Aksidentohet koreografi Agron Aliaj. Familja kërkon ndihmë - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Koreografi i shquar Agron Aliaj rrezikon të mbesë i paralizuar për shkak të një aksidenti rrugor. Të afërmit e tij thonë se që të dalë pa pasoja nga aksidenti, duhet të dërgohet jashtë për kurim

Tiranë, 9 mars 2012 - Aksidentohet në qendër të Tiranës koreografi i njohur, ish-udhëheqësi artistik i disa shfaqjeve në Teatrin e Operës dhe Baletit, Agron Aliaj. Ngjarja ka ndodhur paraditen e të mërkurës. Aliaj ka dalë nga Teatri i Operës e ka nisur të ecë në vijat e bardha në asfalt, kur një automjet që vinte me shpejtësi e ka përplasur.

Koreografi me një karrierë 50-vjeçare në Teatrin e Operës dhe Baletit, Agron Aliaj, është transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku sipas mjekëve e ka kaluar rrezikun për jetën por është sidoqoftë në gjendje të rëndë shëndetësore. Në aksident i është dëmtuar palca kurrizore, e për këtë shkak rrezikon paralizën në pjesën e sipërme të trupit. Koreografi, që aktualisht është në pension, për shkak edhe të moshës e ka mjaft të vështirë që t’i përgjigjet pozitivisht terapisë mjekësore.

Familjarët e tij shprehin shqetësimin për shëndetin e tij dhe bëjnë apel të  që t’i krijohet një mundësi trajtimi më të specializuar, qoftë në spitalet publike, apo private në vend dhe në rast se është e nevojshme, edhe jashtë shtetit.