Salvini çakall: “Imigracioni klandestin nuk sjell asgjë të mirë” - Shqiptari i Italisë

Itali
Lideri i Legës komenton vdekjen e Emmanuel Chidi Namdi duke fajësuar “imigracionin klandestin jashtë kontrollit” që sipas tij po pushton Italinë

Romë, 7 korrik 2016 – Për Matteo Salvinin, vdekja tragjike e Emmanuel Chidi Namdi, refugjati i vrarë në Fermo nga dhuna raciste, është rasti i radhës për t’ia futur me top kundër “klandestinëve” dhe “pushtimit” prej tyre të Italisë.

“Kush vret, përdhunon apo sulmon një person tjetër duhet dënuar. Pikë. Pavarësisht nga ngjyra e lëkurës” pohon sekretari i Legës në Facebook. “Je i bardhë, i zi, rozë dhe vret dikë pa arsye? Në burg, dhuna nuk ka justifikim”.

Dënimi mbaron këtu, më pas dy fjalë për viktimën: “Djali nigerian në Fermo nuk duhej të vdiste, një lutje për të”. Salvini hesht mbi matricën raciste të vrasjes, flet për ngjyrën e lëkurës së vrasësve, por jo të viktimave që u quajtën edhe “majmunë”.

Por ajo më alarmuesja është pjesa e dytë e komentit të Salvinit: “Është gjithnjë e më e qartë se imigracioni klandestin jashtë kontrollit, ose më mirë pushtimi i organizuar, nuk do të sjellë asgjë të mirë. Kontrolle, kufizime, respekt, rregulla dhe dënime të qarta: po kërkojmë shumë?”.

Lideri i Legës, me pak fjalë, sugjeron se ajo që ndodhi në Fermo është pasojë e “pushtimit të organizuar”. Po të kishte qëndruar në shtëpinë e tij, të ishte masakruar bashkë me Chimiary-n e tij nga terroristët e Boko Haram, Emmanuel Chidi Namdi nuk do të ishte masakruar nga një italian. Dhe Salvinit do t’i ishte dashur të kërkonte një tjetër varrim për të predikuar urrejtje.

EP