Sulmi në Mynih, 3 shqiptarë mes viktimave - Shqiptari i Italisë

Evropë
9 të vdekur e 16 të plagosur. Është ky bilanci i masakrës së mbrëmshme në një qendër tregtare në Mynih të Gjermanisë, e kryer nga një gjermano-iranian 18 vjeçar që më pas vrau veten. Akoma të paqarta motivet, por sidoqoftë sipas policisë nuk kanë të bëjnë me terrorizmin islamik. Nuk ka akoma nuk informacione zyrtare mbi viktimat, por mediat shqiptare e kosovare, bazuar në burime të sigurta, raportojnë se tre janë të rinj shqiptarë

Një atentat, motivet e të cilit akoma nuk janë të qarta, ka tronditur mbrëmë Gjermaninë. Në një qendër tregtare në veri të Mynihut është qëlluar me armë mbi njerëzit që ndodheshin aty dhe janë vrarë 9 vetë e janë plagosur 16 të tjerë. Mbi viktimat policia gjermane akoma nuk jep informacione por ajo që mësohet nga mediat përmes dëshmitarëve është se ishin kryesisht të rinj në moshë, disa akoma pa mbusur 18 vjeçët, madje mes të plagosurve ka edhe fëmijë. Sipas medave të Kosovës e të Shqipërisë, mes viktimave ka edhe tre të rinj shqiptarë. Quhen Sabina Sulaj, Armela Segashi, dhe Dijamant Zabërgja.

Natën vonë nga policia mësohet që atentatori ishte Ali David Sonboly një gjermano-iranian 18 vjeçar prej vitesh rezident në Mynih. Ka nisur të qëllojë mbi njerëz pak para orës 18 përpara një McDonald’s. u ndoq nga agjentë të policisë pa uniformë e më pas siç u konfirmua nga Shefi i policisë së Mynihut u gjet i vetëvrarë rreth një kilometër larg qendrës tregtare “Olympia” ku kreu vrasjet.

Ali David Sonboly, vrasësi 18-vjeçar që mbrëmë në Mynih vrau 9 persona dhe plagosi 16 të tjerë

Ali David Sonboly, vrasësi 18-vjeçar që mbrëmë në Mynih vrau 9 persona dhe plagosi 16 të tjerë

Rreth vrasësit dihet tashmë që jetonte me prindërit në periferi të qytetit, kalonte kohë para kompjuterit, ishte i fiksuar pas masakrave me armë zjarri dhe admironte në veçanti autorin e një masakre pranë Shtutgardit, ku në vitin 2009 një nxënës 17 vjeç vrau 15 persona.

Sipas policisë 18 vjeçari ka vepruar vetëm, nuk ka pasur bashkëpunëtorë dhe në shtëpinë e tij nuk është gjetur asgjë që të lërë të mendohet se kishte lidhje me ISIS. Këtë e ka thënë sot në një konferencë për shty kreu i policisë së Mynihut Hubertus Andrae që ka saktësuar që “nuk ka asnjë lidhje” mes masakrës së mbrëmshme dhe refugjatëve. Por ai ka shtuar gjithashtu se po vazhdohet të hetohet veçanërisht në ambientet e frekuentuara nga 18-vjeçari.

Asnjë dhe askund nuk ndihet i sigurt. Masakra e mbrëmshme, vetëm pak ditë pas sulmit të një 17vjeçari në një tren, gjithnjë në Bavari, ndodhi në një qendër tregtare që, duke qenë e premte me zyrat të sapombyllura, në mes të periudhës së zbritjeve të çmimeve e me fëmijët me pushimet e verës, ishte plot me njerëz. Panik total: një i ri qëllon me armë e vret 9 persona, mes tyre edhe adoleshentë, e plagos 16 të tjerë, mes këtyre të fundit tre po luftojnë mes jetës e vdekjes e ka edhe fëmijë. Njerëzit në qendrën tregtare ia mbathin nga të mundin, bërtasin e qajnë. Metropolitana mbyllet krejtësisht (deri në 1.30 pas mesnate), bllokohen të gjithë trenat në mbërritje e në nisje dhe stacioni i trenit boshatiset, ndalohet qarkullimi i autobuzëve, qytetarëve e turistëve u bëhet thirrje të mos lëvizin nga vendet ku gjenden e të lënë të lira rrugët ndërsa forca të shumta të rendit vërehen jo vetëm rreth qendrës trregtare por kudo. Kryeqendra e Bavarisë merr një hije të zymtë të jashtëzakonshme dhe humbet krejtësisht alegrinë që e karakterizon, veçanërisht në një mbrëmje të premteje vere. Frika mbizotëron gjithkund në Mynih.