Çfarë ndodh në kokën e një tifozi - Shqiptari i Italisë

Itali

Vetëm pak ditë na ndajnë nga Botërori i Futbollit i Afrikës së Jugut dhe ethet kanë zënë tifozët e kombëtareve të ndryshme. Ata të Italisë, edhe pse nuk e thonë, ëndërrojnë përsëritjen e mbrëmjes magjike të 9 korrikut 2006.

Në vazhdim mund të lexoni një artikull të Michele Serrës, gazetar i Repubblica-s, të shkruar kohë më parë, por gjithnjë aktual, mbi tifozllëkun dhe format e ndryshme të shfaqjes së tij.

Në stadiume, çaste të caktuara intensiteti të lartë sjellin, çuditërisht, një heshtje të nderë, të thellë e të tmerrshme, në pritje që gjuajtja të përfundojë në portë apo në shtyllë apo në qiell, duke i hapur rrugën shpërthimit të gëzimit apo pasthirrmave të zhgënjimit

Është njëri që, kur loja bëhet tepër e nderë dhe e pasigurt nuk e përballon dot stresin dhe merr qenin e bën një xhiro rreth shtëpisë, por më telefonon çdo dhjetë minuta për të marrë vesh rezultatin. Është një tjetër që nuk duron të shohë një ndeshje mes shokësh, aq personale dhe i pahijshme është tronditja e tij, dhe mbyllet në shtëpi përpara televizorit: por u nis breshëri sms-sh miqve për të parë nëse edhe ata arrijnë të njëjtat kulme psikologjike (humnera, shpërthime të papritura), njësoj si hipokondriaku që ndihet më mirë kur simptomat e të tjerëve përputhen me të tijat.

Dikush është i bindur që në mungesë të tij skuadra mbetet e vetme përballë fatit dhe rrezikon të rrënohet, ndaj edhe nuk humb as edhe një ndeshje miqësore qoftë edhe më 15 gusht (urren dhe përçmon ferragosto-n) dhe kur rrallëherë nuk ndjek takimin, të nesërmen blen Gazzetta dello Sport dhe lexon të gjitha kronikat dhe komentet për t’i kërkuar ndjesë skuadrës dhe për të falur veten. Dikush tjetër prej 30 vjetëve shkon në stadium me të njëjtën kravatë (të të atit: është gjithnjë e trashëgueshme nga babai kjo sëmundje), dhe është plotësisht i bindur që një derby u humb sepse ai kishte harruar kravatën, gjatë një pakujdesie të pajustifikueshme gjatë veshjes, me siguri për faj të gruas.

Shumë vetë, para ndeshjes, marrin kafen gjithnjë në të njëjtin bar, në të njëjtën orë, me të njëjtit miq e duke thënë gjithnjë të njëjtat shprehje, sepse ceremonitë janë të tilla vetëm nëse respektohet zakoni me përpikëri, dërdëllitje pas dërdëllitjeje. Disa, me kalimin e viteve, kanë lënë pas dore “shenjtërimin e festës”, hiqen sikur janë shkëputur, por thelle thellë ndihen fajtorë dhe tradhtarë të kultit të të parëve. Shumë të tjerë ëndërrojnë, njësoj siç ëndërrohet provimi i maturës, sikur të dielën pasardhëse duhet të debutojnë me skuadrën e tyre në qendër të sulmit, dhe në ëndërr pyesin veten sa mijëra ushtrime gjimnastikore më shumë dhe sa mijëra cigare më pak do të kishin shërbyer për të qenë më pak qesharakë në ndeshjen e tyre të parë në serinë A, në moshën 50 vjeç dhe me barkun e qullët. (Pra edhe e pavetëdijshmja nuk e vë në dyshim që, me një stil të ndryshëm jetese, mund të kishim qenë një golashënues me nam).

E gjithë kjo i ka rrënjët në zgavrat më të thella, më të fshehta e më të mbrojtura të psikikës, aty ku ngjyrat ruajnë gjallërinë tronditëse të vështrimit të parë fëmijëror mbi fanellat e futbollistëve në fotografi apo në fushën e lojës. Ngjyra e kaltër e Novara calcio-s më trullosi që në moshë të njomë fare, në një stadium guri të vogël e të ciflosur. Provova më kot ta hidhja në letër të mirë dhe me lapsa të shtrenjtë: asnjë e kaltër nuk ishte e kaltër sa ç’duhej, edhe po të shtrëngoja dorën deri sa grisja fletën. Dhe i kam akoma përpara syve, të pashlyeshme dhe xixëlluese, disa kontraste spektakolare, që të merrnin frymën, teksa hapja zarfet e figurinave; e verdhekuqja e Romës, e bardhëkuqja e Vicenzës, blukaltra e Leccos, e kuqezeza e Palermos. Dhe diskutimet e thella me shokët e klasës në fillore për arsyet e fshehura për të cilat Milani ishte kuqezi ndërsa Interi zikaltër; ajo e zezë e vendosur njëherë në fund e njëherë në fillim, një nënkuptim e kishte: tek Milani i nënshtrohet të kuqes ekstroverse, ndërsa tek Interi është e kaltra që i shtohet, si për ta mjekuar, sfondit të zi sterrë, i errët si fati...

Kjo përsa i përket të bukurës së tifozllëkut, mbylljes me kokëfortësi dhe pafajshmëri të një dashurie të parë, unike, brenda mendjeve që rriten e janë të detyruara ta bëjnë në të gjitha drejtimet, përveç asaj bërthame ngjyrash të përjetshme, të mbledhura menjëherë pas moshës së djepit, thuajse një segment shtesë i ADN-së, përballë të cilës, dihet, nuk ka vullnet apo kulturë që mund të bëjë gjë.

Sa për anën e shëmtuar ka aq gjerësisht e njohur sa po ta përshkruash rrezikon të biesh në fjalë boshe, të thëna e të stërthëna: inati i pakontrollueshëm, refuzimi interpretimit logjik në favor të justifikimeve të mëshirshme dhe të turpshme (fati i keq, pandershmëria e kundërshtarit apo e pushtetit), grumbullimi tribal i pulsioneve agresive shkallëve të stadiumit. Unë do ta nisja pikërisht që këtu, me shpresë që të rikthej sëmundjen e tifozllëkut në pandemi kronike por të dashur, që të mos jetë më një plagë shoqërore dhe problem rendi publik: ajo që nuk shkon në tifozllëk është pikërisht tepria e shoqërizimit në një gjendje mendore shumë shumë intime. Tifozllëku është sindromë kaq e mprehtë dhe tronditëse sa mbajtësit jo të shëndetshëm e dinë mirë që nuk mund ta kthejnë në spektakël. Të bashkëngjitësh kaq shumë çmenduri është e rrezikshme dhe e gabuar, të ulërijnë të gjithë bashkë të njëjtën marrëzi transformon humnerë vetjake në rrezik publik, përqendrimi i të gjithë asaj ngjyre të shenjtë në një pikë të vetme të stadiumit është e panjerëzishme dhe thuajse herezi, një mbingarkesë baroke që nuk respekton frymën shpirtërore të parehatshme të tifozit.

Tifozllëku i organizuar ushtarakisht është një e re e dy-tre dhjetëvjeçarëve të fundit. Më parë stadiumet ishin vende të zhurmshme, por brenda ndiheshe i vetëm në mes të turmës, i mbrojtur nga anonimia. Bëje miqësi me personin ngjitur, duke shkëmbyer dy fjalë të ëmbla me edukatë, shumë ndryshe nga ç’ndodh sot në stadiume, ku shpalosen pa ndrojtje plagët më të thella të shpirtit...dhe as nuk e dije atëherë nëse fqinji yt në stadium ishte vëlla në tifozllëk apo kundërshtar, shpesh për ta marrë vesh duhet të prisje mallkimin e parë tëndin apo tijin.

Tifozllëku i tanishëm, po të shohësh mirë, është mohimi i rrugëtimit të brendshëm të sëmundjes, secili do të dëshironte të përjetonte ndeshjen e tij dhe thellë-thellë është xheloz teksa sheh që ndeshja e tij sekuestrohet dhe turbullohet nga të tjerët, njësoj si të lexosh një libër me mijëra të tjerë pas krahëve që ta tërheqin, të kthejnë fletë dhe e komentojnë me zë të lartë. Prandaj besoj që shumë tifozë (ndoshta ata të vërtetët, ata më të sëmurët) mbyllen gjithnjë e më me qejf para televizorit të shtëpisë, me pak miq apo vetëm, për të përjetuar vuajtjen pa shumë ndërhyrje, pa lejuar tensionin alien të dhunës së shkallëve të stadiumit t’i shtohet, duke e vënë poshtë, tensionit mëse të ligjshëm dhe të përkryer që ndez aktiviteti sportiv.

Në stadiume, çaste të caktuara intensiteti të lartë sjellin, çuditërisht, një heshtje të nderë, të thellë e të tmerrshme, në pritje që gjuajtja të përfundojë në portë apo në shtyllë apo në qiell, duke i hapur rrugën shpërthimit të gëzimit apo pasthirrmave të zhgënjimit. Vetëm në këto çaste deri edhe refrenet, koreografitë dhe qëndrimet e pahijshme në shkallë, ngrijnë papritur për një çast të shkurtër respekti të rigjetur.

Por janë çaste gjithnjë e më të rralla, dhe ideja e ethshme që tifozët duhet të jenë “protagonistë” është tashmë kaq në modë, sa hedhja në fushë e kapsollave, bllokimet e rrugëve apo kortezhi i tifozëve në protestë, janë pjesë e kronikës së përditshme, ashtu si edhe shprehja e stërthënë që publiku është lojtari i dymbëdhjetë. Por është e shkruar e zezë mbi të bardhë: njëmbëdhjetë kundër njëmbëdhjetëve, dhe ajo që është shkruar duhet bërë. Të paktën në respekt të baballarëve, të fëmijërisë dhe në respekt të Shkrimeve të Shenjta, le t’i jepemi lojës, pa lejuar që një gjë e kabashme si Shoqëria apo Turma të fusë hundët më shumë nga ç’duhet në vesin tonë privat.

Michele Serra, Diario di Repubblica