“Perëndia” dhe “Zoti” në gjuhën shqipe - Shqiptari i Italisë

Histori
Ku qëndron ndryshimi midis fjalëve “perëndi” dhe “zot”? A mund të alternohen këto përdorime në shqipen e sotme? Ndërsa fillojmë të mendojmë e të pyesim, na del një pyetje tjetër: çfarë gjinie ka “Perëndia” në gjuhën tonë? A mund të jetë “Perëndia”  e gjinisë femërore?

Nga Atë Foti Cici

Në dëgjim të parë fjala Perëndi duket më “plakë”, si rituale, më pak e përditshme, jo  e standardit, ndërsa fjala “Zot” si më e përdorshme nga shqiptarët, “e modës”, më e thjeshtë, e drejtpërdrejtë, jo liturgjike. Ku është ndryshimi midis dy fjalëve? A mund të alternohen këto përdorime në shqipen e sotme? Ndërsa fillojmë të mendojmë e të pyesim, na del një pyetje tjetër: çfarë gjinie ka “Perëndia” në gjuhën tonë? A mund të ketë “Perëndia” gjini femërore?

Shumë prej nesh nuk i kanë menduar pyetje të tilla, sepse çdo gjë e natyrshme në gjuhë nuk ngre pyetje. Të huajt, veçse, janë të parët që e shquajnë dukurinë në fjalë, e madje si “çrregullsi”, të paktën, në përpjestimet e gjinisë, por dhe të synimeve kuptimore. Një çast i tillë, si dhe habitorja e vendorëve për t’u përgjigjur, u jep nxënësve të shqipes njëfarë ngushëllimi në ndërlikimet e sigurta të gramatikës sonë. Edhe përkthyesit, sidomos rishtarët e misioneve, befasohen kur për herë të parë iu kërkohet të përkthejnë tjetër për tjetër emra e përemra kaq “absolutë” në gjuhë të tjera.  

Në këtë shkrim nuk kam për qëllim arsyetimin e ngurtë të pyetjes mbi gjininë e “Perëndisë”, a të Perëndisë, as thellimin kuptimor tek nocioni “Zot”. Ndalesa ime është vëzhgimi i fjalëve në përzgjedhjet e përdoruesve të shqipes si një ngjyrim etnokulturor. E duke bërë këtë, nuk bëjmë gjë tjetër veçse pohojmë një pikë sfiduese në lëmin përkthimor të letrave tona.

“Perëndia” dhe “Zoti” sot

Kisharët e sotëm këmbëngulin se Perëndia është ajo fjalë që shpreh atë që thotë greqishtja Theos dhe anglishtja God, ndërsa fjala Zot është ajo që thuhet Kyrios dhe Lord, përkatësisht te këto dy gjuhë. Por ja që shqipja nuk është kaq e thjeshtë sa ç’duket me të parën. Jemi të detyruar të pranojmë, për të ruajtur përpjestimet historike të shqipes spirituale, se një përdorim i tillë mund të sugjerohet vetëm në gjuhën adhurimore, në terminologjinë liturgjike të ortodoksëve (Flas për zonën ortodokse sepse atje kam liri të plotë ndërhyrjeje e sugjerimi). Përndryshe fjala Zot në shqipe ka të njëjtën përkthim me atë Perëndi, gjë që fjala Kyrios nuk e ka me atë Theos, dhe as fjala Lord me atë God.

Kur shqiptarët pyesin për të përcaktuar realitetin hyjnor, ata thonë, “a beson në Zot”, “a ka Zot”, “t’a bëftë Zoti mirë”, “dhëntë Zoti”, e shumë të tjera, duke e lënë të shprehurit me “Perëndi” për trajtat dialektore, a diçka shumë të veçantë, poetike a rituale. Kjo nuk ndodh në gjuhë të tjera. “Zoti”, në greqishte dhe në anglishte, fjala bie, është biri i Perëndisë, por jo vetë Perëndia.

Bashkëkohës që flasin e lërojnë shqipen standarde, përdorin Zot si përzgjedhje të drejtpërdrejtë, të sigurt në formulim. Për shembull: “…Shqipërinë e ruan Zoti dhe jo qeveria.” (Besnik Mustafaj, Koha Jonë, 21 mars 2004). Ndërsa fjala Perëndi ka më tepër përdorim nuancor, poetik, paksa rrëshqitës nga kompaktësia e standardit: “Fuqi të tilla duken si një perëndi e rrezikshme”(Mimoza Ahmeti, Shekulli, 20 maj 2004). Ky shembull i cituar sjell të qartë dhe gjininë e Perëndisë, e cila e ka natyrshmërinë në femërore: “perëndi e rrezikshme”, në një kohë që në terminologjinë kishtare kjo është “mashkullorizuar”: “Perëndi i madh”, për shembull.

Fillimisht “Perëndi” do të thoshte në gjuhën shqipe “mbretëri”. Kështu është e regjistruar kjo tek autorët e vjetër deri tek Anonimi i Elbasanit (1761), ku e gjejmë të përdoret me të dy kuptimet, herë “Perëndi” e herë “mbretëri”, aq sa ka nuancuar dhe përkthimin e dorëshkrimit në anglishte, nga vetë Dr. Robert Elsie. Ndryshimi i gjinisë së “Perëndisë” nga femërore në mashkullore, është aq i vjetër sa ç’është dhe kuptimi i sotëm i kësaj fjale. Shndërrimi i gjinisë u ndërfut si pasojë e ideologjisë së krishterë në përkthim, ku Zoti është i simbolizuar mashkull dhe duhet që me domosdo të jetë i gjinisë mashkullore, siç është në gjuhët origjinale. Shumë pararendës, sidomos Kristoforidhi, iu dorëzuan kësaj bindjeje, duke e gjuhëzuar Perëndinë në gjininë mashkullore. Asnjë botim i traditës, veçse, nuk është qind për qind i njëtrajtshëm në këtë pikë. Edhe Kristoforidhi, si dhe të tjerë mbas tij, ka lënë të dokumentuar shembuj natyrorë të shqipes, ku Perëndia është e gjinisë femërore, dhe jo ashtu siç deshte t’a gjinizonte ai.  

Ata që imitojnë sot tekstet e traditës spirituale në drejtshkrim, janë vetë ata me përvojë spirituale. Përndryshe përdoruesit e sotëm përdorin fjalën Zot, ndërsa kur nevojitet Perëndi, kjo shtrihet sipas përmasës së saj kulturore; në gjininë femërore. Një përdorim të kujdesshëm vura re sot në shtypin e Tiranës, tek po lexoja një shkrim nga një filolog i mirënjohur: ”Po sikur një nxënës (...) të thoshte: ‘Perëndia jonë është i vetmi Zot që bëri botën’...” (Edmond Tupja, Panorama, 16 janar 2005). Këtu vihet re përkujdesja e shkruesit, sepse gjinia e Perëndisë është femërore, jonë, por më tutje, nga dilema për të shkruar “E Vetmja që bëri botën”, autori negociohet me alternimin “i vetmi Zot”. Por jo të gjithë janë kaq ndijimorë në nuancat e shqipes.  

Sidoqoftë, ky përshkrim përmbledhës tregon se, pavarësisht nga ngulmi i institucioneve fetare për disa breza, shqiptarët e sotëm vazhdojnë të ruajnë përdorimin tradicional/kulturor të fjalës Perëndi, duke e lakuar atë në gjininë femërore, por duke u distancuar nga përdorimi i plotë brenda saj, e sidomos duke u siguruar tek fjala Zot, si më përcaktuese në shqipen e sotme.

Në fakt, i Epërmi që na është simbolizuar si i gjinisë mashkullore, teologjikisht është tej gjinive, pra është i pagjinishëm, që për ne do të thotë se është i dygjinishëm. Në qoftë se kjo nuk ekziston në gjuhë të tjera bashkëkohore, kush e ka fajin që rasti shqiptar po përdhunohet? Sado absurde që të jetë kjo për ata që nuk e flasin shqipen që për së vogli, rrugëtimi i kësaj trajte të rrallë përmes shqipes së shekujve të fundit shpreh një veçori të mrekullueshme, një nga pikat e denja për përqasje ndërgjuhësore. Sikleti për të pranuar një Perëndi të gjinisë femërore, është më i vogël sesa pranimi i dhunimit të intuitës gjuhësore, të paktën në tekstet jashtë adhurimit.

Perënditë pararendëse

Do të ishte interesante të rrëmonim gjithë tekstualitetin e traditës shqipe, pavarësisht se edhe një lexim përfaqësor mjafton të mbysë habinë tonë. Naim Frashëri përdor me të njëjtën lehtësi Perëndi dhe Zot, përveçse kur kërkon të përftojë rimën, nën shtrëngesën e rrymave poetike të modeleve të tij: “Po të nderojë njeriu njerinë/e ka nderuar dhe Perëndinë/Në zëmrët tënë e gjejmë Zonë/shtëpi’ e ti ‘shtë zëmëra jonë” (“Besojmë”, Lulet e Verësë). Pra, në vitet e tij kuptimi i emrave Perëndi e Zot ishte njësoj si sot, por ama i njëjtë duket dhe përdorimi, gjë që sot është shpërpjestuar.

Perëndia për Naimin ishte ashtu siç e ka shqipja, në gjininë femërore.  “Fuqit’ e Perëndisë/duket tekdo/se shpirt’i gjithësisë/po është ajo” (“Zëmëra”, Lulet e Verësë). Përderisa Naim Frashëri nuk ishte i krishterë, e kishte më të lehtë të shkruante shqip siç ndjente, ndërsa intelektualët e krishterë ato vite, si Kristoforidhi për shembull, krijonin nën një presion gjuhësor, përderisa ata që investonin për të shtypur librat e tij shqip nuk kishin synime kombëtariste në gjuhë, por vetëm spirituale. Nëpërmjet përkthimeve ne trashëguam shumë, por midis tyre ndjemë dhe tëhuajtje të shqipes.

Ndërsa Faik Konica përdor më shumë Perëndia sesa Zoti, edhe pse nuk mohon asnjë trajtë. Edhe ky ruan gjininë femërore, por jo gjithmonë:  “Të lëvdojmë Perëndinë/që krijojti bukurinë/... S’është i ashpër, pa mëshirë/ësht’ i fortë dhe i mirë.” (Fausti i Ri). Më poshtë Konica flet për “Zotin” dhe nuk dihet se në ç’varg e ka ndarë nga mendja e tij aq detajuese Perëndinë nga Zoti: “Lëvdim Zotit plot me shie/q’i dha botës këtë hie”. Në prozën shqipe, ku Konica është i përhershëm, ai e ka përdorur gjerë fjalën Perëndi, dhe madje shumë të lakuar në femërore: “Perënditë, thanë pleqtë, janë të kënaqura nga patriotizma juaj...” (Shqipëria si m’u duk). Sidoqoftë, ky rast nuk është kaq i vështirë sa ç’është ky që vijon, ku autori ka bërë mbitheksime, që tregon se e ka peshuar mirë përdorimin: “S’ka forcë as fuqi veç se te Perëndia, e Larta, e Madhia!” (Pralla e tregëtarit dhe e xhindit).

Deri këtu shohim se rilindasit janë kaq të shpenguar me “femëroren” e Perëndisë, saqë e lakojnë në sipërore, duke  përveçësuar madje dhe mbiemrat “e Saj”.
Duke kapërcyer shqipen eksperimentuese të Konicës, pothuaj kudo gjetkë gjejmë përdorimin e fjalës Zot, në vend të Perëndisë. Me epërsinë e përdorimit të sotëm, kjo duket kthjellët tek poezia e Lasgush Poradecit, pothuaj në gjithë veprën e tij, por sidomos në përsiatjet e tij filozofike: “O Zot! Po rroj pëndesën e jetës mê së nxire...”, duke e titulluar madje poezinë “Njeriu dhe Zoti” (Vallja e përjetësisë). I veçuar nga tokësorët, por dhe nga të shenjtat e tyre, ky poet nuk kapet kurrë liturgjik në përzgjedhjet e tij gjuhësore.

Ndërsa Zoti është fjala që Lasgushi ka përdorur më shumë, Perëndia përdoret nga ai me nuanca spirituale, njësoj siç e përdorim sot: “Një çikë frymë shentërije/një çikë erë perëndi”, tek poezia “Era e perëndisë” (Zemra ime). Kjo poezi mban nënshkrimin se është shkruar një të diel në mëngjes, “në shtrat”, në një rrugë me emër shenjtori, ndërsa të tjerët po shkonin të luteshin në kishë, ku pa dyshim Llazari i vogël pati konsumuar qindra orë, të paktën, të kureshtjes së tij fëminore, të denja këto për një pickim të pashëruar të mekanizmit gjuhësor. Atje, në tempull, gjithçka përkthehej në shqipen dialektore të mjedisit, lektike apo semiotike, pavarësisht se ishte apo s’ishte “Perëndi”... Por ky është një hamendësim, i cili edhe sikur të mos përjashtojë hipotezën, nuk del nga tejdukshmëria e shqipes së Lasgushit.

Lexo edhe: “Perëndia” dhe “Zoti” në gjuhën shqipe/2