Gjendet trupi i Sayedit, refugjatit të zhdukur në Amatrice - Shqiptari i Italisë

Itali

Ishte nën rrënojat e shtëpisë që e kish pritur. Me të ngrihet në 296 numri i viktimave të tërmetit

Romë, 5 shtator 3016 – Kish ikur nga Afganistani për të gjetur shpëtim në Itali. I gjori Sayed vdiq nën rrënojat e shtëpisë ku kishte gjetur strehim.

Në Amatrice, i humburi i fundit nga tërmeti i tmerrshëm i 24 gushtit ishte një refugjat, që bashkë me të tjerë qëndronte në një strukturë të Sprar-it. Natën e tërmetit, ndërtesa u shemb mbi shpatin ku ngrihej. Brenda ishin katër vetë, tre u plagosën por arritën të shpëtonin. Kërkimet për Sayed kishin nisur menjëherë por vetëm dje pasdite, Zjarrfikësit arritën të gjejnë nën një mal me gurë trupin e pajetë të afganit, me të cilin shkon në 296 bilanci i viktimave të tërmetit.

Sayed ka lënë në Afganistan gruan me tre fëmijë. Gjatë ditëve të shkuara kish mbërritur në Amatrice i vëllai, Zia, refugjat në Austri. “Do të jetë gjallë në ndonjë rrëzë aty poshtë” u përsëriste të gjithëve pa u larguar nga rrënojat.