Procesi i Vlorës 1945, dëshmitë - BRENGA IME SHQIPTARE - Shqiptari i Italisë

Histori
Ky libër me autor Aldo Renato Terrusi, rrëfen udhëtimin e tij dhe të dajës, Xhakomo, të cilët kthehen në Shqipëri pas dyzet e katër vjetësh. Aldo ishte ende fëmijë kur regjimi i Enver Hoxhës i burgosi të atin në famëkeqin burg të Burrelit, ku dhe vdiq pa i dhënë as lamtumirën e fundit të birit dhe të shoqes. Dëshira e Aldos është të kthejë në atdhe eshtrat e të atit, dëshirë që ndërkëmbehet pikëllueshëm me të kaluarën e dhimbshme të familjes Terruzi në Shqipëri dhe të një kombi që edhe sot e kësaj dite ka në lëkurë shenjat e pashlyeshme të diktaturës. Nëpërmjet kujtimeve të familjes, dëshmive, fotografive të kohës dhe dokumenteve origjinale të procesit të të atit në vitin 1945, ripërshkohen ngjarje dramatike të faqeve historike më të zymta të Vendit të Shqiponjave. Me dëshirë të autorit dhe lejen e botuesit, po botojmë pjesë pjesë, të gjithë librin.

Pjesa e dytë

Lexo më parë gjithë pjesën e parë:
Brenga ime shqiptare - Rikthimi
Dajti
Shoku i vjetër
Aurelia dhe Xhuzepe
Shtëpia e Xhavitit
Rrugës për në Vlorë
Takimi me Petritin
Kokoshi në hotel Dajti
Komiteti Olimpik
Burgu i Burrelit
Pjesa e dytë
Dokumentet e Procesit të Vlorës 1945
Procesi i Vlorës: Informatat dhe akt-akuza


Dëshmi e Aurelia Pozeli Terruzit (Shtojca 5)

Qelia në burgun e Burrelit ku ishte mbajtur Giuseppe TerrusiKomisionit për Krimet e Luftës.

Unë e nënshkruara Aurelia Terruzi, bashkëshortja e Xhuzepe Terruzit, ish-funksionar i Bankës Kombëtare të Shqipërisë, ju paraqes kërkesën në vijim, e bindur që ky komision do ta marrë në shqyrtim me dashamirësi dhe paanësi.
Familja ime mbërriti në Shqipëri në vitin 1928 dhe u vendos në Gjirokastër. Aty u njoha dhe u martova me të sipërpërmendurin. Gjatë dhjetë viteve të jetës bashkëshortore në fillim në Gjirokastër, Sarandë dhe më vonë këtu në Vlorë, nuk di të jetë marrë kurrë me politikë, përveçse me punën e tij në bankë, për të mirën e vendit. Në të tre vendet ku ka punuar si nëpunës banke, është përpjekur të mbajë marrëdhënie shumë të mira me banorët vendas, të cilët e kanë parë përherë me simpati, edhe atëherë kur u shpërngulëm nga një qytet në tjetrin banorët na përcollën me mallëngjim dhe dashuri.
Jam e sigurtë se për sa është shkruar më sipër do të merret në konsideratë. Kam besim të plotë, sepse janë shprehje e shpirtit tim që po vuan për të rritur djalin e vetëm, sepse për popullin me të cilin kam kaluar ditë të bukura të jetës sime dhe vuajtje gjatë luftës, kam ndjenja dashurie dhe vëllazërie. (14*)
Unë, e bindur në Drejtësinë e Popullit Shqiptar, lutem që çështja ime të merret në shqyrtim me hollësi dhe t’i jepet bashkëshortit liria, për të mirën e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare të mbarë botës.
Mbetem në pritje të pranimit dashamirës që do t’i rezervoni lutjes sime.

Vlorë 7 Dhjetor 1945                         
Aurelia Terruzi

(14*) Bashkëshorti i Aurelias, Xhuzepe, ndodhet në burgun e Vlorës bashkë me Belucin që nga prilli i vitit 1945. Aurelias nuk i mbetet gjë tjetër veçse t’i shkruajë një letër të thjeshtë dhe të kujdesshme Komisionit hetues, në mbrojtje të të shoqit, për dhënien e lirisë. Ajo përshkruan shkurtimisht karakterin dhe zakonet e burrit me të cilin ndau për 10 vjet jetën e saj: ai ka qenë përherë një bashkëshort i përsosur, një nëpunës kërkues nga vetja dhe korrekt me vartësit e tij, një mik, i parë me simpati nga banorët vendas, që nuk ishte marrë kurrë me politikë, që kishte një djalë 3 muajsh i cili do të rritej pa të atin.
Të gjithë kishin shpresa dhe një bindje të arsyeshme në faljen e Gjykatës, edhe pse regjimi, të cilit edhe ajo vetë i ishte nënshtruar, zor se jepte shpresa për lirimin. Presioni që hija e Enver Hoxhës hidhte tashmë në të gjitha hallkat e nomenklaturës ishte shumë i fortë. 

Shoqëruar me akuzën e Komisionit për Krimet e Luftës ndaj Xhuzepes të tre krimeve që i visheshin, merren, ndaraz, edhe dëshmitë me shkrim dhe me kundërfirmë të disa dëshmitarëve.

Dëshmia e Namik Xhafajt (Shtojca 6)

Unë i nënshkruari Namik Xhafaj.
Deklaroj se gjatë kohës që kam qenë nëpunës i ish-Bankës Kombëtare, drejtor i së cilës ishte atëherë Xhuzepe Terruzi, e kam njohur këtë si një njeri të ndershëm, me të gjithë nëpunësit sillej mjaft korrekt dhe, për më tepër, kisha konstatuar te ai një njeri që nuk merrej aspak me çështje politike. Edhe më vonë, kur unë u largova nga Banka, kam pasur rast të shihja dhe të dëgjoja se Xhuzepeja nuk ishte armik i vendit tonë, si p.sh., në rastin kur Inspektori i Federatës së Vlorës akuzonte ish-drejtorin e Shkollës Tregtare, Prof. Leonettin, i cili toleronte që në shkollë të kishte njëfarë lirie mbledhjeje, organizimi etj. 
Shkurtimisht, dua të them që Xhuzepe Terruzi, gjithmonë me sa kam mundur të kuptoj unë, është një njeri që nuk është marrë abosulutisht me politikë, një njeri që nuk do t’i bëjë keq as një njeriu. Ai mund të jetë viktimë e ndonjë shpifjeje. Ai ka jetuar gjithmonë në rrethin e tij familjar.  (15*)

V.F.L.P. / 11-12-45

(15*) Dëshmia e Namik Xhafajt, shqiptar, nëpunës i Bankës së Vlorës, nënvizon cilësitë e Xhuzepes: ndershmërinë, lidhjen me detyrën, sjelljen korrekte, distancën nga politika. Guxon dhe shkruan për shpifje që mund t’i jenë bërë Xhuzepes, por do të vuajë pasojat për këtë.

Dëshmia e Nuri Bexhet Drasës (Shtojca 7)

I nënshkruari Nuri Bexhet Drasa nga Gjirokastra dhe banues në Vlorë, deklaroj sa pason:
Prej një kohe gati 14-15 vjet, njoh Z. Xhuzepe Terruzi, ish-nëpunë e drejtor banke – Dega e Vlorës.
Kam konstatuar punëtorin e ndershëm e të palodhur në kryerjen e detyrës së tij, si bankier. Megjithëse të njohur familjarisht qysh në Gjirokastër, as kurrë nuk e kam dëgjuar e as kam konstatuar që z.Terruzi të merrej ose të bisedonte çështje politike. 
Në një moment kur Komandanti i Operacionit, Konsulli Klemente, kishte urdhëruar internimin e familjes Reis Malile, - sot zv.Komisar i Divizionit V – i nënshkruari, shoqëruar prej z. Isuf Peshkëpia, jemi konsultuar me z. Terruzi nëse mund të na ndihmonte, megjithëse edhe me z.Peshkëpia kishte miqësi të ngushtë, kritikoi veprimet e komandantit të të tjerëve, duke na thënë se atij as i dëgjohej fjala e as kishte ndonjë lidhje. Na shtoi se ishte i mërzitur që nuk kishte mundësi për t’i ardhur në ndihmë vëllait të Hysni Kapos, që me sa më kujtohet, në atë kohë ishte arrestuar. (16*)
Lëshoj këtë deklaratë të shkruar prej meje për hirin e të vërtetës, dhe të mbyllur në pliko, ia paraqes Gjykatës Kompetente në Vlorë.      

Vlorë, 15-12-1945  
Nuri B. Drasa

(16*) Dëshmia e Nuri Bexhet Drasës, shqiptar, të njohur prej shumë vitesh, e quan Xhuzepen një punëtor të ndershëm dhe të palodhur, besnik ndaj detyrës së vet, larg politikës dhe nxjerr në pah gatishmërinë e tij për t’u dhënë ndihmë shqiptarëve në telashe. 

Dëshmia e Loro Musanit (Shtojca 8)

I nënshkruari Loro Musani, lindur në Shkodër në 1889, nënshtetas shqiptar, sot Drejtor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Bankës së Shtetit Shqiptar në Tiranë, deklaron se njeh z. Xhuzepe Terruzi qysh në vitin 1926 dhe që me të ka bashkëpunuar me ish-Bankën Kombëtare në degë të ndryshme të Institutit në Shqipëri. 
Sjellet e tij kanë qenë kurdoherë shembullore dhe korrekte: nuk është marrë kurrë me politikë dhe as nuk ka dhënë kurrë shkak ankimesh prej qytetarëve të vendit. 
Gjithmonë punëtor i zellshëm në detyrat zyrtare që i ishin ngarkuar. Ka filluar karrierën e tij si teknik kontabiliteti në lëndën bankare dhe me vullnetin e mirë dhe me zotësinë e tij ka arritur të formojë një pozicion të mirë në Bankë.
I kujdesshëm në mënyrë të gjallë për familjen e tij.
Si pjesëtar i Drejtorisë Qendrore të ish-Bankës Kombëtare të Shqipërisë, vërtetoj se gjatë okupimit të Shqipërisë nga trupat gjermane janë tërhequr me forcë nga ushtria armike e degës së Vlorës, me datë 12 tetor 1944 afro 300.000 franga shqiptare, veprim të cilin zoti Terruzi ia ka komunikuar me të shpejtë Drejtorisë Qendrore të bankës në Tiranë. Për këtë tërheqje të hollash nuk mund t’i ngarkohet asnjë faj zotit Terruzi, por përkundrazi është për t’u lavdëruar që me zotësinë e tij dhe duke vënë në rrezik jetën e vet, ka mundur të shpëtojë prej dorës së armikut 500.000 franga shqiptare në bankënota, 200 napoleona ari dhe 70.000 franga në çeqe të vleftësuar. 
Shtoj edhe se të hollat që janë tërhequr nga gjermanët në bankën e Vlorës janë derdhur, po nga vetë gjermanët, në ish-Bankën Kombëtare  të Shqipërisë në Tiranë, me përjashtim të afro 23.500 frangave që janë mbajtur nga po ata vetë.(17*)
Në ndërgjegjen time deklaroj se deponimet e mia të mësipërme janë krejtësisht të vërteta. 

Tiranë, 18/12/1945
Loro Musani

(17*) Drejtori i Përgjithshëm i Bankës Shtetërore Shqiptare, Loro Musani, shqiptar, deklaron se e njeh Terruzin nga viti 1926. Emri i Xhuzepe Terruzit si Prokurues i Bankës së Shqipërisë rezulton në dokumentat origjinale të “Historisë së Bankave të Shqipërisë”. Përveç kësaj, ai deklaron: “Për këtë tërheqje të hollash nuk mund t’i ngarkohet asnjë faj zotit Terruzi, por përkundrazi është për t’u lavdëruar që me zotësinë e tij dhe duke vënë në rrezik jetën e vet, ka mundur të shpëtojë të hollat prej dorës së armikut”.
Kjo dëshmi e Loro Musanit është e një rëndësie të veçantë. Ai konfirmon që të hollat e fshehura dhe të vëna në vend të sigurt, përkohësisht, nga Xhuzepeja dhe kolegët e tij realisht u kthyen prapë, nga gjermanët, në arkat e bankës qendrore të Tiranës.

Dëshmia e Shefik Muharremit (Shtojca 9) 

I nënshkruari Shefik Muharemi, nga dhe banues në Vlorë, me profesion rrobaqepës, deklaroj sa poshtë vijon:
Isha një nga nëpunësit më të vjetër të ish-Bankës Kombëtare “Dega e Vlorës”, nga e cila detyrë u pushova  në shkurt të vitit 1941 për arsye të një kambiali që më ishte protestuar. 
Pasi qëndrova një kohë mëse një muaj pa punë, ish-drejtori i kësaj dege, Xhuzepe Terruzi, më thirri në zyrën e tij me qëllim të më dërgonte si informator në frontin italo-grek për t’u informuar mbi forcat dhe pozicionet greke, më tepër qëllimi i Xhuzepes ishte që unë të informohesha nëse populli i Gjirokastrës dhe i Kurveleshit e urrente fashizmin dhe cilët ishin elementët që paraqisnin rrezik më të madh për të. 
Këtë gjë unë ia refuzova me pretekst se isha në moshë të kaluar dhe nga ana tjetër duke paraqitur dhe vuajtjen e syve, sëmundje nga e cila unë vuaja. (18*)
Thëniet e mia jam në gjendje t’i deklaroj po të jetë nevoja edhe para trupit gjykues.

Vlorë, 11/2/1946
Deklaruesi Shefik Muharemi

(18*) Shefik Muharemi (ish-punonjës i Bankës), është i vetmi dëshmitar që pohon, pa prova të vërtetueshme, që Xhuzepeja e nxiti të bënte spiunazh për hesap të fashistëve. Tani, sipas fjalëve të tij, ai refuzoi. Të gjitha llafe pa asnjë lloj baze të mundshme, por që për fat të keq kjo do të ishte dëshmia kyç që ndihmoi në dënimin e të pandehurit!
Duhet vërejtur data e dëshmisë së Muharemit (i vetmi dëshmitar kundër Xhuzepes), rreth një vit pas vërtetimit të Akt-Akuzës së Trupës Gjykuese!
Qartësisht, për trupën gjykuese, nuk kishin qenë të mjaftueshme dëshmitë, të gjitha në favor të Xhuzepes dhe ishte e domosdoshme një akuzë specifike që të mos kishte gjasa të përgënjeshtrohej, sepse jepej nga një “dëshmitar” i drejtpërdrejtë! Prandaj kishte dalë e nevojshme të merrej një nëpunës i vjetër i Bankës së Vlorës dhe t’i imponohej një dëshmi akuzuese në drejtim të regjimit!  
Pyes veten se si një drejtori banke italian, në një kohë kaq të trazuar, t’i shkonte ndërmend të detyronte një shqiptar, plak dhe të sëmurë, (siç pohon dhe ai vetë), përveçse pijanec, (siç del nga dëshmitë e marra), përveçse njeri që s’mund t’i zihej besë dhe i pushuar nga puna prej Xhuzepes për shkak të sjelljeve jokorrekte në bankë, për një mision spiunazhi kaq delikat dhe të lodhshëm në favor të italianëve!?
Kjo, që është dhe e vetmja dëshmi kundër Xhuzepes, qartësisht e pabesueshme dhe dukshëm e stisur, është pikërisht dëshmia që i bëri të mundur Gjykatës Ushtarake të dënonte Xhuzepe Terruzin.

Dëshmia e Nexhdet Begës (Shtojca 10)

Unë i nënshkruari Nexhdet Bega librar në qytetin e Vlorës, për hir të së vërtetës deklaroj sa vijon:
Të pandehurit Terruzi Xhuzepe dhe Ugo Beluci, i pari ish-drejtor i Bankës Kombëtare dhe i dyti n.Drejtor i Bankës Kombëtare të Vlorës deklaroj se gjatë punës që unë kam bërë në ish-Bankën Kombëtare të pandehurit janë sjellë shumë mirë dhe i njoh për persona të ndershëm. (19*)

Vlorë 13/2/1946
Me nderime Nexhdet Bega

 (19*) Nexhdet Bega, ashtu siç mund dhe të lexohet, ka qenë një ish-nëpunës i bankës që tashmë punonte si librar, tek i cili Xhuzepe blinte libra dhe gazeta. Edhe kjo është një dëshmi pozitive.

Dëshmia e Riza Kaçmolit (Shtojca 11)

Unë i nënshkruari Riza Kaçmoli, tregtar e banues në Vlorë, për hir të së vërtetës deklaroj se të pandehurit  Xhuzepe Terruzi ish-drejtor i Bankës Kombëtare të Vlorës, gjatë kohës që kam punuar në Bankën Kombëtare me të, është sjellur shumë mirë dhe i ndershëm kundrejt meje. Po ashtu vërtetoj dhe për të pandehurin Ugo Beluci ish –n.drejtor i Bankës Kombëtare. (20*)

Vlorë 13/02/1946
Me respekt
Riza Kaçmoli

(20*) Riza Kaçmoli, ish-nëpunës i Bankës, dëshmon se Drejtori dhe zëvendësi i tij “janë sjellur shumë mirë me të”.

Xhuzepe Terruzi në Gjyqin e Popullit (Shtojca 12)

Për sa ka të bëjë me pretencën e z. Prokuror, dëshiroj të theksoj sa vijon: 
kam ardhur në Shqipëri në vitin 1926 vetëm për të punuar (dhe jo si i ngarkuar i Partisë Fashiste) për të vendosur degët e ndryshme të Bankës Kombëtare të Shqipërisë: në Tiranë, Korçë, Sarandë dhe Gjirokastër. Kam ardhur si një nëpunës i thjeshtë  dhe pozitën time si Drejtor e arrita mbas njëzet vjet pune teknike. 
Radhitja ime në Fashio i kushtohet vetëm nevojës së domosdoshme për marrje pashaporte. 
Në Shqipëri kurrë nuk kam zhvilluar ndonjë veprimtari politike, nuk kam patur asnjë ofiq në Fashio, në Drejtorium, etj.; kam ardhur i vobektë dhe gjithashtu i vobektë kam mbetur.
Gjatë kohës së pushtimit gjerman, si antifashist, bashkë me zotërinjtë D’Andrea, dhe Beluci, me datë 22 korrik 1944 kam qenë i ftuar të largohesha nga Vlora – pse, simbas fjalëve tekstuale të Majorit Seiler, “i dëmshëm për sigurinë e ushtrisë gjermane”. Kjo masë nuk u vu në zbatim mbasi ndërhyri Drejtoria Qendrore e Bankës, e cila kanosi mbylljen e Degës së Bankës së Vlorës, ngaqë do të gjendej në pamundësi të zëvendësonte të dy nëpunësit. (21*) 
Përpara se të largoheshin gjermanët, kam shpëtuar rreth 700.000 franga shq., duke rrezikuar jetën time. (22*)
Dëshmia e z. Shefik Muharremi ka të bëjë me arsye krejt cmire kundër personit tim, për shkak se ky, duke qenë si kafaz në bankë, ka qenë dëbuar prej meje dy-tre muaj sa kisha ardhur në Vlorë (Janar 1940) ndërsa gjendej vazhdimisht i dehur dhe nuk deshte as fare të dëgjonte porositë e mia të dendura.
Nëpunësit që mvareshin prej meje në atë kohë mund të dëshmojnë mbi sa deklaroj.
Duke u mbështetur pra në Drejtësinë e Popullit, të cilit nuk i kam bërë kurrë ndonjë të keqe, kërkoj pafajësinë time. (23*) 

Burg (Vlorë) më 18 shkurt 1946              
Terrusi Giuseppe

(21*) Në 18 shkurt 1946 Xhuzepe Terruzi shkruan një letër drejtuar “Gjyqit të Popullit”, duke pohuar edhe një herë se kërkesa e tij për të ikur nga Vlora kishte të bënte me faktin se Majori Seiler (gjerman), kreu i garnizonit të Vlorës, e konsideronte “të rrezikshëm”, gjë që konfirmon edhe urrejtjen e Xhuzepes ndaj nazistëve dhe jo ato sa ishin deklaruar nga i ashtuquajturi Komisar Politik shqiptar në dëshminë  e tij. (3*) 
(22*) Konfirmohet sa është deklaruar edhe nga Drejtori Loro Musani, anëtar i Drejtorisë Qendrore të ish-Bankës Kombëtare të Shqipërisë (Shtojca 8) se paratë nuk ishin vjedhur, por iu ishin fshehur gjermanëve.
(23*) Edhe pabesueshmëria e dëshmisë së Shefik Muharremit, ish-vartësit të tij, të pushuar vite më herët për arsye dehjeje dhe rendimenti të ulët në punë, konfirmohet nga punonjës të tjerë të bankës.

Letrën e Xhuzepes, në 18 shkurt 1946, e ndjek një mbrojtje e gjatë dhe e përpiktë e avokatit A. Karaja, në mbrojtje të të pandehurve Xhuzepe Terruzi dhe Ugo Beluci. 

Mbrojtja e avokatit A. Karaja (Shtojca 13)

Zotni Kryetar dhe zoti Gjyqtar,
Do t’i trajtoj bashkarisht të dy të pandehurit Xhuzepe Terruzi dhe Ugo Beluci, sepse të përbashkët kanë akuzën e parë, domethënë atë se kanë qenë fashistë, kurse Ugo Beluci ka edhe akuzën e posaçme se ka qenë Konsull i Milicisë në Vlorë.
Nga të gjitha provat dhe faktet që do të përmednim imtësisht më poshtë, rezulton në mënyrën më të kthjellët që të dy të pandehurit nuk kanë qenë veçse nëpunës banke të zellshëm dhe të kujdesshëm aq sa të mos u mjaftonte gjithë dita në kryerjen e atyre punëve, por të kalonin edhe një pjesë të natës.
Kanë qenë fashistë pse duhej të ishin të tillë, përndryshe nuk do të mund të ishin nëpunës, por në fashizimin janë shkruar tepër vonë dhe vetëm atëherë kur kanë qenë të imponuar, pa u interesuar as pak për të dhe bile duke qenë shpirtërisht kundër atij regjimi të urryer.
Të qenët shkruar formalisht në partinë fashiste, nuk formon një faj penal dhe aq më tepër kur s’janë bërë vepra që të pas-sjellin dëme dhe mjerime në popullin tonë. Të gjithë dëshmitarët që u dëgjuan para këtij të Nderuari Trupi Gjykues dhe të gjitha deklaratat, që ndodhen në dosje, pohojnë se të dy të pandehurit janë persona të ndershëm, korrektë dhe janë marrë aktualisht me punët e tyre bankare.
As një dëshmitar akuze nuk na solli të na thotë qoftë edhe për një vepër të kryer prej tyre kundër popullit tonë. Nga pretenca e Zotit Prokuror, dëgjuam të përmendet  një i quajtur Shefit Ibraimi, i cili paska raportuar të pandehurin Xhuzepe Terruzi. Por jam i sigurt se kjo akuzë nuk ka vleftën të merret në konsideratë nga ana e tij i Nderuari Trup Gjykues, pasi vjen nga një person i cili ka qenë në shërbim të bankës dhe i pandehuri Terruzi e ka pas larguar nga ky shërbim për arsye se ishte alkoolik i pakorrigjueshëm, duke i munguar vazhdimisht detyrës.
Për të pandehurin Ugo Beluci thuhet se ka qenë emëruar Konsull i Milicisë në Vlorë, por nuk na tregohet se, me këtë cilësi, ç’ka vepruar kundër popullit Shqiptar.
E vërteta është se ky ka qenë oficer në luftën e kaluar dhe se fashizmi ka dhënë urdhër të marrin pjesë në Milici edhe oficerë të asaj lufte për të treguar se edhe në milici figurojnë ushtarë të luftës së mëparshme. Të gjithë dëshmitarët deponuan se Ugo Belucin e kanë parë gjithë ditën të zënë me punët bankare dhe vetëm nja dy herë e kanë parë të mveshur me uniformën në fjalë. Kjo tregon sheshazi se ai titull ka qenë mbajtur prej të pandehurit si një titull honorifik. Si pasojë, lejohem të përmend se në kuptimin e ligjit të ri penal nuk mjafton pjesëmarrja e thjeshtë e një personi në radhët e ish-ushtrisë ose të ish-milicisë fashiste për ta konsideruar patjetër si fajtor. Duhet, përveç që kjo pjesëmarrje të jetë vetëdashëse dhe jo e imponuar, po edhe të shoqërohet me vepra për të luftuar popullin shqiptar ose për të shtypur Lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Në rastin konkret, siç rezulton nga gjithë dëshmitarët që u dëgjuan dhe nga deklaratat që ndodhen në dosje, pjesëmarrja e të pandehurit Ugo Beluci në radhët e ish-milicisë fashiste ka qenë një titull honorifik i imponuar dhe se me këtë cilësi ai, kurrë nuk mori pjesë me ndonjë përpjekje ose veprim kundër atdhetarëve shqiptarë ose, përgjithësisht, kundër interesave të shtetit shqiptar.
Vjen pra, si pasojë logjike e qartë se të pandehurit në fjalë nuk mund t’i ngarkohet as një përgjegjësi penale për ndodhjen e tij formale në reshtat e milicisë fashiste pse, siç thamë, ka ndodhur pa dashjen e tij, duke mbetur vetëm si një titull honorifik.
Të pandehurit Xhuzepe Terruzi i bëhet akuza e veçantë se, duke qenë drejtor banke në Shqipëri dhe me rastin se dita e Çlirimit të Shqipërisë afroi dhe se gjermanët po largoheshin, me qëllim mosdorëzimin e të hollave Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare, ia ka dorëzuar Ushtrisë Naziste Gjermane.
Kjo akuzë rrëzohet rrënjësisht me një shqyrtim të kujdesshëm të provave dhe të rrethanave të dala në shesh nga procesi hetimor dhe gjyqësor, nga dëshmitarët e dëgjuar, nga deklaratat e paraqitura dhe nga gjithë rrjedhimi i gjyqit.
Dihet botërisht se kudo që shkelën këmbën e tyre të rëndë stërnipërit e Hunëve dhe të vandalëve grabitën pa mëshirë dhe pa skrupull pasuritë e këtyre vendeve. Kështu bënë në Poloni, në Belgjikë, në Francë, në Jugosllavi, në Itali dhe gjetkë. Edhe në Shqipëri nuk vepruan ndryshe dhe nuk u kursyen të bëjnë të tilla vepra grabitëse atje ku mundën. Mbasi me dinakëri grabitën arin rezervë të monedhës tonë, rrëmbyen dhe grabitën sendet e çmuara, kafshë dhe të holla, sidomos në kohën që shtrëngoheshin të shporreshin nga vendi ynë. Kështu, pak ditë para se të shtrëngoheshin nga partizanët tanë heroikë që të largoheshin nga Vlora dhe pikërisht në 12 tetor 1944, shkuan në selinë e ish-Bankës Kombëtare dhe me forcë, me kërcënim dhe me frikësim morën nga arkat e saj gati 290.000 fr.shq., kurse nuk mundën të zbulojnë një shumë prej gati 700.000 fr.shq., 200 napolona ari dhe një shumë të madhe liretash, që kishin mundur me zotësi, vetëmohim dhe rrezik jete të fshehë i pandehuri Xhuzepe Terruzi së bashku me Koço Takon, Vangjel Skramen dhe Ugo Belucin. 
Tani, po të kish dashur i pandehuri Terruzi t’u shërbente vullnetarisht gjermanëve, pse nuk i la këta që të merrnin gjithë shumën e të hollave që ndodheshin në arkën e ish-Bankës Kombëtare dhe që arrinte në 1.000.000 fr.shq., por u kufizua t’u dorëzojë vetëm atë që nuk mundi të fshehë? Përveç kësaj, po të kishte dashur i pandehuri Terruzi t’u bënte një shërbim gjermanëve me dhënien e këtyre të hollave, pse vallë të lajmëronte menjëherë për grabitjen e tyre Qendrën e Tiranës, e cila, në bazë të këtij lajmërimi, mundi t’i rimarrë ato të holla nga duat grabitëse të gjermanëve?
Më në fund kuptohet lehtazi rreziku që kalonte i pandehuri Terruzi me fshehjen e pjesës më të madhe të të hollave të bankës pse, sikur gjermanët ta merrnin vesh një fshehje të tillë, sigurisht do ta kishte paguar me kokë.
Vërtetësinë, sa patëm nderin ta theksojmë më lart, e vërteton deklarata që ndodhet në dosje, e lëshuar nga zoti Loro Musani, tani në shërbim pranë Drejtorisë Qendrore të Bankës së Shtetit dhe atëherë një nga drejtorët e ish-Bankës Kombëtare të Shqipërisë.
Kjo deklaratë përmban me hollësira tregimin e mënyrës së grabitjes me forcë dhe me frikësim të ish-Bankës Kombëtare të Vlorës nga ana e gjermanëve, se si mund të shpëtoje nga kjo grabitje një shumë të konsiderueshme të hollash për meritë kryesore të të pandehurit Terruzi, se si ky lajmëroi menjëherë Qendrën e Tiranës, se si ky lajmërim i menjëhershëm i dha rastin asaj Qendre të rimarrë shumën e grabitur dhe të gjitha këto rrethana heqin çdo dyshim mbi veprimtarinë e të pandehurit Terruzi, duke vënë qartësisht në dukje se ky ka qenë një viktimë, nën frikësime dhe kërcënime të tmerrshme nga ana gjermane, por, megjithë këtë, ka mundur të rezistojë dhe të fshehë një shumë të konsiderueshme në rrezik jete.
Rrethana pastaj që shumën e konsiderueshme që mundi të shpëtojë nga thonjtë e gjermanëve e ka vënë menjëherë në dispozitë të plotë të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare dhe provat e dëshmitë e paraqitura se ky nuk ka bashkëpunuar kurrë me gjermanët, duke mos u dhënë asnjë ndihmë, e paraqesin të pandehurin krejt të kulluar, pa as më të voglën njollë bashkëpunimi me okupatorin e urryer.  
Akuza tjetër e përbashkët për të dy të pandehurit, Terruzi dhe Beluci, është se kanë bashkëpunuar me shokët e tjerë dhe kanë bërë mbledhje me qëllim propagande ndër ushtarët italianë, të cilët ndodheshin ndër radhët e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare, me qëllim që t’i dërgonin në Italinë e okupuar.
Kjo akuzë del nga një raport informativ i lëshuar nga italianët Delogu, Piçeçi dhe Kilovi. Pikërisht këta, me këtë raport, kanë akuzuar edhe të tre të pandehurit e tjerë Mario Verde, Sinopolo Akile dhe Tuliano Nino. 
Të tre italianët e sipërpërmendur, të degjeneruar në jetën e tyre private dhe politike, kanë patur një grindje me të gjithë të pandehurit, pse donin të zgjidheshin në krye të një Komiteti Italian, formuar me qëllim bamirësie dhe ndihme ushtarëve italianë që kishin mbetur mes katër rrugëve pas kapitullimit të Italisë. Zgjedhjet e këtij Komiteti, pas çlirimit fatbardhë të Shqipërisë, u bënë në praninë e Major Irakli Bozdos dhe të përfaqësuesit të Partisë Ymer Alikaj, i cili ka lëshuar në favor të të pandehurit edhe një deklaratë për mirësjelljet dhe korrektesën e tij.
Për inat dhe mëri italianët Delogu, Piçeçi dhe Kilovi kanë lëshuar një raport kundër këtyre të pandehurve. Por ky raport përgënjeshtrohet jo vetëm prej biografisë së zezë të atyre tre akuzuesve, por edhe prej gjithë dëshmitarëve dhe deklaratave që kemi patur nderin t’ju paraqesim. 
Dëshmitarët Gysh Ibraimi, Sekretari i Këshillit N.Ç. të lagjes Muradie të këtij qyteti, Sotir Tite, Kryetari i Këshillit N. Ç. i lagjes Varosh, Panajot Isufe, nëpunës banke, Pandeli Vido, nëpunës banke, Theodhor Mio, drejtor banke dhe Nexhdet Bega, një nga tregtarët e ndershëm të këtij qyteti deponuan të gjithë, duke u betuar, se të pandehurit i njohin si persona të ndershëm dhe që kurrë nuk janë marrë me politikë, se kanë mbajtur kurdoherë sjellje korrekte dhe se kurrë nuk janë marrë me mbledhje ose propaganda të ndryshme dhe se tërë ditën e kanë kaluar në bankë, duke punuar dendur edhe gjatë orëve të natës. Në këtë kuptim janë edhe deklaratat e lëshuara  prej Thimi Opingarit, nënkryetar i Frontit Nacional Çlirimtar, dhe Riza Kaçmoli.
Por ne dëshirojmë që të riprodhojmë tekstualisht deklaratën që po paraqesim në këtë mbrojtje të Namik Xhafajt, i cili njihet fare mirë për ndjenjat e tij nacional Çlirimtare dhe që sot është Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Tiranës. Ky, po mos të kishte jo vetëm bindje, por edhe prova të sakta mbi pafajësinë e të pandehurve, nuk mund ta lëshonte kurrë deklaratën që kemi nderin t’jua këndojmë: “Deklaroj se gjatë kohës që kam qenë nëpunës i ish-Bankës Kombëtare, drejtor i të cilës ishte atëherë Xhuzepe Terruzi, e kam njohur këtë si njeri të ndershëm, me të gjithë nëpunësit sillej mjaft korrekt dhe, për më tepër, kisha konstatuar në të një njeri që nuk merrej aspak me çështje politike. Edhe më vonë, kur unë u largova nga banka, kam patur raste të shoh dhe të dëgjoj se Xhuzepe Terruzi nuk ishte armik i vendit tonë, si për shembull në rastin kur Inspektori i Federatës në Vlorë akuzonte ish-drejtorin e Shkollës Tregtare, profesor Leonetin, i cili toleronte që në shkollë të kishte njëfarë lirie mbledhjeje, organizimi e të tjera. Shkurtimisht, dua të them se Xhuzepe Terruzi, me sa kam mundur të kuptoj unë, ka qenë një njeri që nuk merrej absolutisht me politikë, një njeri që nuk do t’i bëjë keq asnjeriu. Ai mund të jetë viktimë e ndonjë shpifjeje. Ai ka jetuar gjithmonë në rrethin e tij familjar”.
Përpara kësaj deklarate, e hapur dhe e sinqertë, më duket se nuk mbetet as dyshimi më i vogël dhe kështu bien vetvetiu akuzat e hedhura nga italianët Delogu, Piçeçi dhe Kilovi. Të shkaktuara nga grindje dhe mërira personale.
Në Vlorë u krijua një komitet që ka patur për qëllim të ndihmohen italianët të mbetur pa mjete jetese pas kapitullimit të Italisë dhe të kujdeset  për riatdhesimin e tyre me mjetet e mbledhura prej këtij komiteti. Në qoftë se riatdhesimi bëhej vetëm për në vendet e okupuara prej gjermanëve, kjo nuk bëhej me qëllim ndihme të tyre, por vetëm sepse, për shkak të luftës, nuk mund të dërgoheshin edhe në vendet e okupuara prej aleatëve. Po të kishte qëllim ky komitet që t’u sillte një ndihmë gjermanëve me riatdhesimin e italianëve, nuk kishte aspak nevojë që këta të shpërndaheshin në vendbanimet e tyre të ndryshme, por mund të mbaheshin të grumbulluar në Shqipëri, duke i mbledhur në reparte ushtarake nën komandën e gjermanëve për të luftuar, bashkë me ta, qoftë kundër aleatëve dhe qoftë kundër partizanëve. Veprimi i kundërt i këtij Komiteti vë në dukje mungesën e çdo qëllimi të anëtarëve të tij për t’u dhënë ndihmë gjermanëve.
Pas Çlirimit Fatbardhë të Shqipërisë, të dy të pandehurit Terruzi dhe Beluci janë lënë në këtë komitet nga Gjeneral Picini, që ka marrë pjesë në luftën kundër gjermanëve bashkë me partizanët trima dhe ky fakt zhduk çdo dyshim mbi bashkëpunimin e tyre me gjermanët, aq më tepër edhe kur këto zgjedhje janë bërë më vonë në prani të Major Irakli Bozdos dhe të përfaqësuesit të partisë Ymer Alikaj. Dhe shpifësit, vetë Delogu, Piçeçi dhe Kilovi, pse nuk kanë patur fakte dhe dokumenta në dorë, nuk patën kurajon të kërkojnë dënimin e tyre, por vetëm largimin e tyre të përkohshëm nga Vlora. Por është afërmendsh se nuk mund të dënohen të pandehurit vetëm për grindje dhe mërira personale që kanë patur me italianët e si për të treguar që s’kanë të bëjnë aspak me interesat dhe me çështjet shqiptare.
Kjo është në përgjithësi mbrojtja që u bëj sot të pandehurve para këtij të Nderuari trup Gjykues. Por mbrojtja më e mirë e tyre përmbahet në raportet informative, të ndodhura midis akteve dhe që i janë drejtuar Seksionit të Mbrojtjes së Popullit në Vlorë. Në këto raporte përmendet haptazi se i pandehuri Ugo Beluci, i emëruar në kohët e fundit Senjor i Milicisë, nuk i kishte dhënë fashizmit asnjë kontribut dhe se këtë titull ia dhanë si një titull honorifik për t’u treguar se edhe fashistët kishin oficerë të luftës së madhe; se i pandehuri Ugo Beluci predikonte kundër luftës; se kishte humbur veshët në luftën e madhe dhe se, sidomos, nuk ka dhënë ansjë ndihmë gjermanëve.
Për të pandehurin Xhuzepe Terruzi shënohet qartazi se puna e tij ka qenë e mirë duke patur aftësi dhe vëllazëri me nëpunësit shqiptarë; se është graduar jo si njeri i politikës, por për zotësinë dhe cilësitë e tij teknike; se deri vonë nuk qe i afërt me fashizmin, duke u detyruar të përzihet me të vetëm pas kërcënimit të bërë nga ana e Salvonit; se nuk e shihte me sy të mirë ardhjen e Italianëve; se kundërshtoi i pari thirrjen e nëpunësve të bankës në shërbimin e milicisë fashiste; se ka patur simpathi për Lëvizjen Nacional Çlirimtare; se i ka bërë çdo lehtësi Petrit Bishës, që ndodhej në ilegalitet, duke ia paguar rregullisht rrogën; se me gjermanët nuk ka patur asnjë marrëdhënie dhe se ishte vendosur internimi i tij në Itali, por ka shpëtuar vetëm si teknik i bankës me urdhër të Qendrës së Tiranës dhe se më së fundi është përpjekur në çdo mënyrë të qëndrojë larg çdo politike; se nuk ishte kundër Lëvizjes Nacional Çlirimtare dhe interesave të popullit shqiptar. 
Tani, përpara këtyre dëshmive të gjalla, të qarta, objektive dhe solemne, që vënë në dukje në mënyrë të ndritur se të dy të pandehurit jo vetëm që nuk kanë punuar në asnjë mënyrë kundër Lëvizjes Nacional Çlirimtare ose kundër interesave të popullit shqiptar, por përkundrazi, janë përpjekur me gjithë fuqitë e tyre që t’i japin kësaj Lëvizjeje çdo lehtësi dhe ndihmë, nuk mund të qëndrojë në këmbë në as një prej akuzave që u ngarkohen këtyre të dy të pandehurve. Këto akuza, siç e përmendëm më lart, origjinën e tyre e kanë në ambiciet e disa italianëve kundërshtarë dhe u referohen grindjeve të brendshme të lindura në Komitetin Italian për interesat dhe ambiciet e tyre, por në asnjë mënyrë nuk cenojnë interesat e popullit shqiptar. (24*)(**Fshirje e dokumentit** Në këto kondita, do t’i mungoja misionit të mbrojtësit të të dy të pandehurve sikur të mos kërkoja me zë të lartë dhe ndërgjegje të qetë pafajësinë e tyre). 
Për të gjitha arsyet e sipërtreguara, kërkojmë pafajësinë e të pandehurve, por, në rast se ajo e Ndershme Gjykatë do të mendojë eventualisht ndryshe, kërkojmë një ndëshkim minimal dhe kondicional që, sidoqoftë, nji gjykim me klemencë dhe me mëshirë.

18/II/1946
Av. A. Karaja

(24*) Avokati Karaja në mbrojtjen e tij të gjatë, të patëmetë dhe të përpiktë, shpjegon në mënyrë të përsosur gjithë rrethanat, duke zbërthyer një për një të gjitha akuzat e rreme, të cilat interpretoheshin nga ana e Trupës Gjykuese si akte kundër Diktaturës dhe popullit shqiptar. 
Për fat të keq, dënimi ishte shkruar qysh para procesit gjyqësor. Terrori, hakmarrjet, ekzekutimet në shesh nuk linin të mendohej asgjë e mirë. Për të imponuar pushtetin e vet, Enver Hoxha duhej të sillej pamëshirshëm, duke justifikuar veprën e vet si njëfarë pastrimi shoqëror që do t’i jepte Shqipërisë një fuqi të tillë, sipas vizionit historik utopik dhe mbrapa në kohë.

Dëshmia e Nicolò Delogu-t (Shtojca 14)

I shtyrë nga ndjenja njerëzore dhe drejtësie, mbi çdo çështje që nuk duhet të vendosë mbi avenirin dhe aq më shumë mbi jetën e personave, e ndjej për detyrë të bëj deklaratën që vijon:
Nga fundi i muajit prill 1945, dhe saktësisht, një ditë më parë se të bëheshin rizgjedhjet e Këshillit të Circolo Garibaldi, nga një kapiten i ardhur nga Berati, Kilovi, Piçeçi dhe unë u ftuam të paraqitemi në zyrën e Mbrojtjes së Popullit.
Unë kujtoja së Kapiteni kishte ndërhyrë për çështjen e Circolo-s. Por mbasi foli mbi demokracinë, na ftoi të fjaloseshim mbi ata persona që eventualisht ishin të dyshimtë mbi parimet e tyre demokratike, kishin bashkëpunuar me armikun ose kishin faje të rrjedhura nga nëpunësira që kishin pasur në regjimin e vjetër.
Foli Kilovi. Piçeçi dhe unë nuk hapëm gojë. Më në fund kapiteni na pyeti nëse eventualisht ishim të dispozuar të pohonim para Gjyqit thëniet e Kilovit. U përgjigja PO, por si të dëgjuara.
Kilovi firmosi. Piçeçi dhe unë nuk firmosëm.
Kjo është pozita ime e saktë si dëshmitar në procesin në ngarkim të z.Terruzi, Beluci, Taliani, Verde, Sinopoli dhe Orlandi.
Në përgjithësi, mund të përsërisja në rast se më kujtohej, sa deklaroi Kilovi, por si të dëgjuara e jo si të bëra. (nga të akuzuarit). (25*)
Për hir të së vërtetës, lëshoj këtë deklaratë zotit Major, Kryetarit të Gjyqit.
Për sa më lart, nënshkruhem

Vlorë, 19 Fruer1946
Nicolò Delogu

(25*) Në përshkrimin e vet, shkruar e firmosur, Nikolò Delogut (një prej tre nëpunësve të Bankës që ishite quajtur nga “Komisari” si “dashamirës i lirisë”) nuk i bën zemra ta çojë deri në fund akuzën e vet të rreme dhe jo konsistente kundër Xhuzepes dhe të tjerëve, duke i përligjur deklarimet e veta me faktin “në përgjithësi”, “si të dëgjuara”. 
Zoti Nikolò në mënyrë të poshtër, nuk merr asnjë përgjegjësi për aq sa ka deklaruar më parë. Ai tërheq mbrapsht dëshminë e tij me shkrim duke anulluar gjithë sa kishte shprehur me fjalë, si pasojë e një mendjelehtësie të skajshme dhe pandërgjegjshmërie.
Për fat të keq, sjellja e volitshme dhe e ulët e Delogut dhe e kolegëve Kilovi dhe Piçeçi (për të mbrojtur veten nga regjimi) do t’u kushtojë jetën edhe kapitenëve të karabinierëve Taliani dhe Verdi, të cilët në 1949, kur po hipnin në anije, bashkë me ne, drejt Italisë, u ndaluan, u ndoqën në gjyq dhe u burgosën. Rreth tyre nuk u mor vesh më kurrgjë, ndonjë dëshmi e paqartë tregon se kanë vdekur nga torturat, por është fakt që në Itali nuk u kthyen. 
Edhe për Sinopolin dhe Orlandin, pavarësisht kërkimeve që kam bërë, nuk ka asnjë të dhënë.
I vetmi i pandehur, trup e shpirt i shkatërruar, që pata mundësinë të takoj sepse u riatdhesua në Itali, në Romë, pas 10 vitesh burg, ishte Beluci.

Dëshmia e Laze Sulejmanit (Shtojca 15)

Deklaratë
Me anën e të cilës deklaroj se shtetasi italian Xhuzepe Terruzi, ish drejtor i Bankës nacionale të Vlorës, prej çlirimit të këtij qyteti prej okupatorit nazist. I nënshkruari ka qenë me funksionin Zv.Komandant i Qarkut, kështu që prej kësaj kohe e deri më sot nuk ka konstatuar në personin e përmendur që të jetë implikuar me çështje politike, porse është konstatuar vetëm puna që ai kryente në bankën e shtetit si nëpunës i rregullt. (26*)
PRANDAJ 
Në kërkesën e t’interesuemit dhe për ta paraqitur pranë Gjykatës ushtarake të qarkut Vlorë lëshohet kjo deklaratë 

V.F.L.P.  
Vlorë 27/3/1946
Laze Sulejmani

(26*) Zv.Komandanti i Qarkut të Vlorës, Laze Sulejmani, shqiptar, me detyrë të përafërt si karabinierët italianë, pra njeriu më në brendësi të fakteve dhe detajeve, deklaron pafajësinë e Xhuzepes si në pikëpamjen politike, ashtu dhe në atë profesionale. 

Për fat të keq, në 28 nëntor 1946 mbërrin edhe dita e dënimit tragjik.

Vijon me vendimin e Gjyqit

Lexo edhe: 
Një varr për Xhuzepe Terruzin – Parathënie e librit nga Agron Tufa
Një gur në muzeun e kujtesës – Parathënie e librit nga Gëzim Peshkëpia
"Brenga ime shqiptare". Përtej detit, aty ku lind dielli - Përsiatje rreth librit nga Eugjen Merlika