Ndalohet në Londër Francesco Becchetti, pronari i Agon Channel - Shqiptari i Italisë

Evropë

Pritet që Anglia të vendosë për ekstradimin e tij deri në 15 dhjetor, natyrisht nëse ai nuk vendos më parë të niset për Shqipëri për t’iu dorëzuar drejtësisë shqiptare

Romë, 4 nëntor 2015 - Sipërmarrësi Francesco Becchetti është ndaluar ditët e fundit në Londër për llogari të organeve të drejtësisë shqiptare që në qershor kishin lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar për të. Mund të vendosë t’u dorëzohet vetë organeve të drejtësisë shqiptare, nëse nuk e bën, në mes të dhjetorit do të vendosë gjykata e Londrës për ekstradimin e tij (që në Shqipëri e konsiderojnë fakt të kryer).

Becchetti akuzohet nga prokuroria e Tiranës për pastrim parash, evazion fiskal dhe mashtrim në dokumentacion. Pas hetimeve të mbyllura në korrik, Becchetti, e ëma dhe ortakja e tij Liliana Condomitti, bashkëpunëtori i tij Mauro De Renzis, një bashkëpunëtore shqiptare Erjona Troplini dhe një punonjëse banke akuzohen për ngritjen në këmbë të “një skeme gjigante pastrami parash” që duhet t’i ketë sjellë sipërmarrësit italian e bashkëpunëtorëve të tij fitime prej disa milionë eurosh. Becchetti akuzohet gjithashtu edhe për mospagim të taksave për një shumë prej rreth 770 milionë lekësh. Për këto akuza, Becchettit i janë sekuestruar aksione të Agonset që administron kanalet televizive, të disa sipërmarrjeve të tjera në fushën e energjetikës. Organet e drejtësisë kanë bllokuar edhe të gjitha llogaritë bankare të tij e të të akuzuarve të tjerë.

Për Becchettin, që me nisjen e hetimeve nuk shkeli më në Shqipëri, akuzat dhe urdhërarresti janë një shantazh i qeverisë së Tiranës: “Nuk kanë prova, më janë vënë pas vetëm pse kanali im televiziv është i pavarur”.