Ndikimi i Kanunit në shoqërinë shqiptare - Shqiptari i Italisë

Histori

Kanuni është një tërësi normash zakonore të transmetuara gojarisht në shekuj. Në një farë mënyre ai është “Kushtetuta” e parë kombëtare. Origjina e Kanunit është akoma pak e qartë sepse tërësia e sjelljeve të përshkruara në të ishin të pranishme mes shqiptarëve të mesjetës. Për herë të parë Kanunin e shkruar e gjejme ne shekullin XV falë Lekë Dukagjinit i cili grupoi këto koncepte duke i kthyer në një ligj civil. Ne shekullin e XIX prifti françeskan Shtjefën Gjeçovi bëri një punë shumë të rëndësishme duke përmbledhur të gjitha ligjet dhe duke  lënë kështu një tekst te quajtur Kanuni i Lekë Dukagjinit. Në një shoqëri tradicionale si ajo shqiptare, Kanuni rregullonte të gjitha aspektet e jetës nga ato civile në ato penale.

Filozofia e Kanunit është shumë e vështirë të kuptohet në qoftë se nuk je rritur në një mjedis kulturor si ai i Shqipërisë së veriut ose Kosovë.

Kanuni përshkruante një shoqëri të përbërë nga klane ose fise patriakale ku pushteti ishte ndërtuar në mënyrë piramidale me në krye kryeplakun që zgjidhej nga fisi. Për interpretimin e Kanunit në zgjidhjen e kontraditave mblidhej këshilli i Kryepleqve.

Ndërthurja e normave kolektive dhe individuale kishin në qendër një figurë mashkullore të quajtur “burrë nderi”. Nderi ishte më i rëndësishëm sesa vetë jeta dhe moszbatimi i Kanunit konsiderohej si një çnderim.

Roli i gruas në shoqëri ishte minimal. Ajo  nuk mund te zgjidhte  per jeten e saj, nuk mund te trashegonte pasuri, nuk mund të rrinte bashke në dhomën e burrave, nuk përfshihej në hakmarrje, konsiderohej “pronë”, në fillim e familjes ku lindte dhe më vonë e familjes ku shkonte nuse.

Në familjet ku nuk lindte një mashkull apo që mbeteshin pa meshkuj, një nga grate behej burre. Zgjedhja e konvertimit - duke bere një betim para keshillit te pleqve – e kthente gruan në “burrneshë”. Nga betimi e me mbas, trajtohej njësoj si burrë. Por çmimi per te paguar ishte refuzimi i dashurise dhe I jetes seksuale. Shkaqet kryesore të transformimit të rolit social të gruas ishin:

- Kur në familje nuk kishin një trashgimtar mashkull një nga femrat e familjes bëhej burrneshë për trashëgimin e pasurisë.

- Për të evituar një gjakmarje kur vajza kërkohej nga familja e burrit e cila e kishte “prenotuar” që në lindje. Refuzimi i vajzës për tu martuar shkaktonte detyrimin e pagesës së një shume të majme parash dhe një borxh gjaku ku familja e burrit mund e zgjidhte ta falte ose ta merte gjakun. Sipas Kanunit: “Po s’ndigioi vajza me shkue m’at fat, qi e kâ xânë, e edhe prindja i perkrahen së bis, kjo s’mund të martohet mâ për të gjallët e dhandrrit me tjeterkend” (Gjeçovi, 1986, 58).

- Kur të gjithë meshkujt e shtëpisë vriteshin nga hasmi një nga femrat merrte vendimin të bëhej burrneshë  kështu mund të përdorte armët për marrjen e gjakut. Sipas Kanunit: “Virgjinat (femnat qi veshen si burrë): s’veçohen prej grâsh tjera, posë qi janë të lira me ndejë nder burra, porse pa tagër zânit e kuvendit”. (Gjeçovi, 1986, 152)

Shumë studiues, misionarë dhe sociologë  janë çuditur me këtë krijesë duke shprehur dhe shenja respekti për vendimin e konvertimit. Sociologët kanë shpjeguar që ky fenomen nuk ka të bejë me homoseksualitetin që në Shqipëri është tabu akoma dhe sot.

Me ardhjen ne pushtet te mbretit Zog Kanuni u zëvendësua me ligjet e kodit civil të marra nga tradita perëndimore. Më pas edhe nga diktatura e Enver Hoxhës Kanuni u refuzua dhe u konsiderua si rrezik për shtetin.

Me rënien e komunizmit dhe ardhjen e democracisë në vitin 1990 marrëdhëniet shoqërore u rregulluan nga ligje demokratike. Megjithatë në zonat malore të Shqipërisë së veriut, Kanuni është akoma sot si burim i se drejtes. Akoma sot shoqëria shqiptare duket se nga njëra anë rregullohet nga ligjet demokratike të shkruara dhe nga ana tjetër ndikohet nga tradita zakonore.

Përgatiti Biorni Sulillari