Arrestohet Dritan Çaushi për akte persekutuese ndaj ish të fejuarës - Shqiptari i Italisë

Kronikë
As dy muaj pasi u qëllua me armë nga Paolo Meneghetti pranë të cilit punon ish e fejuara, 33-vjeçari Çaushi ka nisur sërish t’i kërcënojë të dy. Është arrestuar mbrëmjen e të hënës nga karabinierët e thirrur nga Meneghetti

Romë, 21 shkurt 2012 – Më 5 janar lajmi i ditës në Noventa Padovana ishte plagosja me pistoletë e 33-vjeçarit Dritan Çaushi nga pensionisti Paolo Meneghetti. Sipas rindërtimit të ngjarjes, Çaushi nuk pranonte përfundimin e historisë së dashurisë me ish të fejuarën e tij e për këtë arsye i ish  qepur asaj e të moshuarit për të cilin ajo punonte si bashkëpunëtore familjare. Mbrëmjen e 5 janarit Çaushi është paraqitur për të disatën herë poshtë pallatit të Meneghettit, krejtësisht i dehur, dhe ka marrë me grushte një Toyota Yaris, e Livio Melchiorit, një mik i Meneghettit, që me të parë ç’po ngjante ka shkuar drejt makinës për të ndaluar 33-vjeçarin. Kanë nisur të zihen, por duke qenë Çaushi më i ri, e ka vënë poshtë. Në këtë çast ka zbritur nga shtëpi e tij edhe Meneghetti i armatosur me pistoletë që ka qëlluar në drejtim të 33-vjeçarit. Plumbi, i ka hyrë në vithe dhe i ka dalë në bark.

Por sot duket se Çaushin nuk e ka sprapsur as plumbi. Tani që është më mirë me shëndet është kthyer sërish poshtë pallatit ku jeton Meneghetti dhe ish e fejuara për të vazhduar avazin e kërcënimeve. Por këtë herë, kur e pa në derë të shtëpisë, 66-vjeçari nuk mori armën por u telefonoi menjëherë karabinierëve që pa u menduar dy herë i vunë prangat Çaushit dhe e kanë mbyllur në burgun Due Palazzi të Padovës. Për mosrespektim të urdhëresës së gjykatësit për hetimet paraprake që i ndalonte t’i afrohej nën 100 metra ish të fejuarës dhe Meneghettit dhe për akte persekutuese.

Lexo edhe: Donazzan (Pdl): “Edhe unë do të kisha qëlluar mbi atë shqiptar”