Vëllezër kundër - Shqiptari i Italisë

Evropë
Shqipëria shkon në Evropian, ndeshjen e parë e luan kundër Zvicrës skuadra e të cilës është plot “vëllezër” shqiptarë. Por për vëllezërit Xhaka në veçanti, ndeshja është tejet emocionuese
Nga Ticinolibero.ch

Mes skuadrave që debutojnë në këtë Evropian që nis pasnesër, më interesantja është padyshim Shqipëria, në grup me Zvicrën, Rumaninë dhe Francën të zonjën e shtëpisë. E drejtuar nga trajneri italian De Biasi në kualifikimin historik, përjeton me pasion e entuziazëm këtë ngjarje. Trajneri i shtruar italian shpjegon se tifozët i kërkojnë të fitojë Evropianin, por ai shtyn të vetët të dinë të presin e të godasin të mëdhatë.

Shqipëria nuk shkon në Evropian si figurante. “Lënda e parë”, shpjegon De Biasi, është ajo që është nga ana teknike, por një punë e gjatë psikologjike ka transformuar një sërë lojtarësh në një grup të vërtetë.

Ndeshja e parë në absolut në fazën finale të Evropianit do të jetë kundër Zvicrës, dhe, për të parën herë në një Evropian, dy vëllezër do të gjenden njëri përballë tjetrit. Vëllezërit Xhaka ngjajnë si dy pika uji dhe kanë vetëm një vit diferencë në moshë. Të dy janë qendërfushorë, kanë luajtur me të rinjtë e Zvicrës, e më pas Taulanti vendosi t’i përgjigjej thirrjes së Shqipërisë, origjinës së familjes. E do të ketë kundër Granitin, që nuk e ka për herë të parë të luajë kundër Shqipërisë “së tij”. Ishte vetëm një miqësore, ai ishte 19 vjeç, dhe fërshëllimat e tifozëve zviceranë i kishin futur panikun, aq sa nuk arriti të shënonte një gol tejet të lehtë. “Le të më quajnë edhe tradhtar, por ndihem shqiptar”, u shpreh asokohe në fund të atij takimi për të shumë i vështirë. Këtë radhë ndeshja do të jetë edhe më e vështirë, rëndësia është më e madhe e nga ana tjetër do të ketë edhe të vëllanë.

Ndërkaq, Graniti ka bërë betim besnikërie ndaj Zvicrës: nuk ka ndërmend të ndërrojë fanellë as tani që ekziston edhe Kosova.

Zvicrës i detyrohet shumë skuadra e De Biasit, e ngritur me një punë të palodhur zbulimi në mbarë Evropën e që ka “napolitanin” Hysaj si talentin e saj më të madh. Janë të shumtë lojtarët e emigruar që të vegjël në Zvicër, të rritur aty si individë e si futbollistë.

Por ndeshja Shqipëri-Zvicër do të jetë si gjithë të tjerat, siguron De Biasi. Do të jetë ashtu edhe për Zvicrën?