Aksident rrugor. Humb jetën në Voghera 29-vjeçari Hoxha - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Orges Hoxha ishte duke përshkuar rrugën Kennedy me motorin e tij kur është përplasur një Citroen të drejtuar nga një 65-vjeçar vendas

Romë, 26 shkurt 2012 – Orges Hoxha, 29 vjeç po përshkonte rrugën Kennedi të Vogheras, sot pasdite rreth orës 17.30, kur është përplasur me një Citroen gri në kryqëzimin me rrugën Marsala. Përplasja e fortë ka hedhur dhjetëra metra tutje motorin Suzuki të djalit.

Shoferi i makinës, një 65-vjeçar nga Voghera, ka thirrur menjëherë ndihmën e shpejtë por fatkeqësisht për Orgesin nuk kishte asnjë shpresë shpëtimi.

Përgjatë gjithë rrugës Kennedy ka mbetur një njollë e gjatë vaji dhe uji nga vendi ku motori u përplas me veturën deri në pikën ku ndërroi jetë djali.

Orges Hoxha kishte ardhur në Itali 12 vjet më parë, jetonte në Rivazzano me prindërit e vëllanë. Deri në dhjetor kishte punuar në një hotel të Salice Terme si kryekamerier.

Në vendin e ngjarjes janë mbledhur shumë shqiptarë, të gjithë të trishtuar, të shqetësuar e të heshtur krah vëllait të Orgesit, që ka zbritur në rrugë sapo ka marrë lajmin e hidhur të aksidentit.