Shqipëria vendi më i varfër i Europës - Shqiptari i Italisë

Itali

Luksemburgu me PBB për frymë më të lartë në Europë, Italia e 16-ta ndërsa Shqipëria e fundit

Romë, 22 qershor 2010 – Të dielën Berlusconi u mburr se Italia është vendi më i pasur i Europës madje sipas tij “është edhe një fije më e pasur se Gjermania”. Berisha e bën rregullisht, duke thënë se rritjen e Shqipërisë e ëndërrojnë vendet e tjera, se sa janë rritur rrogat e pensionet në Shqipëri nuk është parë gjëkundi, duke harruar të thotë që sidoqoftë mbetemi të fundit në Europë për tregues të rëndësishëm ekonomikë.

Të hënën përgënjeshtrohen që të dy nga raporti i pamëshirshëm i Eurostat-it me të dhënat paraprake 2009 mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) për banor të shprehur në Standard Fuqisë Blerëse SFB, njësi monetare virtuale që siç shpjegon Eurostat “zhduk dallimet e niveleve të ndryshme të çmimeve mes vendeve të ndryshme. Kjo njësi mundëson krahasimin në vëllim të treguesve ekonomikë domethënës mes vendeve”.

Kështu, sipas PBB të shprehur në SFB, Italia kapërcen me dy pikë mesataren e BE-së (që konsiderohet 100%), duke u renditur e 13-ta si vendi më i pasur i BE-së dhe e 16-ta po të merren në konsideratë edhe vendet jokomunitare të Europës. I pari renditet Luksemburgu me SFB 268, i ndjekur nga Norvegjia (177), dhe Zvicra (144). Pasojnë Irlanda (131), Vendet e Ulëta (130), Austria (124), Suedia e Islanda (120), Danimarka e Mbretëria e Bashkuar me nga 117, Gjermania (116), Belgjika (115), Finlanda (110), Franca (107), Spanja (103). Pas gjithë këtyre renditet Italia me 102 por që lë pas vende që kanë Standard të Fuqisë Blerëse më të ulët se mesatarja e BE-së Qipron, Greqinë, Slloveninë, Republikën Çeke, Maltën, Portugalinë, Sllovakinë, Hungarinë etj. Për të arritur te vendet e ballkanike që renditen nga fundi i listës: Kroacia (64), Mali i Zi (43), Serbia (37), Maqedonia (35), Bosnja (30) dhe e fundit në absolut Shqipëria me vetëm 27% të Fuqisë Blerëse mesatare të BE-së.

Shih renditjen Eurostat