Shqipëria, vendi ku njerëzit burgoseshin vetëm pse dëgjonin “The Beatles” - Shqiptari i Italisë

Histori
Fred Abrahams, autor i librit “Shqipëria Moderne”: "Në Shqipërinë komuniste, koreano-veriorët do të ndiheshin si në shtëpinë e tyre. Ndoshta edhe rusët në ditët e tyre më të errëta nën Stalinin do të gjenin ngjashmëri me vendin ballkanik, por askush tjetër“

"Ndonëse mund të jetë pak i njohur për shumë perëndimorë, Shqipëria është një vend me histori unike dhe tragjike. Nën regjimin brutal komunist për pjesën më të madhe të shekullit XX, vendi ka qenë thuajse i ndarë nga bota deri kur regjimi filloi të prishej kur Muri i Berlinit ra. Pasi me mijëra shqiptarë pushtuan ambasadat e huaja më 1990 për të kërkuar azil gjatë shpërbërjes së Bashkimit sovjetik, qeveria e shtetit ballkanik nisi të mendonte një rrugë për zgjedhje”.

Kështu nis një intervistë mbi Shqipërinë në “The Huffington Post”, e Nick Robins Early me Fred Abrahams, këshilltar i organizatës “Human Rights Watch”, autor i librit “Shqipëria Moderne”.

Kur Abrahams pyetet se sa shtypëse ka qenë qeveria shqiptare gjatë regjimit, ai përgjigjet se është e vështirë të imagjinosh një vend më shtypës. “Mendoj se koreano-veriorët do të ndiheshin si në shtëpinë e tyre, – pohon ai – ndoshta edhe rusët në ditët e tyre më të errëta nën Stalinin do të gjenin ngjashmëri me Shqipërinë komuniste, por askush tjetër”.

“Ka qenë krejtësisht e izoluar nga bota e jashtme. Pothuajse askush nuk ka qenë në Shqipëri si vizitor. Pothuajse askush përveç elitës më të besueshme partiake ka dalë jashtë Shqipërisë, dhe PPSh ka sunduar me disiplinë dhe kontroll të ashpër – thotë Abrahams duke sqaruar më tej - Them partia, por në të vërtetë veçantia e Shqipërisë është se nuk ka pasur parti, por ka qenë vetëm një person. Diktatori i Shqipërisë ka qenë një person me emrin Enver Hoxha, sundimi i të cilit mbeti i pamposhtur nga Lufta e Dytë Botërore e deri në vdekjen e tij më 1985, dhe i cili nuk e ka toleruar mendimin ndryshe. Pamaturia apo shmangja më e vogël nga ideologjia e tij do t’ju çonte juve apo familjen tuaj në burg”.

Besoj se e keni përmendur [në libër] se mund të burgoseshin për gjëra të vogla siç është dëgjimi i muzikës nga “The Beatles”?

“Po, veprime shumë të vogla kanë sjellë dënimin me internim apo burgim të personit që i bënte dhe të gjithë familjes së tij. Dëgjimi i muzikës së ndaluar, siç ishin “The Beatles” për shembull, ndjekja e  televizioneve të shteteve fqinje, si Italia, Greqia apo Jugosllavia. Si rezultat, ekzistonte një shtet i frikës ku thuajse mungonin fare disidentët” ka qenë një gjendje frike dhe pothuajse nuk kanë ekzistuar disidentët fare”.

A ekzistonte rreth Hoxhës kult personaliteti i stilit të Stalinit?

“Kulti i personalitetit përreth Enver Hoxhës ka qenë i fortë, i kultivuar dhe i zbatuar me mjeshtëri. Ai ishte drita udhëheqëse, “Big Brother”. E thirrnin “Xhaxhi Enver”. Njerëzit e konsideronin një figurë patriarkale që me diturinë e tij dhe dashamirësinë e tij, do ta largonte Shqipërinë nga varfëria drejt modernitetit. Imazhi i tij ishte mbi çdo mur, fjalimet e tij citoheshin në çdo artikull dhe emri i tij ishte realisht i gdhendur në faqe mali”.

Pas rënies së komunizmit, si do ta përshkruanit tranzicionin e Shqipërisë nga një shoqëri krejtësisht e mbyllur në njëfarë demokracie të hapur?

“Ka qenë kaotik, e ndonjëherë i dhunshëm, por edhe duke shkuar drejt hapjes. Sot Shqipëria është një vend shumë më i mirë nga ç’ishte më parë. Është vend ku njerëzit pak a shumë mund të shprehin opinionet e tyre, dhe kanë lirinë e  besimit dhe të fjalës.

Nuk mund të krahasosh Shqipërinë e sotme me atë të epokës së komunizmit, por pas vuajtjes së pothuajse pesë dekadave diktaturë, demokracia nuk arrihet lehtë”.

Abrahams vë në dukje edhe të metat e politikës perëndimore: “Një nga gabimet e mëdha të politikës perëndimore ka qenë që besonte se demokracia do të vinte me zgjedhje dhe me reforma në tregtinë e lirë, dhe Shqipëria është një rast studimi që dëshmon të kundërtën. Demokracia vjen nga institucionet demokratike dhe kultura demokratike, dhe këto janë dy gjërat që i mungojnë Shqipërisë”.

Çfarë roli kanë luajtur Shtetet e Bashkuara në procesin e tranzicionit të Shqipërisë drejt demokracisë?

“Kanë pasur një rol të madh: është fuqia e jashtme më domethënëse deri më tani që ka ndikuar në tranzicionin e Shqipërisë. Pas Luftës së Ftohtë, shqiptarët, me refuzimin e komunizmit, ndryshuan kahun dhe përqafuan SHBA-të. Gjëja më e rëndësishme për një udhëheqës shqiptar është vizita në Shtëpinë e Bardhë. Është shtysa më e fuqishme e popullaritetit që fiton kur të kthehet në shtëpi.
Kështu, marrëdhënia mes tyre është shumë e fortë, por roli i SHBA-ve në Shqipëri ka qenë i përzier. Një prej kritikave kyçe në librin tim është ajo se SHBA-të u shqetësuan më shumë për liderë individual në Shqipëri sesa për institucionet.
Veçanërisht në vitet e para, politika amerikane mbështeste liderin e ri të ashtuquajtur demokratik, Sali Berishën. Ai fliste anglisht, i thoshte gjërat e duhura në anglisht, ishte i përkushtuar në shkatërrimin e trashëgimisë së komunizmit, dhe amerikanët e mbështetën atë 110%.
Por doli që ishte një person i keq, që nuk toleronte kritikat, burgoste gazetarët, rrihte kundërshtarët politikë dhe vinte një kontroll të rreptë. SHBA-të bënë një sy qorr asokohe, pasi që ishte njeriu i tyre.
Kam intervistuar shumë zyrtarë amerikanë nga ajo kohë, dhe më thanë: “Çfarë prisni nga një vend që po del nga diktatura?”.
Mendoj se ky ishte një gabim i madh, sepse imazhi i SHBA-ve në Shqipëri ishte aq i fuqishëm sa ata mund edhe ta përkrahnin Berishën, por duke vënë disa kufij për të kufizuar pushtetin e tij. SHBA-të nuk e bënë këtë, dhe Shqipëria vuan edhe sot e kësaj dite nga ai gabim”.

Cilat janë problemet që ndeshen akoma në Shqipëri?

“Ndoshta problemi më i madh i vetëm është mungesa e institucioneve, shtyllat e një shoqërie që ofrojnë shërbime, kontrollojnë dhe balancojnë njëra-tjetrën. Përbëjnë problem gjyqësori, mediat, policia dhe shërbimi sekret që duhet të veprojnë të bazuar mbi ligj e jo t’i shërbejnë pushtetit.
Edhe sot Shqipëria vazhdon të jetë tmerrësisht e korruptuar, si në nivele të ulëta ashtu edhe në ato të larta. Lidhjet mes biznesit dhe politikës janë ende të forta, dhe kjo është një sfidë e madhe për vendin që të shkojë përpara e të anëtarësohet në BE”.

A ka diçka që do të donit që lexuesit të dinë për Shqipërinë, në përgjithësi?

“Kryesorja do të ishte të kuptohet se sa e vështirë ka qenë historia e këtij vendi. Diktatura është vetëm periudha më e fundit e zezë, por para saj, vendi kishte kaluar vuajtje të tmerrshme dhe pushtime. Këta janë njerëz që kanë pasur të shkuar të vështirë, dhe sot po mundohen të dalin nga ajo histori e trazuar”.

“Kanë qenë në frigorifer të historisë për pesë dekada dhe janë akoma duke shkrirë”- mbyll intervistën Abrahams.

Në origjinal: This European Nation Used To Jail People For Listening To The Beatles