Një ditë në Parlamentin Evropian - Shqiptari i Italisë

Evropë
“Albanians for EU Forum”, një grup të rinjsh që kanë studiuar jashtë Shqipërisë dhe gjithashtu jetojnë e punojnë në vende të ndryshme të Evropës, takojnë europarlamentarët në Bruksel
Nga Ela Daci 

 

Nisma “Albanians for EU Forum” lindi nga dëshira për  të ndihmuar në procesin e integrimit me Bashkimin Evropian. Është krijuar nga një grup të rinjsh të cilët kanë studiuar jashtë Shqipërisë dhe gjithashtu jetojnë e punojnë në vende të ndryshme të Evropës, duke qënë një shembull pozitiv integrimi. Objektivi i forumit është të informojë shqiptarët mbi Bashkimin Evropian, lidhur me procesin e çeljes së negociatave të anëtarësimit, si dhe mbi funksionimin e BE-së duke qartësuar mekanizmin vendimarrës që udhëheq një integrim transparent.

Delegacioni i Albanians for EU Forum kreu një vizitë disaditore në Bruksel. Dita kryesore ishte 2 prill 2019, gjatë së cilës Forumi mori pjesë si vizitor në mbledhjen e Komisionit për Punët e Jashtme, pranë Parlamentit Evropian. Vizita u mundësua falë zyrës së eurodeputetit z. Knut Fleckenstein. I ftuari kyç i mbledhjes ishte komisioneri Hahn. Gjatë diskutimit të tij mbi politikat e zgjerimit, ai theksoi se Ballkani Perëndimor po bën progres për t’iu afruar BE-së. Komisioneri Hahn tha se për dy vendet kandidate, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, pritet që në qershor 2019 Këshilli Evropian të marrë vendimin për hapjen e negociatave. Lidhur me Maqedoninë e Veriut ka shumë gjasa të merret një vendim pozitiv për hapjen e negociatave, sidomos pas Marrëveshjes së Prespës me Athinën. Komisioni Evropian – shpjegoi Hahn – është i qëndrimit se, nëse partnerët nga Lindja kanë përmbushur kriteret, atyre u duhet dhënë një dritë jeshile mundësie. Më pas ai shtoi se pjesëtarët e Këshillit nuk duhet te udhëhiqen nga frika dhe mëdyshjet në marrjen e vendimeve.

Axhenda e Albanians for EU Forum vazhdoi takimet me deputetë të partive të ndryshme. Ata takuan  zonjën Tanja Fajon, e cila u komplimentua për punën që forumi po kryen. Zonja Fajon shprehu gjithashtu dëshirën e saj për hapjen e negociatave me Shqipërinë. 

Më tej grupi pati një takim të gjatë e miqësor me zv/presidentin e Parlamentit Evropian, z. Fabio Massimo Castaldo. Diskutimi u bazua mbi Ballkanin Perëndimor, gjendjen e rajonit (veçanërisht Shqipëri, Bosnje e Kosovë) ekonominë dhe mbi politikën evropiane. U theksua progresi i Malit të Zi dhe Serbisë në hapat e rrugës drejt BE-së. Z. Castaldo shprehu se Shqipëria është vend mik dhe strategjik për Italinë, por ka ende disa problematika që influencojnë negativisht procesin e negociatave.

Në fund të ditës u zhvillua një takim me Z.Eduard Kukan, i cili e priti me entuziazëm nismën e Forumit dhe u tregua tejet i sinqertë me informacionet që shkëmbeu. Z. Kukan ishte shumë kritik me klasën politike shqiptare, të cilën e cilësoi si të paaftë në njohjen e rregullave bazike të demokracisë. I kënaqur që po takonte një grup të rinjsh shqiptaro-evropianë, u shpreh plotësisht dakord se përpjekjet që po bën shoqëria shqiptare janë një urë drejt BE-së. Në raport me politikën zoti Kukan theksoi se shteti shqiptar duhet të vazhdojë me detyrat e shtëpisë e më tej të pretendojë hapjen e negociatave. Në takimet me zonjën Fajon dhe zotin Kukan përshtypja që Forumi krijoi ishte se hapja e negociatave të aderimit nuk përbën ende, fatkeqësisht, një siguri.

Në Parlamentin Evropian  grupi u takua e dialogoi edhe me plot shqiptarë e shqipfolës të punësuar në institucion si asistentë parlamentarë e praktikantë. Ata pergëzuan për punën që po bën Forumi dhe konfirmuan dëshirën për një Shqipëri në Evropë. 

Zgjedhjet për rinovimin e Parlamentit Evropian do të mbahen në 23 – 26 maj. Për herë të parë kemi dy kandidatë për deputetë shqiptarë për këto zgjedhje: z.Ahmet Gjanaj nga Belgjika dhe znj. Eda Gemi nga Greqia. Do të ishte strategjike për Shqipërinë nëse dy kandidatët do të zgjidhen si eurodeputetë.

Stabiliteti politik dhe reformat e shumëpritura duhet të materializohen pa humbur kohë në Shqipëri. Pritet që Parlamenti Evropian i ri, më masiv në pjesëmarrje nga forcat euroskeptike, të jetë akoma më hermetik mbi politikat e zgjerimit. Nëse qershori nuk do të sjellë dritën jeshile për hapjen e negociatave, Shqipëria duhet të presë dhjetorin e ardhshëm, moment në të cilin do të jetë sërisht në axhendën e Këshillit Evropian zgjerimi në Ballkanin Perëndimor.

Ndërsa popullsia shqiptare percepton vështirësi ekonomike e shoqërore, shumë sektorë si arsimi dhe shëndetësia mbeten larg standardeve evropiane. Gjuha e përbashkët mes pozitës dhe opozitës duhet të gjendet sa më shpejt, jo vetëm për të mirën e atyre që akoma sot duan të emigrojnë, por edhe për forcimin e nivelit ekonomik nëpërmjet investimeve evropiane. Zoti Kukan u sugjeroi fort anëtarëve të Forumit të jenë prezent me vizionin e tyre pranë politikanëve të vendit për t’i ndërgjegjësuar mbi benefitet e demokracisë, kompromisit dhe dialogut. Populli shqiptar e veçanërisht të rinjtë kërkojnë standarde shumë më të larta sesa aktualet dhe këto mund të arrihen vetëm nëse Shqipëria afrohet sa më shumë pranë BE-së.

Fatkeqësisht klima aktuale politiko-sociale në BE vështirëson integrimin e vendeve si Shqipëria. Vende anëtare si Franca, Holanda dhe Danimarka kanë rritur  nivelin e standardeve për zgjerimin, të trëmbur nga lajmet për kriminalitetin në Shqipëri, azilkërkuesit dhe peshës së fuqishme brenda tyre të euroskeptikëve. Vitin e kaluar Gjermania u dakordësua për hapjen e negociatave por tre aleatët skeptikë ende jo. Presidenti francez Makron i mëshon idesë se BE duhet të kryejë procesin e reformimit para se të zgjerohet.

Benefitet e BE-së janë të mëdha për vende si Shqipëria, veçanërisht në fushën e arsimit. Programet e edukimit si Erasmus+ i mundësojnë të rinjve të kryejnë një përvojë studimi të përkohshme jashtë vendit, duke përfituar një ndihme ekonomike lehtësuese nga BE-ja. Lidhjet e BE - Shqipëri janë edhe ekonomike, duke marre parasysh se 66% e tregtisë së Shqipërisë zhvillohet me Bashkimin Evropian. Për më tepër, duhet të konsiderohet se gjysma e të gjitha investimeve të huaja direkte në Shqipëri vjen nga BE (pothuajse 4 miliardë euro).

Nga statistikat e Eurobarometrit, Shqipëria percepton Bashkimin Evropian në mënyrë pozitive duke qenë se 70% e shqiptarëve ka besim ne BE kurse 55% e tyre ndihen të lidhur me BE-në.

Grupi i “Albanians for EU Forum” u kthye në vendet përkatëse duke menduar se Shqipëria është ende larg BE-së. Forumi mbetet i bindur se bashkësia shqiptare e meriton hapjen e negociatave edhe pse politika ende nuk po ia mundëson këtë.