Terror në një kishë të Francës. Theret një prift - Shqiptari i Italisë

Evropë
Dy persona të armatosur me thika kanë marrë peng famullitarin, dy murgesha dhe disa besimtarë në një kishë në Saint-Etienne-du Rouvray të Normandisë. Kanë ndërhyrë forcat speciale që kanë vrarë dy pengmarrësit, të cilët para sulmit duket se kanë thirrur “Daesh”

Romë, 26 korrik 2016 – Nuk janë mbushur as dy javë nga sulmi i Nicës e Franca tronditet sërish mëngjesin e sotëm nga një sulm i ri. Famullitari, dy murgesha dhe disa besimtarë  janë sekuestruar nga dy persona të armatosur me thika, në një kishë në Saint-Etienne-du Rouvray të Normandisë, në veri të Francës. Famullitari, atë Jacques Hamel, 86 vjeç, është therur me thikë në fyt e ka vdekur në vend. Një besimtar, edhe ai i therur në fyt, duket se lufton mes jetës e vdekjes në spital.

Sipas dëshmive të para duket se dy persona kanë hyrë në kishë rreth orës 9 ndërsa mbahej mesha e mëngjesit, kanë bllokuar dyert e jashtme e kanë sekuestruar personat që ishin brenda. Sipas mediave franceze pengmarrësit ka thirrur “Daesh”, ndaj edhe mendohet se ishin persona të lidhur me ISIS.  

Policia dhe ushtria kanë ndërhyrë menjëherë. Forcat speciale kanë vrarë dy pengmarrësit për të cilët akoma nuk dihet asgjë.

Pritet që në vnedngjarje të mbërrijë presidenti francez François Hollande - që me krahinën ka një lidhje të veçantë pasi ka lindur Rouen, rreth 10 km nga kisha e masakrës – dhe ministri i Brendshëm Bernard Cazeneuve.