Vajza çifute kthehet pas 74 vjetësh: “Nuk do vdisja pa takuar ata që më shpëtuan” - Shqiptari i Italisë

Histori
Sonja Adishe ishte vetëm dy vjeç kur familja e saj e kërcënuar nga nazistët gjeti strehë në shtëpinë e Agostin Çiftjes në Shkodër. 74 vjet më pas, ajo rikthehet në Shqipëri për të takuar familjarët Çiftja që i quan “vëllezër”.
Nga Arben Velo, BIRN

Gjon Çiftja dhe Sonja Adishe gjatë drekës së dy familjeve në Lezhë. Foto: Arben VeloNë fillim të verës së vitit 1943, Shalom Adishe e kishte ndarë mendjen: braktisi Prishtinën e pushtuar nga nazistët dhe u nis drejt Shqipërisë. Bashku me gruan, Ninën dhe vajzën 2-vjeçare Sonja, ai kaloi kufirin si klandestin dhe mesnatën e një mbrëmjeje qershori zbarkoi në rrugicën “Dogajtë e reja” të Shkodrës-ku ndodhej lokali i Agostin Çiftjes.

Çiftja, një burrë i gjatë me veshje të fisme po mbyllte lokalin kur i pa të ardhurit në rrugë dhe i pyeti shqip: Prej kah jeni?

Shalom Adishe (Adiže) nuk dinte të përgjigjej. Agostini i foli sërish në gjuhën italiane.

Pas një hezitimi, Shalom u përgjigj: Nuk jemi italianë, jemi hebrenj dhe kërkojmë një strehë ku të fusim kokën!

Shtatëdhjetë e katër vjet pas këtij takimi dramatik, Sonja Adishe ka udhëtuar bashkë me fëmijët dhe nipërit nga Izraeli në Shqipëri për të takuar familjen Çiftja që i shpëtoi.

Dy familjet i takuam rastësisht gjatë një dreke te “Mrizi i Zanave” në Lezhë. Në krah të Sonjës është ulur Gjon Çiftja-i biri 84 vjeçar i Agostinit, i cili ka punuar si profesor i matematikës në Universitetin e Shkodrës. Ai ka ardhur në këtë takim me familjarët, të motrën Xhovana dhe bashkëshortin e saj.

Ndryshe nga Sonja që kujtimet i ka të treguara nga babai, Gjon Çiftja e mban mend kohën kur familja Adishe u strehua në shtëpinë e tyre.

“Kjo është streha eme. Ju do të flini në dhomën time të gjumit, ndërsa unë dhe gruaja e fëmijtë e mi do të rregullohemi në pjesën tjetër të shtëpisë”, kujton ai t’u ketë thënë babai bashkëshortëve Shalom dhe Nina.

Shtëpia e tyre përbëhej nga dy dhoma dhe një kuzhinë. Jashtë mureve, era e ngrohtë e qershorit përcillte jehonën e këmbanave të kishave dhe zërin e dalë nga minaret e xhamive.

“Kjo është Shkodra. Ju do të rrini këtu sa të doni dhe do të ndajmë gjithçka bashkë, në të mirë dhe në të keq”, do t’u thoshte Agostini, ndërsa Gjoni asokohe vetëm 11 vjeç pohon se ishte dëshmitar i këtij çasti.

Sonja Adishe thotë se ka shumë respekt për Shqipërinë dhe se takimi me Xhovanën-motrën e Gjonit i ishte dukur sikur kishte takuar nënën e saj.

“U frikësova nga vdekja andaj erdha,” thotë e moshuara nga Izraeli.

“Tani e di që do të rroj, sepse takova njerëzit e mi,” shton ajo ndërsa përlotet.

Emrat e familjarëve Çiftja gjenden mes shumë familjeve të tjera shqiptare në Yad Vashem, të njohur si “Të drejtë mes kombeve” nga Izraeli për kontributin e tyre në shpëtimin e familjeve hebreje gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në Mrizin e Zanave, familjet shohin fotografi dhe rikujtojnë atë mbrëmje qershori që i bëri miq. Pas kapitullimit të Italisë, komanda gjermane u vendos në të njëjtën rrugicë me shtëpinë e Agostin Çiftjes në Shkodër.“Përballë shtëpisë së Agostinit dhe Jozefinës, ndodhej një ndërtesë 20 metra e gjatë dhe me 12 dhoma”, kujtojnë familjarët.

Rreziku ishte fare afër dhe Shalomit iu desh të largohej sërish.

“Në rrugicë jetonin vetëm katër familje shqiptare. Gjermanët kishin dhënë urdhër që dyert e portave të shtëpisë të qëndronin të hapura. Kjo ishte tepër shqetësuese dhe e rrezikshme. Nga momenti në moment, gjermanët mund të futeshin në shtëpi dhe t’i gjenin miqtë aty”, kujtojnë Gjon Çiftja.

Vendimi që ata morën nuk ishte i lehtë. Dy të rriturit duhej të largoheshin në zona rurale, ndërsa Sonja do të mbetej në shtëpinë e shkodranëve.

Deri në përfundim të luftës, burrë e grua qëndruan në Thumanë. Agostini u dërgonte ushqime dhe veshmbathje, ndërsa vajza rritej me fëmijët e tij, si pjesë e familjes. Kur gjysma e Shqipërisë u çlirua, Shalom Adishe dhe Nina vendosën të largoheshin nga Shqipëria.

Në pasaportën e falsifikuar shqiptare, emri i Shalomit u tjetërsua në Shaban, Nina mbajti emrin që kishte dhe po ashtu edhe Sonja. Vajza e vogël, e rritur në Shkodër u dërguar drejt prindërve në Thumanë dhe që andej, ata udhëtuan drejt kufirit me Maqedoninë për të mbërritur më pas në Izrael.

Para se të ndaheshin, Agostini dhe Shalom shkëmbyen edhe pak fjalë- siç kujton djali i tij Gjoni. “Merreni këtë kuti duhani”, do t’i thoshte në kohën e ndarjes Agostini-Shalomit.

“Unë nuk e pi duhanin, ti e di”, u përgjigj Shalomi.

“Merre dhe mbaje si kujtim, por hape të shikosh çfarë duhani ke brenda”, ia ktheu Agostini.

Brenda kutisë ishin mbledhur bizhuteritë që familja Adishe kishte lënë në shtëpinë e familjes Çiftja. Ishte gjithçka që u kishte mbetur dhe kishin menduar t’ia linin Agostinit për ndihmën, por ai ua ktheu pas.

Gati 73 vjet më pas, Sonja u rikthye në vendin ku kishte qenë foshnje për t’u treguar tre djemve të saj, Charli Shalom, Jakobin dhe Uri historinë e familjes së saj.

Për të arritur në këtë takim, ka patur mjaft rrethana rastësore dhe surpriza. Sonja tregon se është rilidhur me familjen shkodrane rreth viteve 1990. Nëna e saj Nina, kishte takuar në Izrael në një veprimtari kushtuar shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët Refik Veselin, ndër të parët që u nderuan për shpëtimin e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Pasi ai tregoi historinë e tij në atë takim, nëna i tha se një histori të ngjashme kishte edhe ajo me një familje nga Shkodra. I rrëfeu ngjarjen. Shkruajti një letër dhe ia dorëzoi atij, duke i dhënë adresën e shtëpisë ku ishte strehuar. Sidomos rrugicën “Dogajtë e reja,” kujton Sonja.

Pas mbërritjes në Shqipëri, Refik Veseli takoi Gjonin. Mes tij dhe Ninës filloi letërkëmbimi. “Janë 40 letra që nëna ime dhe vëllai i kanë shkruar njëri tjetrit,” pohon ajo.

Gjon Çiftja tregon se kur Refiku i ka sjellë letrën e Ninës ishte emocionuar shumë.

“I shkrova shpejt e shpejt pas dhjetë ditësh,” tregon ai.

Në vitin 1992, familja Çiftja u nderua në Izrael për shpëtimin e familjes Adishe.

“Jam krenar për këtë, por më krenar jam që takova motrën time. Është emocionuese. Nuk di ta përshkruaj”, thotë për BIRN Gjoni.

Letërkëmbimi mes tij dhe Ninës vijoi edhe më tej, ndërsa rastësitë i lidhën edhe më fort dy familjet. Djali i Gjonit, që vazhdonte studimet në Hjuston të SHBA-së kishte takuar atje gruan e djalit të Sonjës, Jakobit. Bashkëshortja e Jakobit i kishte thënë se familjen e burrit të saj e kishte shpëtuar nga gjermanët në luftë, një familje me këtë mbiemër dhe ishin njohur bashkarisht.

“Edhe në Amerikën e largët, rrënjët tona u takuan”, thotë Gjon Çiftja.

Ndërsa dëgjon historinë, Sonja Adishe përsërit se është e emocionuar që takoi “vëllanë dhe motrën” e saj nga Shqipëria.

“Nuk do të vdisja pa i takuar,” përfundon ajo.