Ramush Haradinaj është person i lirë - Shqiptari i Italisë

Evropë
Gjykata e Colmarit në Francë vendosi sot për lirinë e plotë të Haradinajt, ish kryeministër i Kosovës dhe kryetar i AAK-së i ndaluar në janar të këtij viti në bazë të një urdhërarresti serb të 2004-s

Prishtinë, 27 prill 2017 – Ish-kryeministri dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u lirua sot nga gjykata e Colmarit në Francë. Sipas vendimit të kësaj gjykate, që rrëzoi kërkesën për ekstradim të Serbisë, Haradinaj është i lirë të kthehet në Kosovë.

Në një prononcim për mediat pas përfundimit të seancës Haradinaj theksoi: “I qëndrojmë besnikë të drejtës sonë, gjykata rrëzoi kërkesën për ekstradim. Jam i lirë, shpresoj të kthehem sot në Kosovë”.

Në ambientet e jashtme të Gjykatës së Colmarit ndodhen qindra shqiptarë, në mbështetje të tij.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Prishtinë ka festuar lirimin e Haradinajt me ndezjen e fishekzjarrëve të zyret e AAK-së.

Ramush Haradinaj u arrestua në 4 janar në Aeroportin e Baselit, sipas një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004, me të cilin akuzohej për krime të kryera ndaj komunitetit serb dhe atij rom. Më 12 janar Gjykata e Colmar të Francës liroi me kusht ish kryeministrin e Kosovës dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, gjë që nënkuptonte paraqitjen e Haradinajt 2 herë në javë pranë gjykatës franceze, si dhe moslargimin nga Franca.

Lexo edhe: Haradinaj i lirë. Kosova e Shqipëria i gëzohen lajmit të mirë por të vonuar