15-vjeçari vret veten sepse një shoqe i heq miqësinë në Facebook - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Vdekja absurde e një adoleshenti, bij imigrantësh shqiptarë në Carpenedolo të Brescias

Shenjtërorja Madonna del Castello në CarpenedoloRomë, 26 prill 2016 – Një tragjedi ka tronditur dje një familje shqiptare në provincën e Brescias që ka humbur djalin në moshën 15 vjeç. Për arsye, që të paktën tani për tani, duken absurde. Sipas Gazzetta di Brescia që jep lajmin, djali është hedhur nga tarraca e shenjtërores Madonna del Castello në Carpenedolo sepse një shoqe i kishte hequr “miqësinë” në rrjetin social Facebook. Është i vetmi shpjegim që i japin deri tani gjestit ekstrem të 15 vjeçarit forcat e rendit që po hetojnë mbi ngjarjen.

Dje 15-vjeçari është ngjitur në tarracë, ka bërë një fotografi e më pas e ka postuar në Instagram të shoqëruar me dy data: atë të lindjes e 25 prill 2016. Më pas është hedhur poshtë nga 12 metra lartësi. Trupi i tij i pajetë u gjet përtokë në një pellg me gjak.

Mbi ngjarjen po hetojnë karabinierët që, pa lënë pas dore asnjë pistë hetimi, flasin për vetëvrasje me shkak të mundshëm faktin që një shoqe e ka hequr nga lista e saj e miqve në Facebook. Nga verifikimet ka dalë në shesh që pas veprimit të shoqes, djali ka hequr nga profili i tij çdo foto apo koment që kishte të bënte me atë vajzë dhe ka postuar një seri komentesh mbi gjendjen e tij të keqe shpirtërore.

Karabinierët kanë nisur të dëgjojnë me radhë miq e familjarë të djalit për të zbardhur arsyet e dinamikën e kësaj vdekjeje sa absurde aq edhe të dhibmshme.

Familjarët akoma nuk kanë marrë autorizimin për varrosjen e djalit, trupi i të cilit ndodhet akoma në morgun e Spitalit Civil të Brescias.