Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Romë, 1 mars 2011 - Me një komunikatë shtypi, administrata komunale e qytetit të Brindisit, njofton që sot është zhvilluar në Pallatin Nervegna një konferencë për prezantimin e evenimenteve në kuadrin e iniciativës me titull “Qyteti mikpritës: Shqipëri-Brindisi, 20 vjet më pas” që do të zhvillohen në Brindisi nga 11 deri më 13 mars 2011.

Ishte 7 marsi i vitit 1991 kur në portin e Brindisit zbarkuan mijëra qytetarë shqiptarë që arratiseshin nga një vend i sfilitur nga 45 vjet regjimi komunist dhe nga kriza e thellë ekonomike. Tashmë kanë kaluar 20 vjet nga ato zbarkime “biblike”, dhe Brindisi dëshiron të rikuperojë kujtesën historike të një faqeje gjithnjë aktuale përmes kësaj iniciative.

Programi përmban një sërë iniciativash që për tri ditë do të sjellë mbi qytet një atmosferë reflektimi dhe përkujtimore. Çaste spektakli dhe ballafaqimesh, me instalime artistike, rrëfime, marshe alegorike dhe me bandë nëpër rrugët e qendrës historike, dokumentarë, konferenca-seminare mbi temën e imigracionit dhe koncert.
Programi do të nisë të premten më 11 mars në orën 21.00 me shfaqjen e dokumentarit “Shqipëria, vendi përballë” të Roland Sejkos, të prodhuar nga Instituti Luce.

“Qyteti mikpritës” ka për objektiv rizbulimin e një periudhe dramatike në historinë e Shqipërisë, por edhe mikpritjen e qytetit të Brindisit, që diti të lehtësojë vuajtjet e mijëra personave që kishin ndërmarrë një udhëtim aventuror, duke treguar një frymë të lartë kohezioni dhe një zemërgjerësi të jashtëzakonshme ndaj një populli të bujtur 20 vjet më parë dhe që sot është pjesë integrale dhe jetësore në shoqërinë civile.

Programi i plotë e tre ditëve veprimtari

Lexo edhe: Mars 1991 - Edhe unë isha në anije