LëVizja 5 Yjet vetëm për italianët, dyer të mbyllura imigrantëve e bijve të tyre - Shqiptari i Italisë

Itali
Votohet online për të ndryshuar Statutin dhe Rregulloren, por kriteri i shtetësisë italiane për regjistrimet nuk preket. Kështu M5S vazhdon të mbajë larg një pjesë të mirë të popullsisë, njësoj si Forza Italia

Romë, 28 shtator 2016 – Ka një mëkat fillestar në Lëvizjen 5 Yjet (Movimento 5 Stelle – M5S) që Grillo & Co nuk duan të fshijnë. Edhe pse lë jashtë një force politike që dëshiron të përfaqësojë shumicën një pjesë të mirë të Italisë.

Në këto vjet, migrantët e bijtë e tyre kanë ndjekur me vështirësi politikat e lëkundura apo të munguara të M5S rreth temave që i prekin drejtpërdrejt. Nga vepra penale e klandestinitetit, e mbrojtur nga Grillo e Casaleggio, deri në heshtjen e dyshimtë të parlamentarëve grillinë rreth reformës së shtetësisë (“Nuk ka kuptim” shkruante edhe vetë lideri i madh …), pa harruar aleancën me ksenofobët e UKIP-it të Farage apo batutat e shumta mbi të huajt e sigurinë të quajtura edhe pjellë e “legizmit grillin”.

Por këtë radhë problemi qëndron në tjetër vend. Te statuti, të më falin, te “Jo-Statuti”, neni 5 i të cilit thotë: “… LëVizja është e hapur për të gjithë shtetasit italianë në moshë madhore që nuk bëjnë pjesë …”. Koncept ky i përforcuar edhe nga neni 1 i Rregullores: “Regjistrohen në LëVizjen 5 Yjet shtetasit italianë me moshë madhore …”. E të huajt? Në respekt të atyre normave, mbeten jashtë. Shtetësia në këtë rast e ka një kuptim, si jo.

Edhe formulari i regjistrimit në LëVizje, që përpilohet vetëm online, hapet me deklarimin e të qenit “shtetas italian në moshë madhore”. E se mos i shkon ndërmend njeriu e gënjen vetëm e vetëm që të regjistrohet: sajti paralajmëron që do të bëhej fjalë “për deklarime të rreme për të cilat mbaahet përgjegjësi edhe me karakter penal”. Dhe demokracia nga poshtë 2.0 e shumëtrumbetuar, e përbërë nga platforma diskutimi e projekteligjesh të shkruara të diskutuara e të votuara online? Nuk janë për imigrantët e bijtë e tyre.

Për të gjetur një mbyllje të ngjashme në panoramën politike italiane, duhet lexuar statuti i Forza Italia-s. Partia e Berlusconit e medon njësoj si ajo e Grillos e shkruan që “janë anëtarë të Lëvizjes Politike Forza Italia qytetarët italianë …”. Një zgjedhje krejt e kundërt me atë të Partito Democratico, e cila që kur ka lindur ka qenë gjithnjë e hapur për “qytetaret dhe qytetarët e Bashkimit Evropian rezidentë” dhe për “qytetaret e qytetarët e vendeve të tjera me leje qëndrimi”.

E Lega? Edhe pse Salvini nuk lë rast t’i ikë pa folur përçart mbi “ne” e “ata”, kur bëhet fjalë për aderimin në partinë e tij pasaporta nuk merret parasysh. “Të gjithë të rriturit që angazhohen të respektojnë detyrimet që rrjedhin nga Statuti mund të regjistrohen në Legën e Veriut”, ky është rregulli. Në këtë aspekt, grillinët janë më legistë se legistët vetë. .

Ndërkaq, “qytetarët 5 yjësh” kanë humbur një rast i mirë për të ndryshuar. Në blogun e Beppe Grillos janë hapur dje e do të vazhdojnë për një muaj votimet online “për të mundësuar të gjithë të regjistruarit e LëVizjes 5 Yjet të vendosin nëse duan të modifikojnë dhe si do të modifikojnë “Jo Statutin” dhe Rregulloren”. Në të vërtetë, ndryshimet janë shkruar tashmë, të regjistruarit duhet vetëm t’i pranojnë ose jo. Kanë të bëjnë mbi të gjitha me mekanizmin e përjashtimeve dhe asnjë na modifikimet nuk prek rregullin e shtetësisë italiane të nevojshme për regjistrimet.

Teksa vendos kë të nxjerrë jashtë, me sa duket LëVizjes nuk ia ka qejfi të vërë në diskutim kriteret për kë fut brenda.

Elvio Pasca