Kuqezinjtë në Bergamo për testin e fundit para Evropianit, në një miqësore me Ukrainën - Shqiptari i Italisë

Itali
Një rast i mirë për komunitetin shqiptar për të përshëndetur djemtë e për t’i uruar për ndeshjet që i presin në Francë

Romë, 16 maj 2016 – Ndërsa kampionati italian u mbyll, me Juventusin që fitoi titullin e pestë për të pestin vit rresht, e të dielën mbyllet edhe Kupa me sfidën finale mes Juventusit dhe Milanit, të gjithë dashamirësit e futbolllit presin me padurim 10 qershorin kur nis kampionati evropian Francë 2016. Kampionati i këtij viti është veçanërisht i shumëpritur nga shqiptarët që për herë të parë, para se të bëjnë tifozllëk për përfaqësueset e mëdha italiane, do të kenë për zemër ecurinë e kuqezinjve, që nën drejtimin e italianit Gianni De Biasi, u kualifikuan në fazën finale.

Komuniteti shqiptar në Itali, do të ketë rastin të shijojë një “paradhënie” të Evropianit. Në fakt, Kombëtarja hqiptare, para se të shkojë në Francë, do të bëjë një ndalesë në Bergamo, ku më 3 qershor do të bëjë testin e fundit, në një miqësore me përfaqësuesen e Ukrainës.

Ndeshja do të luhet në stadiumin komunal të qytetit në orën 20:30. Pritet që në stadium të jenë të shumtë tifozët e të dyja përfaqësueseve, pasi qoftë shqiptarët, qoftë ukrainasit, janë komunitete të mëdha në veri të Italisë.

Shqiptarët në Lombardi, me moton “Përcjellim kombëtaren tonë në Francë”, kanë organizuar edhe një takim-aperitiv me kuqezinjtë në Bergamo.