Hiqet si agjent i shërbimeve sekrete. Është trafikant droge e arrestohet - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Lulzim C., 42 vjeç, arrestohet në Milano sepse policia i gjen drogë në shtëpi. Fillimisht mundohet të shpëtojë duke deklaruar se është agjent 007 shqiptar

Romë, 14 shkurt 2012 – Për të dalë nga telashet çfarë nuk sajon, por gjetja e 42 vjeçarit Lulzim Cyrlja (e mbiemri ka pak gjasa të jetë i saktë por ky është ai që jep agjencia e shtypit Agi) është e pazakontë. Dje pasdite, policia ka ndaluar për kontroll dokumentesh në Milano, në rrugën Inganno, një makinë Alfa 166 brenda të cilës ishin dy persona. Rezultoi që të dy ishin shqiptarë, njëri me qëndrim të rregullt në Itali e pa precedentë. Tjetri, Lulzimi, u tregoi policëve një dokument duke u thënë edhe që ishte një agjent i shërbimeve sekrete shqiptare.

Por mjafton pak për të kuptuar që dokumenti ishte i rremë e që nuk kishin të bënin me një 'James Bond' shqiptar.

Kështu vendosin t’i kontrollojnë shtëpinë ku gjejnë gruan dhe të birin e Lulzimit. Teksa mban me muhabet policët, Lulzimi urdhëron shqip të birin të heqë diçka nga dollapi. Por agjentët e policisë nuk e lënë fëmijën të lëvizë dhe gjejnë në dollap 24 g. kokainë, 20 g. substancë për përzierjen, metadone, peshore dhe thikë, me një fjalë të gjitha mjetet e punës së një shpërndarësi të drogës.

Kështu Lulzim C. është arrestuar për mbajtje lëndësh narkotike me qëllim shitjen.