Nënë Tereza do të shpallet Shenjte më 4 shtator 2016 - Shqiptari i Italisë

Itali
Sot paradite, në orën 10.00, në Sallën e Koncistorit në Pallatin Apostolik të Vatikanit, Papa Françesku mbajti Koncistorin e rregullt publik për kanonizimin e pesë të Lumëve, mes tyre edhe në Nënë Terezës. Gjatë Koncistorit, Papa ka dekretuar që e Lumja Tereza e Kalkutës, Anjeze Ganxhe Bojaxhiu të regjistrohet në Librin e Shenjtorëve të dielën më 4 shtator 2016.
Mrekullia e Nënë Terezës

Më 17 dhjetor 2015 Papa Françesku miratoi Dekretin që njohu ndërmjetësimin e të Lumes shqiptare në mrekullinë e shërimit të menjëhershëm e të pashpjegueshëm të një burri me kombësi  braziliane, i sëmurë rëndë nga një goditje në tru.

Episodi në fjalë është i 10 shtatorit 2008, kur një inxhinier brazilian, në gjendje kome për shkak të një sëmundjeje të trurit, u mbart në sallën e operacionit për një ndërhyrje kirurgjikale gati-gati të pashpresë. “Gruaja e tij lutej në kapelën e spitalit, së bashku me një meshtar e disa familjarë. Një natë më parë i qe lutur me gjithë zemër Nënë Terezës: “Mjekojeni Ju vetë tim shoq”. – është shpjegimi i mrekullisë nga Radio Vatikani – Gjithçka ndodhi në pak minuta. Kirurgu, që kishte dalë një gjysmë ore më parë nga salla e operacionit, duke e shtyrë për pak çaste ndërhyrjen, u rikthye përsëri dhe, çuditërisht, e gjeti të sëmurin ndenjur mbi shtrat, të zgjuar e plotësisht të vetëdijshëm. I mrekulluar, e dëgjoi t’i thotë: “Ç’bëj unë këtu?”. Shërimi, që u vërtetua më pas, ishte i menjëhershëm dhe i pashpjegueshëm”.

Siç sqarohet nga Radio Vatikani, shërimi i brazilianit “është një nga rastet e rralla të mrekullisë së “shkallës së parë”, asaj që kundron  ngjalljen prej të vdekurve ose të ashtuquajturës “restitutio ad integrum”, domethënë, shërimin e plotë të të gjitha organeve të shkatërruara nga sëmundja. Ndërsa shumica e mrekullive të miratuara nga dikasteri i Vatikanit, janë të gradës së tretë, domethënë shërime të menjëhershme nga sëmundje, për të cilat mjekësia do të mund të arrinte rezultate vetëm pas një kohe tepër të gjatë”.