Përkujtohet 40-vjetori i revoltës së Spaçit - Shqiptari i Italisë

Histori
Me rastin e 40-vjetorit të revoltës së Spaçit, në Muzeun Historik Kombëtar u mbajt dje një konferencë përkujtimore në kujtim të të ekzekutuarve dhe të dhjetërave të burgosurve të tjerë, që pas kësaj revolte u ridënuan me më shumë se 1700 vite burg. Ish të burgosur dhe të afërm të tyre u rikthyen në burgun famëkeq të Spaçit, që tani ka mbetur një gërmadhë, simbol i egërsisë së regjimit komunist

Me rastin e 40-vjetorit të revoltës së Spaçit, në Muzeun Historik Kombëtar u mbajt një konferencë përkujtimore në kujtim të të ekzekutuarve Dervish Bejko, Hajro Pashaj, Pal Zefi dhe Skënder Daja, si dhe të dhjetërave të burgosurve të tjerë, që pas kësaj revolte u ridënuan me më shumë se 1700 vite burg.

40 vjet më parë, të burgosurit politikë në burgun famëkeq të Spaçit u ngritën në një revoltë më 21 maj të vitit 1973, revoltë antikomuniste që përfundoi pas disa ditësh me pushkatimin e disa prej të burgosurve politikë. Pushtimi i kampit nga të burgosurit zgjati deri në datën 24 maj të vitit 1973, kur forca shtesë nga Tirana shtypën revoltën. Me një gjykim që zgjati vetëm 13 orë disa nga të burgosurit u dënuan e me pas u pushkatuan.

Duke përshëndetur këtë konferencë, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Visar Zhiti, edhe vetë ish i dënuar politik, tha se të burgosurit u ngritën kundër dhunës, u rebeluan duke hedhur parrulla për një Shqipëri demokratike, perëndimore, e të drejtave të njeriut. 

“Përkujtojmë sot, siç kemi bërë rregullisht këto 20 vjet, heroizmin e tyre, jetët e ndërprera, dhe përcjellim së bashku mesazhin e tyre dhe u themi me solemnitet: se ëndrra për një Shqipëri të hapur dhe të lirë u bë ëndrra për një jetë të begatë, me pasuri tëndën, me vlera e virtyte, ka nisur dhe vazhdon e sigurt”, tha Zhiti.

Në këtë konferencë dëshmuan Luan Burimi dhe Kadri Fishta, pjesëmarrës në Revoltën e Spaçit, të cilët treguan kujtimet e tyre për ato ditë heroike dhe tragjike njëkohësisht që dëshmon se diktatura nuk e kishte mposhtur shpirtin e lirisë të shqiptarëve dhe as e kishte shuar endrrën e tyre europiane.

Ish të burgosur dhe të afërm të tyre u rikthyen në burgun famëkeq të Spaçit, që tani ka mbetur një gërmadhë, simbol i egërsisë së regjimit komunist. Ata kanë vizituar dhomat ku kaluan nën tortura vitet e tyre të rinisë.

Në kujtim të viktimave dhe ish të burgosurve të burgut famëkeq, risjellim një pjesë nga “Rrugët e ferrit – Burgologjia ime për Spaçin dhe më parë”, libri i shkrimtarit dhe poetit Visar Zhiti, sot ministër i Kulturës, i cili ka provuar mbi shpatulla 10 vite të gjata në burgun e Spaçit:

Visar Zhiti rrëfen: Si më dënuan për poezitë

Qafë-Bari, 22 maj 1984, aty ku Visar Zhiti po vuante dënimin si i burgosur politik, në Qafë-Bari. Në historikun e burgjeve politike, pas revoltës së Spaçit në vitin 1973, kjo e Qafë-Barit do të ishte tronditja e dytë më e madhe me karakter të fuqishëm antikomunist. Si e tillë, nuk mund të kalonte pa viktima: Dy të burgosur politikë u pushkatuan, ndërsa 10 të tjerë u dënuan me 172 vite burg gjithsej. Kjo tragjedi është pasqyruar me detaje në librin “Ferri i çarë” të Visar Zhitit, nga ku gazeta “Panorama” sot ka shkëputur disa pjesë me rastin e 29-vjetorit të revoltës. Zhiti është “kompetent” për ta përshkruar atë masakër njerëzore jo vetëm nga talenti si shkrimtar, por sepse ka qenë edhe vetë protagonist e dëshmitar…

Qafë-Bari, 22 maj 1984. Zhiti: "Ja masakrat e policëve mbi të burgosurit politikë"