Rama në Romë merr mbështetjen e Italisë (video) - Shqiptari i Italisë

Shqipëri-Itali
Kryeministri i ardhshëm shqiptar ka qenë të enjten në Romë ku ka pasur disa takime të nivelit të lartë. Përveçse kryeministrin Letta e ministren e Jashtme Bonino, ka takuar edhe ish kryeministrat D’Alema, Amato e Berlusconi

Kryetari i Partisë Socialiste, kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë Edi Rama, nga Londra ka qenë të enjtën në Romë ku ka takuar disa personalitete të politikës italiane.

Optimist për takimet në Romë, ai shprehet se “kjo ditë konfirmoi plotësisht dëshirën e vullnetin dypalësh për të forcuar partneritetin strategjik që lidh tradicionalisht dy vendet tona”.

Rama ka drekuar me kryeministrin italian, Enrico Letta, temat kryesore të bisedës mes mes të cilëve ishin forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, nxitja e investimeve italiane në Shqipëri si edhe mbështetja që vendi fqinj do i japë kërkesës së Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Rama, lidhur me këtë takim, shprehet se shënon “nisjen e komunikimit për një kapitull të ri bashkëpunimi mes dy vendeve”.

Pasdite ai është takuar edhe me ministren e Jashtme, Emma Bonino me të cilën këmbeu “mendimet për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh dhe me rajonin po ashtu”.
“Jam shumë e kënaqur që pata mundësinë të shoh mikun tim Edi Rama në këtë detyrë të re. – thotë pas takimit ministrja Bonino – Njihemi prej shumë vitesh dhe besoj që së bashku mund të vendosim themelet e një fillimi të ri, një fillimi të ri jo të miqësisë mes vendeve tona, por një fillim të ri për Shqipërinë, në rrugën e saj drejt Europës. E, besoj se ndihma e Italisë mund të jetë vërtetë frytdhënëse, si për ne ashtu edhe për shqiptarët. Një rinisje e vërtetë për ne në një rrugë të vështirë, po me shumë shpresa.”

Dita romake e Edi Ramës ka filluar në mëngjes në Selinë e Fondacionit ItalianiEuropei në qendër të Romës ka ai është takuar me ish kryeministrat e Italisë Giuliano Amato e Massimo D’Alema. Me ta Rama ka folur për “mbështetjen teknike në realizimin e programit” që dy ish kryeministrat e Italisë, me përvojën e tyre mund t’i ofrojnë PS-së.

Kryetari i Fondacioni Italianieuropei, Massimo D’Alema shprehet “i nderuar që Kryeministri i ri i Shqipërisë në pritje të marrjes së detyrës së tij ka vendosur për të bërë këtu udhëtimin e tij të parë të rëndësishëm jashtë kufijve. Këtu, për të takuar miq. Miq, të cilët prej shumë vitesh kanë pasur fatin të punojnë me të, me Shqipërinë dhe që përshëndesin suksesin elektoral të Edi Ramës dhe të socialistëve si një kthesë të madhe që e afron Shqipërinë me Europën dhe që hap një perspektivë mjaft më të përshpejtuar në bashkëpunim edhe me Italinë. Do të zhvillohet një takim me Kryeministrin, i cili me shumë interes ka ftuar Edi Ramën, për të diskutuar edhe që kjo vizitë të hedhë bazat e një bashkëpunimi të nevojshëm për të dy vendet”.

“I bashkohem atyre çka sapo tha Massimo D’Alema, duke shprehur kënaqësinë që kemi këtu kryeministrin e ri të Shqipërisë, një mik të hershëm, që unë e vlerësoj prej shumë kohësh. – thotë Amato - Duke punuar me Shqipërinë tashmë prej 10 vjetësh, kujtoj Ramën si njeriu që i ndryshoi fytyrën e kryeqytetit të Shqipërisë, përtej ngjyrave të shumta. Kapaciteti i tij i madh, kultura e tij inovative më në fund është në shërbim të të gjithë vendit, dhe është përfaqësuese e të gjithë forcave politike reformatore shqiptare”.

“Fondacioni ItalianiEuropei është një stacion i pashmangshëm për mua, për ne, socialistët shqiptarë ku gjejmë gjithmonë derën e hapur dhe dy miq të mëdhenj të Shqipërisë Masimo D’Alemën dhe Giuliano Amaton me të cilët kemi folur për të ardhmen, për ndihmën që kërkojmë, për eksperiencën që mund të na vënë në dispozicion dhe për burimet njerëzore të paçmueshme që mund të gjejmë falë tyre në mënyrë që jo thjesht marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë të shkojnë një hap më tutje por që qeverisja jonë, që politikat tona, që sidomos hapja e një perspektive të re për investimet italiane në Shqipëri të kthehen brenda katër viteve të ardhshme në një realitet të ri” – shprehet Rama në fund të takimit.

Rama ka takuar edhe Silvio Berlusconin. Me ish kryeministrin e qendrës së djathtë, ndër sipërmarrësit më të mëdhenj italianë, Rama ka diskutuar mbi investimet italiane në ekonominë shqiptare.

“Pata kënaqësinë të pres kryeministrin që njoh dhe admiroj prej kohësh. – shprehet Berlusconi – Jam i sigurt që do të sjellë për Shqipërinë një frymë të re hapjeje drejt së ardhmes bashkë edhe me një mbështetje nga ana e Italisë që gjithmonë e ka parë Shqipërinë si një vend mik ku dimë janë mjaft qytetarë që flasin italisht dhe ku do na pëlqente që mjaft sipërmarrje tonat të kishin selinë e tyre. Në këtë bisedë kemi vendosur mundësinë e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë. Tashmë, do nisim të procedojmë në mënyrë të tillë që të bëhen konkrete dhe që të mund të amplifikohen vërtet raportet e bashkëpunimit dhe të miqësisë”