Aksident rrugor. Vdes 39-vjeçarja, plagoset rëndë e bija - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Përplasja e dy makinave mëngjesin e të dielës  në rrugën kombëtare 45 ka si viktimë një grua shqiptare 39 vjeç. Në gjendje më të rëndë shëndetësore i bija 14 vjeçe që gjendet e shtruar në repartin e terapisë intensive

Romë, 27 shkurt 2012 – Një e vdekur dhe katër të plagosur është bilanci i aksidentit tragjik që ka ngjarë mëngjesin e djeshëm përgjatë SS45 në provincën e Brescias kur një Ford Fiesta në të cilën udhëtonin nënë e bijë shqiptare dhe dy persona të tjerë është përplasur ballë për ballë me një Seat Ibiza në të cilën udhëtonte një 27 vjeçar breshan.

Gruaja, shqiptare 39 vjeçe, që ngiste Fordin, është plagosur më keq nga të gjithë dhe pas 24 orëve ka ndërruar jetë në spital. Nga të tjerët, në gjendje më të rëndë shëndetësore është e bija e gruas. E shtruar në repartin e terapisë intensive të spitalit civil të Brescias, edhe ajo rrezikon jetën.

Tre personat e tjerë, të gjithë të shtruar në spital, janë në gjendje shëndetësore më të mirë.