Referendumi. Pse italianët vendosën të rrëzojnë kryeministrin Renzi? - Shqiptari i Italisë

Itali
Kur u zgjodh kryeministër ishte kryebashkiaku i Firences, sekretar i PD-së, partisë më të madhe të vendit, dhe u fliste në gjuhën e tyre në favor ndryshimesh italianëve të zemëruar, italianëve anti-sistem, por në 1000 ditë qeveri nuk arriti të sillte ndryshimet modernizuese që premtonte. Dhe pikërisht ata qytetarë të zemëruar, anti-sistem, sapo e mosbesuan më 4 dhjetor
Nga Gjergji Kajana

Kryeministri italian Matteo Renzi u betua në krye të qeverisë në 22 shkurt 2014 e lajmëroi dorëheqjen e pakthyeshme nga ky post mesnatën e 4 dhjetorit 2016, ndërsa merrnin formë rezultatet poshtëruese të një referendumi: italianët rrëzuan në masën 60% reformën kushtetuese paraqitur prej tij.

Renzi e personalizoi tej mase skenën politike italiane gjatë mandatit kryeministror e fushatës për referendumin, reforma ishte kali i betejës me të cilën synonte të merrte një legjitimitet popullor pas emërimit në shkurt 2014 pa kaluar nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe dorëheqja (e paralajmëruar prej tij qysh në çastet e emërimit nëse reformat kushtetuese nuk miratoheshin) përbën aktin e duhur e të detyruar.

Në fushatën për referendumin përplasja mes përkrahësve të “Po”-së ose “Jo”-së ishte e gjitha politike e aspak teknike, me një rezultat që solli Vaterlonë për kryeministrin. Një tregues e kthen në dramë për të këtë rezultat: për “Po”-në e përkrahur nga Renzi 41-vjeçar kanë votuar në shumicë grupmoshat e moshuara të popullsisë, ndërsa “Jo” ka tërhequr shumicën e votuesve të rinj. Papunësia në shifrën 39% brenda grupmoshës 15-24 vjeç shpjegon shumë për të kuptuar “Jo”-në e tyre.

Përse dështoi Matteo Renzi si kryeministër e përse nuk arriti të sillte ndryshimet modernizuese që premtonte?

Kur u zgjodh kryeministër ishte kryebashkiaku i zgjedhur i Firences, sekretar i partisë më të madhe të vendit (Partia Demokratike, qendra e majtë) dhe në qendër të skenës politike të vendit pas një marrëveshjeje për reformimin e institucioneve (që u epilogua negativisht me mosmiratimin e referendumit të djeshëm) e miratimin e një ligji të ri elektoral në bashkëpunim me të djathtin Berluskoni.

Partnershipi reformator me të djathtët dështoi në janar 2015. Prej atëherë lufta politike italiane ishte totalisht Renzi kundër të gjithëve: kundër populistëve të Lëvizjes anti-sistem 5 Yjet të Bepe Grilos, kundër të djathtës berluskoniane e aleatëve të saj të zhurmshëm, kundër një pakice të fortë brenda vetë Partisë Demokratike e mbi të gjitha – siç tregoi referendumi – kundër mosbesimit të shumicës së italianëve.

Paralajmërimi elektoral i rezultatit referendar ishte fitorja në qershorin e sivjetshëm e 5 Yjeve në bashkitë e rëndësishme të Romës e Torinos.

Renzi u bë i njohur në rang kombëtar ende pa u zgjedhur sekretar i Partisë Demokratike teksa programonte ndërrimin e elitave të vjetra të së majtës. Ky mision “majtist” u arrit: kryeministri i sapodorëhequr u zgjodh e mbetet sekretar i partisë, me koston e një lufte civile brenda demokratëve që vazhdon dhe e dobëson.
Me energji e dinamicitet ish-kryebashkiaku fiorentin u fliste në gjuhën e tyre në favor ndryshimesh italianëve të zemëruar, italianëve anti-sistem, pikërisht atyre qytetarëve që sapo e mosbesuan.

Ky ishte çelësi i suksesit të tij, që sot parashikohet të jetë çelësi i një fitoreje të mundshme griline në zgjedhje eventuale të parakohshme: para një lideri energjik shtrihej një hapësirë elektorale e lënë bosh nga tentativat berluskoniane e të së majtës pre-Renzi për të modernizuar Italinë e përshtatur atë vend sfidave të globalizimit, siç ia kishte dalë Gjermania. Matteo u zgjodh lideri i së majtës por nuk u pranua si lider i vendit nga italianët. Kjo sepse kriza sociale italiane, në zhvillim qysh prej fillimeve të procesit të quajtur globalizim, vazhdon e paepur – rënduar për më tepër (siç tregoi në botë edhe Trump-fitorja në SHBA) prej mosbesimit të elektoratit të periferive se elitat mund ta zgjidhin atë. Renzi kryebashkiak ishte padyshim pjesë e elitës, por i një lloji të veçantë: ishte buldozeri që duhet t’i sheshonte praktikat sterile qeverisëse të asaj elite. Renzi i 4 dhjetorit shihet në të gjitha gjatësitë si elitë vetëreferenciale nga ai elektorat, që preferon të dëgjojë e votojë sirenën populiste të komikut Beppe Grillo.

Aleat i Renzit mund të ishte ekonomia. Italia ndodhej prej dy vjetësh në recesion në shkurt 2014 e papunësia ishte 12,8% e fuqisë punëtore. Një rritje anemike e PBB-së regjistrohet për 2015-n e 2016-n por papunësia, zbritur në 11,6%, mbetet tejet e lartë.

Ekonomistët konkordojnë se që ajo të ulet ndjeshëm, Italia duhet të rritet me të paktën 2% në vit, praktikisht një mirazh në një kuadër ndërkombëtar ku dalja e Britanisë nga BE e fitorja e Donald Trumpit në SHBA rrisin pasigurinë.

Kriza sociale mbetet benzinë për Grillot e Le Penët, jo liderët e majtë si Renzi e Francois Hollande në Francë. Në luftë me sindikatat e punëtorëve, opozitën e djathtë e pjesën më majtas brenda Partisë Demokratike, Renzi imponoi në Parlament para dy vjetësh një reformë pune fiskalisht bujare me sipërmarrësit që garantonin kontrata pune me afat të papërcaktuar.

Ato u rritën si pasojë e këtyre lehtësirave fiskale por shkalla kombëtare e punësimit mbetet 57% (ndër më të ulëtat në krejt BE-në e rreth 17% më poshtë se e njëjta shkallë në Gjermani). Në Jugun e Italisë shkalla e punësimit është vetëm 44%, më e ulët sesa në Greqi e Kroaci. Italia mbetet vend i zhvilluar e fuqi ekonomike botërore por italianët i druhen varfërimit dhe fajësojnë elitat se nuk po arrijnë t’i mbrojnë ekonomikisht. Pas referendumit, kjo kartë elektorale ka për t’u luajtur edhe më fort brenda vendit prej populistëve grilinë e të djathtë (Liga e Veriut e ish-fashistët – aleatë të Berluskonit).

Dështimi i Renzit tremb BE-në e ekonominë botërore.

Duhet të trembë edhe vende negociatore që po investojnë tek projekti evropian si Shqipëria, Mali i Zi e Serbia sepse mund të jetë gur i një loje të rrezikshme domino që mund ta rrëzojë BE-në nëse edhe në 2017 elektorati në Francë (e mbase Gjermani) ndjek trendin italian. Sondazhet jepnin “Jo”-në në avantazh prej muajsh dhe Brukseli e tregjet financiare nuk e presin si rrufe në qiell të hapur hedhjen poshtë nga italianët të ndryshimeve kushtetuese renziane.

Por destabilizimi politik i Italisë i hap rrugën e pushtetit pikërisht populistëve alla-Grillo, anti-globalizim e anti-BE.

Gjatë tërë 2016 Renzi ishte rreshtuar mes kritikëve të ashpër të projektit evropian pikërisht sepse masat popullore nuk po e shohin atë fund krize që vetëm në numra është realitet.

Pohimet e tij se Italia mund të jetë lider në Evropë janë thjesht qesharake (në Evropë komandojnë fuqi ekonomike më prodhuese se Italia dhe me shifra borxhi publik e papunësie më të ulëta se Roma, siç janë Gjermania e Franca) por vetëdija se Evropa duhet ndryshuar nga brenda, vetëdije e pranishme në gjithë diskursin publik renzian, ka baza të drejta e logjike.

A do të vazhdojë Italia post-Renzi të jetë euroentuziaste në rang qeveritar?

Me një kryeministër grilin ose të djathtë (hipotezë kjo më e largët) përgjigjja është mohuese, për më tepër nëse kriza sociale dhe e punësimit vazhdon të rrëzojë shpresën se rrota e pritshmërive mund të rrotullohet për nga rritja ekonomike.

Botuar në Tirana Observer