Blick, lajme në gjuhën shqipe në faqet e sportit - Shqiptari i Italisë

Evropë
E përditshmja zvicerane u dedikon një hapësirë në gjuhën shqipe me lajme mbi kombëtaren, rreth 250 mijë shqiptarëve që jetojnë në Zvicër. Dje një tjetër lajm interesant nga Zvicra: shiten më shumë fanellat kuqezi të Shqipërisë se ato të përfaqësueses helvetike

Zyrih, 6 qershor 2016 – Nga sot, e përditshmja zvicerane Blick i dedikon një hapësirë në gjuhën shqipe lajmeve mbi kombëtaren shqiptare e pjesëmarrjes së saj për të parën herë në Kampionatin evropian. Gazeta e shkruan në faqen e saj të parë: "Gjatë tanë javës se ardhshme gazeta Blick ju informon në gjuhën shqipe" dhe në faqet e sportit jep lajmet më të fundit mbi kuqezinjtë e udhëhequr nga De Biasi, të cilët ndeshjen e parë e kanë pikërisht me “vëllezërit” e Zvicrës, të shtunën në orën 15:00.

Sipas të dhënave të botuara së fundi nga revista Beobachter, në Zvicër jetojnë rreth 250 mijë shqiptarë, pjesa dërrmuese nga Kosova por edhe nga Maqedonia, Shqipëria e Serbia.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në Evropian ka ndezur një entuziazëm të jashtëzakonshëm mes shqiptarëve të Zvicrës. Dje, një tjetër lajm, konfirmonte këtë fakt: shumë tregtarë pohojnë për mediat e vendit se shesin shumë më tepër fanellat e përfaqësueses shqiptare se ato të vendit.