Ramush Haradinaj në liri të kushtëzuar - Shqiptari i Italisë

Evropë
Ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj duhet të mos largohet e të paraqitet dy herë në javë në gjykatë.
AAK: “Vendimi i Gjykatës franceze për Haradinajn, drejtësi jo e plotë”
Rama: “Mirukthefsh në Prishtinë i dashur Ramush”

Prishtinë, 12 janar 2017 - Gjykata e Colmar të Francës liroi sot me kusht ish kryeministrin e Kosovës dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Lirimi me kusht parashikon paraqitjen e Haradinajt 2 herë në javë pranë Gjykatës franceze, si dhe moslargimin nga Franca, raportojnë mediat në Kosovë.

Ndërsa zhvillohej seanca, para gjykatës shqiptarët e mbledhur kërkonin lirimin e kreut të AAK-së.

Ramush Haradinaj u arrestua në 4 janar në Aeroportin e Baselit, sipas një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia që e kërkon Haradinajn për veprat penale, që nuk janë përfshirë në aktakuzën e Gjykatës së Hagës, ku doli i pafajshëm. Lirimi me kusht i Haradinaj vjen dy ditë pasi Ministria serbe e Drejtësisë i dërgoi Francës kërkesën për ekstradimin e Ramush Haradinajt me disa dokumente, të përkthyera në gjuhën frënge.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e konsideroi vendimin e gjykatës franceze për lirimin me kusht të kryetarit të saj drejtësi jo të plotë.

Në një deklaratë për shtyp AAK-ja thekson se është e befasuar me vendimin e sotëm të autoriteteve gjyqësore franceze, që kryetari i AAK-së dhe ish kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, të mos kthehet në Kosovë.

“Ne konsiderojmë se vendimi që ai të lirohet nga paraburgimi, por jo edhe t’i lejohet kthimi në atdhe, nuk është drejtësi e plotë. I bëjmë apel organeve të drejësisë në Francë që të përshpejtojnë procedurat dhe t’i japin fund çfarëdo mase kundër Ramush Haradinajt, meqë ai i ka spastruar të gjitha pretendimet për krime lufte në procesin gjyqësor në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi”, theksohet në deklaratë.

Njëkohësisht AAK-ja e kupton mospajtimin e miliona mbështetësve të Haradinaj në këtë proces dhe u bën thirrje të gjithë atyre, që mbështetja për Haradinaj të vazhdojë të jetë civilie dhe me dinjitet, siç e meriton ai vetë. “Ne jemi të bindur se mbajtja e Haradinajt në Francë dhe procesi kundër tij, i inicuar me urdhër arrest politikë të Serbisë, do të marrë zgjidhje pozitive shumë shpejt”, përfundon deklarata.

“Mirëukthefsh në Prishtinë i dashur Ramush. Mbyllet episodi absurd, por beteja për fshirjen e listës së urdhër-arresteve te vjetra vazhdon" reagon në Facebook kryeministri Edi Rama pas vendimit të gjykatës franceze. Ai vlerëson "përpjekjet politike dhe diplomatike të autoriteteve në Tiranë e në Prishtinë", falënderon "çdo qytetar kudo ku i dha zë përpjekjes së përbashkët kundër një padrejtësie spektakolare" dhe e mbyll me shprehjen e respektit "për institucionet e drejtësisë franceze, që bënë drejtësi; një shembull më shumë për të çmuar vlerën jetike të drejtësisë së drejtë!”.