25 vjet Shqipëri-Vatikan. Zhiti: Shqipëria, emblemë e vëllazërisë fetare - Shqiptari i Italisë

Itali
Celebrohet përvjetori i marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, në vitin e shenjtërimit të Nënë Terezës, të lumturimit të 38 martirëve e të emërimit kardinal të Dom Ernest Simonit

Romë, 21 tetor 2016 - 25-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë me Selinë e Shenjtë, mblodhi më 19 tetor në një konferencë në Universitetin Papnor Urbanian në Romë klerikë, përfaqësues të lartë të Kishës dhe studiues, të cilët hodhën dritë mbi historikun e kësaj marrëdhënieje

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kardinali indian Ivan Dias, nunci i parë apostolik në Tiranë.

I ngarkuari me punë në Ambasadën e Shqipërisë pranë Vatikanit, Visar Zhiti, tha se Shqipëria ka përjetuar një ndryshim të madh, ndërsa shtoi se politika duhet të nxjerrë mësime nga lumturimi i 38 martirëve.

Ndër të tjera, Zhiti foli për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Vatikanit, duke theksuar se në këto 25 vjet vendin tonë e kanë vizituar dy papë, kurse të gjithë presidentët e Shqipërisë demokratike, kryeministrat, ministrat, kryetarët e besimeve të ndryshme fetare kanë ardhur në Selinë e Shenjtë, janë mirëpritur nga vetë Papa dhe kujtoi vizitat zyrtare të suksesshme të Kryeministrit Edi Rama dhe të Ministrit të Punëve të Jashtëm, Ditmir Bushati, takimet e tyre me Atin e Shenjtë dhe homologët… “Shqipëria e rimëkëmbur, emblemë e vëllazërisë fetare, - përfundoi Zhiti, - po ecën drejt ëndrrës së saj euroatlantike, me besim te Zoti dhe te vetja”.

Edhe Dom Marjan Paloka, anëtar i Famullisë Fiesole të Firences, i vlerësoi 38 martirët shqiptarë të diktaturës komuniste: “Universalizmi katolik nuk ishte në dëm të kombëtarisë së tyre. Prandaj nëse këta martirë kanë ditur të bashkojnë së bashku universalen, lokalen dhe konkreten, atëherë dhe Shqipëria që sot detyrimisht shikon drejt universales pas një periudhe të gjatë të mbyllur duhet të mësojë nga sakrifica e këtyre martirëve për të ditur të kujdeset njëkohësisht për të dyja gjërat: marrëdhënien me botën, universalen dhe për rritjen dhe zhvillimin e vendit, konkreten, lokalen”.

Në këtë konferencë mori pjesë edhe Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, i cili nënvizoi se “nga Shqipëria sot mbërrijnë sinjale shprese, besimi e bamirësie”.

25 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë e Selisë së Shenjtë përkon me një vit të veçantë për Shqipërinë, ky është viti i shenjtërimit të Nënë Terezës, i lumturimit të 38 martirëve dhe, së fundi, i emërimit kardinal të Dom Ernest Simonit. (Sipas ATSh-së)