Ukraina dhe hipokrizia e politikës botërore - Shqiptari i Italisë

Histori
“Është kërcënimi më i madh që i bëhet sigurisë që nga koha e luftës së ftohtë” - Anders Fogh Rasmussen, Sekretar i përgjithshëm i NATO-s

Ka të ngjarë që viti 2014 të mbetet në historinë botërore si “viti i Ukrainës”. Kjo ish republikë e BRSS, dhe sot shtet i pavarur që shërben si një jastëk ndarës ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Federatës Ruse, ka më shumë se katër muaj që ka pushtuar faqet e para të gazetave të mbarë botës. Me emrin e saj lidhet sot për sot e ardhmja e marredhënieve të Rusisë me Perëndimin.

Duket sikur, befasisht në mënyrë të rrufeshme, kohët historike të botës së vjetër janë kthyer mbrapa, kur merreshin vendimet në tryezat e diplomacisë së Fuqive të Mëdha mbi fatet e popujve e të Vendeve të kontinentit. Është i dukshëm fakti se një e katërt shekulli demokracie në hapësirat e tij, nuk ka qenë i mjaftueshëm për të rivendosur klimën e qëndrueshme të besimit të ndërsjelltë mes Rusisë e pjesës tjetër t’Evropës. Ndryshimet vullkanike të vitit 1989 i shfytyruan projektet globale të përcaktuara në Jaltë nga krerët fitues të luftës së dytë botërore. Tërmeti që pasoi qe vendimtar, jo vetëm për të përligjur shembjen e një sistemi shoqëror, i cili nuk ishte më në gjëndje të garonte me kundërshtarët e tij për hegjemoni botërore, por edhe për të nxjerrë në shesh dobësinë e theksuar të njërës superfuqi, Bashkimit Sovjetik, që e pa veten të copëtuar, të pafuqishëm, të deklasuar në të gjithë treguesit ekonomikë, politikë, ushtarakë, ashtu sikurse në pohimin e vlerave demokratike. Sa hap e mbyll sytë Rusia mbeti e vetme mbasi 15 republikat e tjera, që së bashku përbënin “kështjellën e pamposhtur të socializmit” në botë, u vetëshpallën shtete të pavarura. Qe ai çasti i bing-bangut të asaj pjese të botës, që do të niste nga zeroja rrugën e saj në një kuadër botëror në ndryshim të shpejtë e të vazhdueshëm. Në nënëvetëdijen e saj Rusia nuk u pajtua kurrë me gjëndjen e re dhe, në strategjinë e saj afatgjatë, ajo vuri si synim rivendosjen e gjëndjes së mëparëshme edhe se në kushte e forma të ndryshme.

Këtu zë fill problemi i Ukrainës dhe zhvillimet e tij në ditët tona. Për dy dhjetëvjeçarë marredhëniet ruso – ukrainase patën luhatjet e tyre, por ishin të kontrollueshme nga ana e Kremlinit, nëpërmjet forcës politike ish komuniste e filoruse, mjaft të fuqishme në kuadrin politik të përgjithshëm e, kryesisht, në krahinat lindore të Vendit. Madje kjo parti, e kryesuar nga ish presidenti Janukoviç, një shembull korrupsioni e kundër demokracie, mori një vendim, i cili u bë fatal për të dhe që ndezi fitilin e një gjëndjeje shpërthyese, së cilës askush nuk është në gjëndje t’i përcaktojë përmasat e pasojat. Vendimi qe ai i ndërprerjes së bisedimeve me BE dhe i mos nënëshkrimit të traktatit të shoqërizimit me të në shkëmbim të një traktati ndihme nga ana e Rusisë. Për të qënë objektivë në interpretimin e ngjarjeve duhet pranuar se në këtë vendim ndikoi në mënyrë përcaktuese gjendja tepër e vështirë ekonomike e Vendit dhe ngurimi i Evropës dhe SHBA-s për të ndihmuar shëndoshjen e saj.

Këtu u vu në veprim dhelpëria politike e presidentit Putin, që vuri peng 15 miliardë dollarë në altarin e sendërtimit të synimit për të kthyer “delet e humbura” në vathën e tyre. Por dhelpëria e presidentëve rus e ukrainas, të formuar me mendësinë komuniste të nënështrimit të popujve ndaj vullnetit të kastave drejtuese, nuk pati aftësinë të kuptojë se një e katërt shekulli kishte nxjerrë në skenën e Ukrainës një brez të ri që nuk ishte i gatshëm të bënte fli dëshirën për t’u bashkuar me Perëndimin, në një “perandori” të re të markës ruse, jo shumë e ndryshme nga ajo që kishte provuar në shekullin e fundit. Shoqëria civile ukrainase dhe partitë properëndimore të Vendit u ngritën në protesta të fuqishme që nuk u mposhtën nga dhuna e qeverisë, por që çuan në rrëzimin e saj dhe të presidentit Janukoviç, duke zhvleftësuar edhe marrëveshjen me Rusinë. Kundërveprimi rus qe i menjëhershëm dhe u pasqyrua në organizimin e referendumit për Krimenë, këtë gadishull të tartarëve të bashkuar me Rusinë nga perandoresha Katerina e Madhe. SHBA-s dhe Evropa nuk e pritën mirë këtë veprim të Rusisë e, megjithë qëndrimet e ndryshme të shteteve evropiane, vendosën fillimin e sanksioneve kundër saj. Ky veprim duhet t’ishte më shumë një parapritë për politikën zgjeruese të Putinit në t’ardhmen se sa një përgjigje për faktin real.

Për këdo që njeh historinë e Krimesë dhe rëndësinë e saj strategjike për interesat ruse qëndrimi rus nuk do të përbënte një të papritur të madhe. Në këtë vështrim demonizimi i tij nuk është shprehje e realizmit politik, për pasojë mendoj se rezultati i referendumit nuk duhet quajtur i paligjshëm. Por nëse e kundërta e tij mund të quhet shprehje e hipokrizisë politike të Perëndimit, ajo e Rusisë është një varg shfaqjesh të tilla, në të cilat nuk mbetet pa u përmendur shpesh edhe Kosova e pavarësia e saj. Diplomacia dhe shtypi rus, në këta muajt e fundit, kanë vënë në të njëjtin plan çështjet e Krimesë e të Kosovës. Në mënyrë të habitëshme ato vazhdojnë t’a quajnë “të paligjëshme” pavarësinë e  krahinës shqiptare, duke lobuar në gjithë botën kundër njohjes së saj, por, nga ana tjetër, e instrumentalizojnë atë për të ligjëruar bashkimin e Krimesë me Rusinë, të cilën ish presidenti Gorbaçov e quan si “ndreqjen e një gabimi të historisë”. Është shprehje e një mendësie tregëtare që nuk ka parime, por i kthen ata në një funksion të ndryshueshëm të interesave të çastit apo të perspektivës të shtetit apo kastës së tij drejtuese.

Rusët e dinë mirë  se Kosova dhe krahinat e tjera në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi janë të banuara nga popullsi etnike shqiptare që, në trevat e tyre, arrijnë përqindje mjaft të larta. Por edhe atëherë kur ishin zyrtarisht mbrojtësit dhe siguruesit e kampit socialist nuk nguronin t’i blatonin Titos bashkimin e Shqipërisë si “republikë e shtatë”. Ky propozim nuk shqetësonte bashkëpuntorët e tyre komunistë shqiptarë që përgjëroheshin për Stalinin, por për të cilët çështja kombëtare ishte një koncept “reaksionar” e “fashist”, që binte ndesh me internacionalizmin proletar të lëvizjes komuniste ndërkombëtare. Çuditërisht edhe termat që përdorin sot zyrtarët rusë, duke filluar nga presidenti Vladimir, për të etiketuar drejtuesit e sotëm të Kievit janë “nacionalistë, neonazistë, rusofobë dhe antisemitë”. Duket se komunistët, kudo në botë, vazhdojnë ende t’i quajnë kështu kundërshtarët e tyre, siç bën edhe një ish shofer autobuzi, sot president i Venezuelës. Por hipokrizia e Putinit arrin në kufijtë e mbrojtjes dhe nxitjes së krimit shtetëror, kur me paturpësinë më të madhe, duke bërë krahasimin me Kosovën nuk sheh asnjë ndryshim mbasi, sipas tij, mijëra të vdekurit që çuan në ndarjen e saj nga Serbia “nuk përbëjnë një element juridik të parashikuar nga e drejta ndërkombëtare”.

Qeveria e Kievit, me një dozë të fortë realizmi politik, i lëshoi institucionet e Krimesë administratës ruse pa një të shtënë arme, ndërsa qeveritarët rusë, mbështetësit më të zellshëm të Millosheviçit dhe klikës së tij kriminale më 1999, nuk harxhuan as edhe një fjalë për dënimin e terrorit sërb në Kosovë, por e quajtën ndërhyrjen e NATO-s si një “agresion kundër një Vendi të pavarur”.

Sot bashkimi me Krimenë, edhe se jo zyrtarisht, gjeti një farë ligjërimi në opinionin publik, por taktika e shtrirjes së veprimeve antishtetërore e antikombëtare në zonat lindore të Ukrainës, nuk ka asnjë lloj justifikimi as juridik, as moral dhe as historik, por është tregues i strategjisë së rikrijimit të BS. A do të pajtohet Perëndimi me ringjalljen e BS kundër dëshirës së popujve t’atyre Vëndeve, që tashmë kanë bërë zgjedhjet e tyre proevropiane? Ukraina, për pozitën e saj, mbetet hallka e dobët e atij zinxhiri, për një seri arsyesh, por vullneti i popullit të saj të vendosur do të ngrinte shumë pikëpyetje para botës së sotme. Përgjigja e real-politikës evropiane nuk besoj se do të krijojë një tjetër “korridor të Gdanskut” për t’a mbrojtur. Qëndrimi  i aleatëve perëndimorë, në sajë të hipokrizisë së politikës së tyre që luhatet ndërmjet interesave dhe parimeve, duke i dhënë përparësi të parave, lë shumë për të dëshiruar.

Ekziston një rrjeshtim trasversal në politikën evropiane që përfshin të gjitha ngjyrat e saj, të ashtuquajturit “mirëkuptues”, siç i quan shtypi gjerman, ku bëjnë pjesë politikanë, diplomatë, biznesmenë, që përkrahin Rusinë dhe kryetarin e saj. Në këtë rrjeshtim spikasin emra të njohur të politikës si ish kancelarët social-demokratë gjermanë Schmidt e Schröder, ish kryeministri i djathtë italian Berlusconi, themeluesi i frontit Kombëtar francez Jean-Marie Le Pen, drejtuesi i partisë euroskeptike angleze Nigel Farrage, ish kryeministri golist francez Francois Fillon, për të përmendur vetëm pak prej tyre. Në bazë të këtij qëndrimi “mirëkuptues” ndaj kërcënimit të dhunës ruse, janë interesa vetiake e kombëtare në fushën e tregëtisë e të energjisë, simpati vetiake apo vlerësime të “qëndrueshmërisë” së sistemit putinian, bindje mbi rolin e “pazëvendësueshëm” të Rusisë në zgjidhjen e problemeve botërore kur dihet se qëndrimi i saj më shumë spikat në mbrojtjen e diktaturave të formave të ndryshme në rruzull. Për Jean-Marie Le Pen “Zoti Putin nuk ka bërë as edhe një gabim të vetëm, ndërsa amerikanët dhe evropianët kanë kaluar nga një lajthitje në tjetrën”. Të kundërtat në rreshtimin klasik të politikës gjejnë pikat e takimit. Këto lloj qëndrimesh, që ndikojnë sektorë të opinionit publik, kushtëzojnë dhe politikat valëzuese të qeverive gjermane e italiane, qe janë të një mëndjeje se Putin nuk duhet të izolohet, çfarëdo që të bëjë.

Një tjetër rrymë mendimi evropiane është ajo që “mirëkupton” frikën ruse nga një përparim i NATO-s në kufijtë e saj. Në dukje ka një farë logjike, por askush në NATO nuk ka synime agresive ndaj Rusisë. Po të ishte ky thelbi i problemit ukrainas do t’ishte e thjeshtë të zgjidhej, nëpërmjet traktatesh serioze e të respektueshme, madje as nuk do t’ishte krijuar. Ukraina më 1996 nënëshkroi një marrëveshje me Rusinë dhe SHBA-s për asnjanësinë e saj, në rastin e heqjes së armëve bërthamore, nën garancinë e tyre për sa i përket mbrojtjes së saj. Nuk kaluan as njëzet vjet dhe Rusia e hodhi në kosh atë marrëveshje, duke vënë në diskutim edhe vetë qënien e shtetit ukrainas. Nëse Helmut Schmidti, në kundërshtim me çdo enciklopedi të botës, shpreh mëdyshje për historinë e shtetit ukrainas që daton në shekujt X – XIII, duke qënë i pari shtet sllav i organizuar në atë hapësirë, gjen terren një aventurier i politikës si “liberal-demokrati” Zhirinovskij të propozojë sot një ndarje të Ukrainës ndërmjet Rusisë dhe Polonisë. Ringjallen fantazmat e vjetra të pakteve të tipit Ribbentrop – Molotov në Evropën e shekullit 21, në sajë të mendësive të përjetëshme të arsyeve të më të fuqishmëve.

A do të mjaftojë vullneti i Barack Obamës për të shmangur, vetëm nëpërmjet sanksioneve ekonomike, rrezikun e një agresioni rus në drejtim të Ukrainës? A do të mbarojë me atë agresion të mundshëm etja e Rusisë për perandorinë e humbur? Janë pyetje që të lenë në mëdyshje, por që krijojnë një ankth të madh tek të gjithë.

Kujtoj një tjetër çast historik të luftës së ftohtë, që vuri në rrezik paqen botërore. Ishte fundi i gushtit 1968. Mbas mësymjes së Çekosllovakisë së “Pranverës së Pragës” u duk në horizont një tjetër sulm. Isha ushtar në një repart pune, por edhe te ne gatishmëria ushtarake ishte në kuotën zero, në më të lartën. Pritej një sulm i ushtrive të paktit të Varshavës nga kufijtë e Rumanisë në drejtim të saj, të Jugosllavisë e të Shqipërisë, për të dalë në Adriatik, duke siguruar krahun jug-perëndimor të kampit socialist. Atë natë që mendohej se do të fillonte mësymja ushtarake presidenti Lyndon Johnson improvizoi një konferencë shtypi në Texas, në të cilën deklaroi: “Çdo aventurë e re ushtarake sovjetike në Ballkan do të ketë pasoja të pallogaritëshme për fatet e botës”.

Mësymja sovjetike nuk u krye. Nuk dij pse ndryshoi plani i Traktatit të Varshavës, sa ndikuan fjalët e presidentit amerikan në atë ndryshim, çfarë ndodhi realisht n’ato orë. Të tjera kohë, të tjerë shtetarë, të tjera situata.

Eugjen Merlika