foto-roman që meritojnë vëmendje.

"Miqësi e përjetshme", emri i ekspozitës dhe i librit, e njëjta shprehje që një kohë lidhte Pekinin dhe Tiranën, Mao Ce Dunin dhe Enver Hoxhën, udhëheqësi komunist shqiptar,  i vetmi që ndoqi Timonierin e Madh teksa pas prishjes me Bashkimin Sovietik “revizionist”, për të mbajtur lart flamurin e kuq të revolucionit.

Foto-romani dhe fotografët

Anouck Durand iu fut historisë së Shqipërisë, me  mendimin se do t’i mjaftonte një muaj, por janë rreth shtatë vjet tashmë që është e impenjuar dhe akoma nuk ia ka dalë mbanë... Ajo është interesuar për fotografinë e propagandës që Shqipëria, si të gjithë regjimet diktatoriale dhe jo vetëm, përdorte për të përmirësuar imazhin e saj, e mbi të gjitha, atë të udhëheqësit të madh.

Durand gjeti tre nga këta fotografë akoma në jetë, Pleurat Sulon, Refik Veselin e Katjusha Kumin, e vetmja grua e grupit, dhe fotografitë që ishin bërë gjatë komunizmit.

E me to krijoi një foto-roman. Po, një foto-roman si në revistat e të shkuarës, që tregon historinë e vërtetë, përmes fotografive të epokës -  por jashtë kontekstit për të cilin ishin bërë - të shkrepura nga ata të tre gjatë një vizite në Kinë në vitet '60.

Tre fotografët qenë dërguar në Kinë në kulmin e Revolucionit kulturor, për të mësuar një teknikë ngjyrimi që kishin zhvilluar fotografët kinezë: merrnin tri herë të njëjtën fotografi bardhezi, duke përdorur tre filtra të ndryshëm, një blu, një të verdhë dhe një të kuq.

Ironia e kësaj historie absurde është se në Shqipëri këta fotografë, sidomos misteriozja Katjusha Kumi, e cila bënte pjesë në një njësi speciale propagande, përdornin ndërkohë filmin me ngjyrë Kodachrome, por s’mund të pranohej në asnjë mënyrë publikisht, veçanërisht përpara vëllait të madh kinez, se po përdorej pajisje kapitaliste.

Interesi për këtë nismë, dëfryes në formë, por historik nëë përmbajtje, lindi nga tregimet e udhëtimit të fotografëve në vendin vëlla, ku u pritën me të gjitha nderimet. Përfshirë shtrëngimin e duarve me Maon, gjysmëperëndia që udhëhiqte Kinën. Ambasadori i atëhershëm shqiptar u kishte thënë atyre mesazhin që duhej të përcillnin:
Ritheksojmë edhe njëherë doktrinën: miqësia e përjetshme mes dy vendeve tona është e kohëve të fundit, por konsiderohet me seriozitetin më të madh nga dy vendet vëllezër”.

"Partia e Punës së Shqipërisë është një shembull i lavdishëm"

Mao ka tone lirike:
"Partia e Punës së Shqipërisë qëndron kundër revizionizmit modern e i kundërvihet klikës së Partisë Komuniste të Bashkimit Sovietik e pasuesve të saj, si edhe renegatëve jugosllavë të Titos. Partia e Punës së Shqipërisë është një shembull i lavdishëm për partitë dhe organizatat e gjithë botës. […] Parti e popuj të Kinës dhe të Shqipërisë, bashkohuni!".

Pas pritjes me Maon, vizitorët shqiptarë u çuan në një fabrikë ku të gjithë punëtorët donin "të preknin duart që po atë mëngjes kishin prekur ato të timonierit të Madh". Rezultati: "Pesë orë rresht shtrëngim duarsh". Kështu shkruhet si shënim mbi një foto të grupit të shqiptarëve, të rrethuar nga punëtorë kinezë që mbanin me krenari dinstiktivin e Maos mbi uniforma.

Pleurat Sulo dhe Refik Veseli ishin miq dhe mund t’i thonin njëri-tjetrit gjëra që u duheshin fshehur pushtetarëve komunistë. Në veçanti, lidhjen e të dytit me një familje shqiptare hebraike, që ishte transferuar në Izrael pasi i shpëtoi nazistëve gjatë luftës falë prindërve të tij. Shkruheshin kur mundëshin, por letrat e dërguara nga Shqipëria jashtë shtetit rilexoheshin e çensuroheshin.

Refiku mendoi të shfrytëzonte rastin e vizitës në Kinë për të shkruar më lirshëm, por shoku i tij ishte kundër nga frika se mos e zbulonin. Si përfundim, e hodhi letrën në një kuti postare në Bashkimin Sovietik, gjatë një ndalese për arsye teknike.

Pleutar Sulo

Gati gjysmë shekulli më vonë, Pleurat Sulo, tashmë një zotëri i plakur, krejt ndryshe nga i riu i foto-romanit, ishte në Arles në fillim të korrikut.

Ishte në radhën e parë gjatë një debati mbi fotografinë e propagandës me Anouck Durand, artistin anglez Martin Parr, që prezantoi disa albume fotografike kineze, dhe studiuesin e kulturës kineze, Claude Hudelot, që paraqiti një seri “panoramash” madhështore, fotografi-kujtim nga Kina maoiste që tregonin të gjithë punonjësit e "një qendre pune" rreth kuadrove drejtues apo edhe rreth vetë Maos.

Pleurat Sulo mori fjalën shkurtimisht për të nënvizuar se bëhej fjalë për tjetër kohë e për të falënderuar Anouck Durand që kishte ringjallur atë periudhë. Një periudhë që duket se harron tani që qëndron pranë Martin Parr-it, yllit të fotografisë bashkëkohore, apo  fotografes së re franceze, që i dha mundësinë e rizgjimit të kujtimeve, qoftë atyre të mira, qoftë atyre të këqija.

Por nëse sot kemi këtë foto-roman, kjo është e mundur pikërisht falë Pleuratit, i cili kishte ruajtur fotografitë e asaj kohe për shkak të një incidenti të historisë. Gjatë viteve '80, fotografi ishte burgosur për një vit nga regjimi komunist.

Ndërsa ai ishte pas hekurave, fotografët e tjerë kishin marrë urdhër të shkatërronin fotografitë e epokës së miqësisë me Kinën, për shkak të prishjes së kësaj “miqësie”, që duhej të kish qenë e përjetshme, pas vdekjes në 1976-ën, të Timonierit të madh. Shqiptarët nuk e mbështetën kthesën kapitaliste të Kinës, ndaj edhe, sipas rastit, portreti i Maos ishte hequr nga disa fotografi, të tjera ishin shkatërruar krejtësisht.

Të gjitha, përvec atyre të Pleuratit, i cili i ka rigjetur ato pasi doli nga burgu.

Kina zhduket nga horizonti shqiptar

Siç na kujton Gilles de Rapper, eksperti mbi Shqipërinë pranë Qendrës Kombëtare të Kërkimeve Shkencore franceze, në pasthënien e librit, pas 1978-ës "Kina zhduket nga horizonti shqiptar. Nuk janë më burim krenarie vizitat në Parkun e Pranverës, kalimet mbi lumin e Verdhë e aq më pak shtrëngimet e dorës me Timonierin e Madh. Kujtimet u shtypën, fotografitë u shkatërruan të gjitha ose pothuajse".

Çfarë thotë kjo histori mbi Shqipërinë e sotme? Flet për një periudhë që të rinjtë nën 20 vjeç, madje edhe në Shqipëri, nuk e njohin. Por flet mbi të gjitha për çmendurinë në të cilën ky vend ka qenë i zhyturpër shumë kohë, çmimin e të cilës vazhdon me siguri të paguajë edhe sot.

Besimi fetar, që ishte crrënjosur zyrtarisht nga Enver Hoxha, sot është rikthyer, me myslimanizmin, fe e 80% të shqiptarëve, apo besimin e krishterë që ka gjetur një vend të mundshëm për të bërë për vete.

Shqipëria, prej prej një kohe të gjatë e përshkruar në Evropë si një “shtet mafioz”, po ngrihet me dhimbje nga ky marksizëm-leninizëm i sforcuar, që nuk mjaftoi të fshihte varfërinë. Varfëri që sot ndihet rëndshëm, me rrogat më të ulëta në Evropë, një ekonomi informale që i korrespondon 25% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, apo një papunësi masive.

Ky vend ballkanik, mori më në fund një perspektivë evropiane nga 27 vendet anëtare, që do të thotë më shumë një nxitje për të punuar fort për të shkuar përpara, se sa një perspektivë e vërtetë integrimi brenda një të ardhme të parashikueshme. Sigurisht,edhe nacionalizmi shqiptar që do të donte të shihte bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, nuk i lehtëson gjërat.

Por përralla e “Miqësisë së përjetshme”, që u shfaq përmes fotografive të ngjyrosura të një epoke tjetër, na kujton peshën e historisë, e cila lë gjurmë të thella edhe shumë kohë pasi ajo faqe është kthyer.

Artikulli në origjinal: Quand l’Albanie était la meilleure amie de la Chine maoïste