3 kg kokainë në vend të librave në çantën e shkollës, arrestohet 14vjeçari - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Financierët e Brescias kanë arrestuar bashkë me të miturin edhe një 24vjeçar, që të dy shqiptarë. Shpërndanin drogë në zonën  stacionit të qytetit
 

Romë, 21 dhjetor 2017 – Një fëmijë shqiptar ka përfunduar në burg për trafik droge: kishte 3 kg në çantën e shkollës dhe 12 kg të tjerë iu gjetën në shtëpi e në makinën ku u kap bashkë me një 24-vjeçar, edhe ky shqiptar.

I zbuloi Guardia di Finanza e Brescias që sekuestroi drogën dhe arrestoi 2 shqiptarët.

Financierët kishin nisur hetimet prej disa ditësh pasi patën dyshime rreth 24-vjeçarit që edhe pse jetonte tjetërkund kishte marrë me qira një garazh në zonën “Fiumicello” të Brescias. Derisa vendosën mëngjesin e sotëm të kontrollonin burrin sapo ky doli nga garazhi i shoqëruar nga i mituri. I ndaluan ndërsa ishin në një veturë brenda të cilës financierët gjetën lehtësisht rreth 6 kg kokainë të futur në një trastë që gjendej poshtë ndenjësës pranë këmbëve të të miturit. Në shtëpi të këtij të fundit u gjetën edhe rreth 9 kg drogë.

Një pjesë e drogës, rreth 3 kg, dhe një peshore për ndarjen e dozave, mbahej në çantën e shkollës të të miturit, në vend të librave.

Nga sa ka dalë në dritë deri tani, 14-vjeçari, tek i cili nuk mund të dyshonte kush, luante rolin e magazinierit për llogari të 24-vjeçarit. Një pjesë e drogës do të shpërndahej me pakicë në zonën e stacionit hekurudhor të Brescias e pjesa tjetër do të furnizonte provincën.

24-vjeçari është çuar në burgun e brescias, ndërsa i mituri në burgun për të mitur Beccaria të Milanos.

 

Advertisement