Nuri Zane, çami që përjetoi tre gjenocide - Shqiptari i Italisë

Histori
Nuri Emin Zane nga Filati i Çamërisë u persekutua nga grekët, nga gjermanët e së fundi në Shqipëri nga regjimi komunist

Nuri Zane ka lindur 100 vjet më parë në Filat të Çamërisë. Që motak, bashkë me nënën e tij dhe me dy vëllezërit, do të shkonin në Stamboll për shkak të pozitave që kishte daja i tyre, Abdurrahmani, si Yzbash i Janinës dhe rënia e Perandorisë Turke do t’u krijonte atyre probleme fatale për jetën. Lufta Ballkanike dhe më pas Lufta I Botërore u bënë shkas që fëmijëria e Nuriut të kalohej në Stamboll në një jetimore, dhe në përfundim të luftës së Qemal Ataturkut për krijimin e Republikës së Turqisë, është kthyer në Çamëri nga xhaxhai i tyre Hasan Zane.  

Jeta në qytetin e lindjes në Filat ka qenë një kalvar vuajtjesh derisa iu dogj edhe shtëpia nga një rrufe e çuditshme që vrau edhe gratë e shtëpisë së Emin Zanes. Vigjilja e Luftës II Botërore që u shoqërua edhe me problemet e mëdha të popullatës çame me bandat e andartëve që u krijonin probleme popullatës myslimane, i detyroi dy vëllezërit Zane, Nustretin dhe Nuriun, që bashkë me babanë e tyre Eminin, të vinin e të transferonin pjesërisht kapitalet e tyre në Delvinë e Berat ku edhe punonin në zanatin e tyre të këpucëbërësit.

Internimi i babait të tyre nga qarqet zyrtare greke në Hio më 1941, hapi një problem të madh për jetesën e kësaj familjeje që e shihte mbështetjen e luftës antifashiste si mbështetje për familjen. Por kjo ra në sy të korofillaqisë e cila kishte vënë në shënjestër Nuriun dhe në prill 1944 e denoncojnë tek komanda gjermane e cila e kap në Janinë dhe e internojnë në Mat’hausen e më pas në Dakao e Munih të Gjermanisë.

“Ishte kjo një humbje për familjen që detyronte babanë e tij, Eminin, dhe vëllain e madh të tij, Nustretin, të sakrifikonin shumë për mbajtjen e familjes, tre vëllezërit e tjerë dhe dy motrat. Por kjo nuk zgjati shumë se pas 27 qershorit 1944 familja do të merret rrugën e refugjatit për në Shqipëri si shumë çamë të tjerë që gjetën strehim në vatrat e vëllezërve të tyre në Shqipëri”, thotë djali i Nuriut, Hyqmeti.

Fatet e luftës nuk diheshin, dhe për familjen Zane nisi një persekutim i madh se nga një anë mbanin në kurriz fatkeqësitë që kishin kaluar dhe nga ana tjetër internimi i Nuriut në kampet e shfarosjes në masë si një gjenocid tipik nazist shoqërohej edhe me gjenocidin grek mbi popullatën e pafajshme të Çamërisë.

Por fati e desh që Nuriu të kthehej gjallë dhe të gëzonte babanë, gruan e tij, Nailen, dhe 4 vëllezërit e 2 motrat e tij.

“Puna dhe mundimet bënë që familja të merrte pak veten por një sistem dikatorial që vinte në rrezik jetën e kujtdo që fliste, për familjen Zane do të ishte një problem i madh. Personaliteti i tyre si njerëz me integritet dhe nga një familje me emër do të duhej të përballeshin edhe me problemet që krijonte jeta në një vend ku diktatura komuniste bënte të vetën”, shton Hyqmeti.
Kështu, në vitet e mëpasshme, Nuri Zane që kishte provuar dy gjenocidet, atë gjerman dhe atë grek, do të gjendej në birucat e hetuesisë së Elbasanit nën kërcënimin e jetës nga hetuesi Thanas Caku dhe shefi i degës së brendshme të asaj kohe Shim Kolla.    
Gjithë kjo vetëm e vetëm pse ai ishte nga Çamëria, vetëm e vetëm se ai ishte krenar për kontributet e tij në luftën antifashiste.

Për Nuriun dhe familjen e tij do të niste një kalvar tjetër vuajtjesh dhe persekutimi. Gruaja e tij, Naile, do të punonte gjithë jetën në ndërtim dhe djali i tij, një sportist i kategorisë së parë në ngritje peshash mezi do të mundte të siguronte një të drejtë studimi për Gjuhë-Letërsi.
I dënuar me 6 vjet burg që pjesën më të madhe e kreu në fabrikën e çimentos në Fushë Krujë dhe më pas në Talje të Lezhës, Nuri Zane provoi kështu mbi kurrizin e tij edhe persekutimin komunist. Marazi i tij deri në vdekje ishte që nuk e pa më Pashenë, nënën e tij të dashur prej të cilës u nda që nga mosha 11 vjeç.

Edhe pse Nuriu me kontributin e tij duhej të quhej veteran i luftës si shumë e shumë të tjerë që nuk kishin kontributet e tij, u kthye në problem të madh për familjarët e tij, pasi shefat e kuadrit të vëllezërve dhe motrave sapo mësonin që ata kishin një vëlla që kishte qenë në burg, i largonin nga puna pa marrë parasysh që po ky vëlla ishte edhe një nga ata burra që u internua si antifashist në kampet famëkëqij të Austrisë e Gjermanisë.

Vetëm në demokraci, 7 vjet pas vdekjes së tij më 4 nëntor 1998, do të ishte Presidenti Sali Berisha që do të jepte një Certifikatë nderimi me rastin e 50 vjetorit të fitores mbi fashizmin dhe pas 17 vjetësh, Nuri Zane më 11 shkurt 2005 u dekorua me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” nga Presidenti Alfred Moisiu, i pari pjesëtar i komunitetit çam në Shqipëri që dekorohet si antifashist.

Miranda Sadiku