Dy të vrarë dhe një e plagosur me armë zjarri. Viktimat të tre shqiptarë - Shqiptari i Italisë

Itali

Në shtëpi në çastet e masakrës, edhe një foshnjë 5 muajsh, i biri i njërit prej viktimave. Për ngjarjen e rëndë është dorëzuar vetë të karabinierët një ish bandit, Nino Cherchi, 69 vjeç, që është arrestuar menjëherë

Olbia, 8 prill 2010 – Sot rreth orës 13 në rrugën Austria të Olbias janë ekzekutuar me armë zjarri dy persona dhe një e tretë ka mbetur e plagosur. Viktimat, që të tria shqiptare me lidhje gjaku mes tyre, janë qëlluar me pistoletë. Dy burra kanë humbur jetën, ndërsa një grua është shtruar në spital fatmirësisht jo në gjendje të rëndë shëndetësore.

Dy të vdekurit janë Gazmend Peca, 30 vjeç, dhe Kasem Memaj, 32, të dy punëtorë krahu në Olbia. Ndërsa e plagosura, Ariana Zelo, 31 vjeç, është e shoqja e Pecës dhe nëna e një foshnje 5 muajsh që ndodhej në vendngjarje por fatmirësisht nuk ka pësuar asgjë.

Është dorëzuar vetë, dhe tashmë ndodhet në kazermën e karabinierëve të Olbias, autori i ngjarjes. Është një ndër ish krerët e banditëve të Sardenjës, Nino Cherchi, 69 vjeç, nga Orune, që sipas zërave ende të pakonfirmuar zyrtarisht, u ka rrëfyer karabinierëve se është ai përgjegjësi i ngjarjes së rëndë që ka tronditur Olbian sot rreth orës 13.

Ende nuk janë të qarta arsyet që shtynë Cherchin të të zbrazte karikatorin e pistoletës së tij gjysmautomatike të kalibrit 7,65 kundër tre viktimave.

Sipas një kontrolli paraprak të mjekut legal, dy burrat janë vrarë me nga dy plumba në kokë. Tre plumbat e tjerë kanë goditur gruan në kraharor.