Ancona. Për dhjetë vjet përdhunon të bijën e mitur - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Në burg një punëtor shqiptar 45 vjeç me akuzën e rëndë të përdhunimit me rrethana rënduese dhe të ushtrimit të dhunës në familje

Romë, 7 maj 2016 – Duket një film horrori, por ngjarja duket se është e vërtetë. Mediat lokale të Ankonës përcjellin një histori tejet të hidhur familjare që ka ndodhur në Jesi të provincës së Anconës: një baba ka përdhunuar për dhjetë vjet rresht të bijën që kur kjo ishte vetëm 8 vjeç. Makthi mori fund kur vajza mbushi moshën madhore dhe vendosi të largohej nga shtëpia e të shkonte të jetonte me një teze të cilës i tregoi ato vite tmerri. Në janar vajza, tashmë 23 vjeç, ka gjetur forcën të padisë të atin pranë forcave të rendit e që kanë arrestuar burrin.

Është një punëtor shqiptar 45 vjeç, prej vitesh në provincën e Anconës bashkë me të shoqen e fëmijët, që më 22 qershor do të dalë në gjyq për t’u përgjigjur për përdhunim në disa rrethana rënduese (lidhja familjare me viktimën dhe mosha shumë e vogël e saj) dhe për ushtrim dhune fizike në familje.

Sipas akuzës, përdhunimi i të miturës ka nisur që në vitin 2001 ku vajza ishte vetëm 8 vjeç. Çdo mëngjes, kur nëna ishte në punë, babai merrte vajzën dhe fillimisht kishte nisur ta prekte në pjesë intime të trupit e më pas ka arritur të ketë me të marrëdhënie të plota seksuale. E sikur të mos kish ndodhur asgjë, më pas, shoqëronte vajzën në shkollë e shkonte në punë. E kur vajza provonte të bënte qëndresë i ati e kërcënonte se po të thonte gjysmë fjale do t’i vriste të gjithë, të ëmën, motrën e vëllain. E sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, herë pas here e merrte vajzën edhe me shkelma në bark për t’i shkaktuar asaj abort në rast se do të kish mbetur shtatzënë. Kjo ka qenë jeta e tmerrshme e vajzës, pothuajse çdo ditë, deri në vitin 2011, kur mbushi moshën madhore e braktisi familjen.

Burri, tashmë prej disa muajve në burg, mohon gjithçka dhe thotë se e bija ka sajuar të gjitha për t’u hakmarrë ndaj tij për faktin që nuk kanë pasur asnjëherë një marrëdhënie të mirë prind-bijë dhe se ai nuk pranoi t’i paguante studimet jashtë shtetit që vajza donte të ndiqte.